“Ta çoj djalin në shkollë me m’u ba idiot?!”

Nga Edona Llukaçaj

Diku në vitet ’90, në një skeç vënë në skenë nga humoristë shkodranë kalonte një shprehje, fatkqesësisht fort e gjetur për të shprehur realitetin paradoksal të arsimit në dekadat e fundit: “Ta çoj djalin në shkollë me m’u ba idiot?!”

Ajo ishte koha kur në emër të çrrënjosjes të ideologjisë komuniste, po goditej pamëshirshëm gjithçka, si më e keqja e trashëgimisë, ashtu edhe ato gjëra të vyera që kishin mbetur pas. Kur nga padija a padëshira shkatërrohej pa kriter, a thua se dinim të ndërtonim më mirë.

Skeçi shënjestroi zhvlerësimin e arsimimit dhe nxënies si një rrugë e drejtë drejt suksesit. Ndërsa sot zhvlerësimi i shkollës është tjetërsoj, më i sofistikuar, më thellë i rrënjosur.

Djali a vajza jote nuk cilësohen të paaftë për jetën (idiotë), thjesht se në dorë iu jepet një diplomë që pak e aspak i siguron. Është një proces që fillon kur ti detyrohesh dhe e dërgon fëmijën në kopsht e shkollë me zarfa plot në çantën e shpinës jo vetëm për 7 mars, dhe teksa thua sloganin “për një kafe”, pyet veten se në cilën kafene e nga sa kafe pijnë këta gryksa.

Është një proces i fëlliqur që vazhdon kur detyrohesh ta çosh fëmijën, po ashtu si fshehurazi, në kurset e hapura nga mësueset e veta pas shkolle, pasi dëshmon rënien domethënëse në mësime të atyre që refuzuan a nuk mundën të frekuentojnë këto kurse çudibërëse në performancën e fëmijës.

Është ajo ecejakja në fillim të viteve shkollore, kur, me lezet, përpiqesh që yt bir a yte bijë të jetë në klasën e ndonjë mësuesi të mirëfilltë: jo patronazhist, pa “miq” të spikatur dhe që nuk e ka blerë vendin e punës për të mos i ngelë pa ekspozuar garderoba firmato.

Është zhgënjimi i përditshëm, jo vetëm në fund të vitit, kur publikohen notat fiktive të kopjeve të qarkulluara, sipas zërave, nga vetë arsimtarët që iu kërkohet një cilësi që nuk e arrijnë dot sa prej pamjaftueshmërisë aq edhe prej përçudnimit të sistemit.

Është degradimi i universitetit, ku pretendohet të diplomojmë profesionistë të kohës me kurrikula të vjetëruara dhe të cunguara; ku plagjiaturat e faktuara pezulluan doktoraturat për vite, por atyre që bënë hatanë nuk i hyri gjemb në këmbë, por me titullin në xhep, shpesh, vazhdojnë e lektrojnë duke hedhur baltë mbi të gjithë akademikët; ku niveli i bachelor është aq i diskutueshëm sa, nëse dikush mund të bëhet mësues apo jo, e vendos mesatarja e shkollës së mesme; ku përditë ‘vriten’ shkencat humane dhe ato sociale, a thua se pa to, do mund të rimëkëmbet ndonjëherë ky vend.

E për sa kohë situata është kjo, ne jemi të vetëdijshëm se notat e profesiontëve fiktivë që punojnë me tekste e metoda fiktive do jenë po fiktive. Ata po bëjnë me brezat veçse çfarë kanë parë të bëhet me to vetë.

Fëmijët dhe të rinjtë tanë do vazhdojnë të shkojnë në shkollë në këtë atmosferë fiktiviteti derisa t’i thuhet ndal me reforma kuptimplote dhe të zbatueshme. Nëse janë me fat nuk do kalojnë klasën si të paaftë (idiotë) par excellence.

Por që dinjiteti do u përdhoset dhe dëshira për të përftuar dije me mund e përkushtim do u cënohet s’ka dyshim./DITA (Ky është linku i botuar në gazeta DITA)


Lexo edhe:

SËMUNDJA I MORI SOT JETËN: KUSH ISHTE “TOMKA”, AKTORI QË NGA NJË YLL I SKENËS E PËRJASHTUAN NGA SHKOLLA DHE MË PAS E MBYLLËN NË PSIKIATRI