Sueton Zhugri: Në xhepin e kangurit

nesër Mbi tavolinë kam lënë adresën e varrit që të shkosh të ujisësh fotografinë dhe lulet në verë, (mos u merr erë, është shumë herët)

Poezi nga Sueton Zhugri

Mund të vdes për sytë e tu të trishtë
Mund të thërmohem për sytë e tu të brishtë
Kur hapen, më përmbajnë si në një xhep kanguri edhe mua
Kur mbyllen,
i tëri tretem,
kripë e një deti Marsian

Sytë e tu mëndafsh hyjnor
e njëherësh kalldrëm rrugice fëminore…
Mund të qaj për të qeshurën tënde
pasqyruar në atë yllin blu,
(po mund të qaj)
Mund të qesh me lotin tënd jetim
që mjekrën zbukuron…

I dëgjon zërat e luleve si u thërrasin bletëve
të gatshme
me polenin
t’u qëndisen këmbëve.
Janë lule të derdhura mbi gjakun tim,
I sheh gjethet që duartrokasin erën,
me flladin e një ëndrre të shkuar

Ah, të kishte qielli gojë
do t’thërriste emrin tënd:

– Kometa ime,
… merrmë me vete…

29.9.2024

ObserverKult


Lexo edhe:

SUETON ZHUGRI: NUK DI…