Sueton Zhugri: Në pakthim

nesër Mbi tavolinë kam lënë adresën e varrit që të shkosh të ujisësh fotografinë dhe lulet në verë, (mos u merr erë, është shumë herët)

Sa shpejt u zhveshën trëndafilat
u zhveshën gjer në kërc.
Në vendin që lamë bosh
erdhi reja dhe zuri rrënjë.
Si në një bimë përdredhëse,
ne ngatërruam rreth saj
buzët dhe ndonjë shikim.
E gjitha kjo më vonë u zbërdhyl
monopatit
të klithmave tona të patrajtshme.
Në fund bebëzat tona pluskuan
si nëndetëse të ndryshkura
mbi ujin e detit
dhe trupat tanë u prehën
si dy trena dalë jashtë shinave.

Goma e biçikletës së një vocrraku
që behu atypari
u shpua
mbi lotët e qelqtë që derdhëm.
Kaluan edhe ushtarë me flamurë anonimë,
lejlekë e pallonj plot ngjyra.
Ne mbyllëm sytë, shtrënguam duart
e bëmë sikur flemë vërtet.
Veranta e jetës
mbeti çelur për çdo udhëtar
dhe yjet mbajtën shënim.
E parë, e dytë, e njëqind…
Asgjë nuk kthehet më…
Gjer në fund.