Sully Prudhomme: Lamtumira e fundit

Kur qenia e shtrenjtë shuhet
Fshehtazi mungesën ia ndiejmë,
Të qajmë ende s’na bëhet:
Në prani të vdekjes të hutuar veprojmë;

Dhe as çarçafi i zi i trishtë,
As psalmet e të vdekurve,
Formë s’i japin dëshpërimit fatkeqësisht:
Janë mpirë gojët, grykëderdhjet e shpirtrave.

Plot dyshim kundrejt pikëllimit tonë,
Fundin e varrit vështrojmë,
Pa kuptuar asgjë nga ky arkivol monoton
Që tingëllon përmortshëm nën dheun që mbi të lëshojmë.

Por vetëm kur hedhim vështrimin,
Në familje, përreth tavolinës,
Drejt karrigeve ku sytë e të ndjerit më s’na presin,
Lamtumirën e vërtetë i japim viktimës.

Përktheu: Elvi Sidheri