Kur më ulesh pranë
gjithçka është
siç duhet të jetë,
cepi i mbulesës së rrudhur mbi tavolinë,
hera e natës së parë,
rrezet e paqtimit prej mëngjesi të porcelanët,
varja e buzëve, qetësia e shiut
gjaku i syve që përshëndet e dridhet,
tik-taku i akrepave që gërvish muret,
marshimi i çeliktë i milingonave që diku shkojnë për votime.
Kur më ulesh pranë
gjithçka është si duhet të jetë.
Dëgjohet frymëmarrja e hënës
mbi krateret e errëta,
dhëmbët e shtrënguar të gurëve të saj që kërcasin.
Gjithëherë rrëmbej rrobe e vras të shkuarën.
Hapat e tu ciganë të zhurmshëm
përplasen bashkë me derën pareteve të trurit.
E pres.
Por kur ulesh pranë
vërtet është siç duhet të jetë.
Qetësia kozmike më mbulon,
bulëzoj e bulëzoj ndjenjën e papërshkueshme të vetmisë sime
dhe them me vete:
“sa mirë që sërish
jemi të dy në askund…”