Sueton Zhugri: Poezia më e thjeshtë në botë

nesër Mbi tavolinë kam lënë adresën e varrit që të shkosh të ujisësh fotografinë dhe lulet në verë, (mos u merr erë, është shumë herët)

E pra tani që erdhi ndarja
do të gjej një tjetër,
të mos ngjajë fare me ty.
Buzët t’i ketë të trasha e të majme,
jo si ty që i kishe të holla e të ëmbla, ëmbla,
sa më zuri diabeti duke të të puthur.
Do ta gjej me sy blu, apo të gjelbër,
apo edhe të zinj,
por me sa më pak kadife
që të mos rrëshqas e thyej kokën në to,
si me ty,
me hundë sa më të vogël,
se e jotja si e babëzitur,
më dukej sikur thithte edhe frymën time,
sa herë rënkoje në gjoksin tim.
Do gjej një tjetër me duar më të mëdha se tuat,
që të mos humbasin më,
në shtrëngimin e duarve të mia.
Do të gjej dikë me hap më të rëndë,
të më zgjojë kur te vijë në takim,
prej ëndrrës së hapit tënd fluturak,
Dikë me flokë të mbledhur
ose bishtaleca
E jo si tuat të lëshuar
ku humbisja si nën kristalet e dëborës mbuluar…
E pra do t’i kërkoj fytyrat të ndryshme, të ndryshme prej tëndes,
se në fund…
në fund nuk do shoh në to
fytyrën tënde…
Zemër e vogël
të betohem,
do përpiqem me gjithë shpirt
të të harroj,
me aq sa mund të harrohet
e paharrueshmja.

ObserverKult