Sueton Zhugri: Reciproke

sueton zhugri nesër e vogla ime

Poezi nga Sueton Zhugri

Zot, je kaq i madh
sa e bën të pakuptimtë reciprocitetin.
Sërish nënat i ngopën foshnjet me biberonë,
Ndërkohë që nga qielli rrodhi çelik i shkrirë avionësh
Çdo centimetër truall mbuluar me gjak dekadash.
Në Finlandë ushqehemi me portokaj importi
shamouti izraeli.
Të ëmbël si zemër bletësh, të verdhë si shpirt dielli.
Por në Gaza nuk ka as ujë.
Rripi po kthehet në njollë, e nga njolla në pikë.
Drita sikur lind në rrugicat e gabuara.
Qielli në sytë e foshnjave duhet të vdesë.
Dante as e ka ditur çdo të thotë unaza të ferrit.
Nëna ime
nëse ky s’është apokalipsi
më thuaj ç’tjetër mund të jetë…
Izrael quhet toka ku u ka rënë koka…
Toka e njëmijë e një pelenave…
Të harruara…

Zot pse je kaq i madh
sa e bën të pakuptimtë
reciprocitetin ndaj ne të vdekshmit…

19.11.2023

ObserverKult


sueton zhugri nesër e vogla ime

Lexo edhe:

SUETON ZHUGRI: ME TY

Poezi nga Sueton Zhugri

… ta puth zemrën, ngadalë
dhe lëkurën e saj të parë, lëkurën e saj të dytë
dhe ndoshta një të tretë
…të zhveshur

të dy të djegur
nga sytë
e një vere të verbër, të beftë.

të ha me sy, dua
zemër e përbotshme
përtej të gjitha dhimbjeve
vajeve, piskamave
edhe kur dhëmbët të më kenë lënë
dua sërish të ushqehem

me Ty

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult