“Tallava për fillestarë”, tregim nga Gjergj Jozef Kola

Gjergj Jozef Kola

Nga Gjergj Jozef Kola

Drejtuesja e zyrës së kulturës në Vjenë më përcolli vetë deri në aeroport. Kishte dashtë me ardhë edhe ajo, porse punët e shumta ia kishin prishë planet në minutën e fundit. U ndalëm së bashku para se me hy te kontrolli e pamë nga kati i tretë avionët që ishin gati me sulmu qiejt e lumtunisë.

“Ma luej edhe nji herë simfoninë.”, mu lut ajo.

“Në tri gjuhët?”

“Po, në tri gjuhët, të lutem!”, ma kërkoi prapë.

Ndërkohë vendosi kufjet e Iphones e unë i luejta pjesën e regjistrueme bashkë me tekstin në tri gjuhë si vijon:

Barleti- Monolog
Lum ata që kanë zemër të pastër
Si femija e lulet e kësaj toke Arbnore.
Tash librat e mi janë rranjët
Që unë kam marrë prej kësaj toke
E lulet i kam çilë nëpër botë
Se ata nji ditë kanë me u kthy
E me ju libru me aromën e pranverës…

Barleti- Monolog.
Glückselig sind diejenigen,
deren Herzen rein sind wie die Kinder
und wie Blumen des Land der Arbnoren.
Nun sind meine Bücher die Wurzeln,
die ich von dieser Erde mitgenommen habe,
und die Blüten dieser Wurzeln sind
um die ganze Welt verstreut, mit dem Ziel,
eines Tages zu euch zurückkehren
und mit dem Duft des Frühlings zu erlösen.

Barleti – Monologo.
Beati quelli
i cui cuori sono puri come i bambini
e come fiori della terra degli Arbnoren.
Ora i miei libri sono le radici,
che ho portato con me da questa terra,
e i fiori di queste radici sono
sparsi per il mondo con lo scopo di
tornare da voi un giorno
e riscattarsi con il profumo della primavera.

Lotët vazhdojshin me i rrjedh prej syve në ato 7 minuta perjetësi, siç i quante ajo, Maria Theresa, nji mike e madhe e tokës arbnore dhe e popullit shqiptar.

“Unë kam me ardhë ne tokën Arbnore, kam me ardhë patjetër, kjo asht vëtëm geschoben und nicht behoben…“, më siguroi ajo.

U ndame, siç i thonë në gjermanisht, schweren Herzens, megjithse mbas nji jave kisha me u kthy e me i tregu per projektin tonë, dramën – simfonike, që kishte fitu edhe Stipendiumin e bashkisë së Vjenës për vitin 2023.

Te detektori në aeroport, kontrolluesit kishin ndalë nji djalë të ri, me jeans të shkyem e t-shirt plot figura të filmit koreanojugor Squid Game. E ktheheshin disa here e nuk e dijshin se pse detektori fishkëllente me të madhe.

Dikur djali i nxori gjuhën, i lodhun, jo për me u tallë, porse u tregoi nji piercing të madh që kishte e hoqi prej gojës e ua tregoi.

Dy kontrolloret e shtynë me dorë tuj i kërku mos me i prekë dhe e lanë me kalu.

Kur erdhi rradha jeme, për fat, kësaj here nuk fishkëlleu asgja se isha kujdesë me hjekë gjithçka metalike.

Kaluem Dutyfreeshopin, unë bleva Parfum dhe ujë mineral e dola te “Gate 136” për në Tiranë.

Në pritje mu dhimbs ai djali e i shkova krejt afër dhe e pyeta se si ndjehej se fundja këto të kontrolleve e kanë për detyrë nji gja të tillë dhe në disa raste asht e veshtirë me marrë vesht kur kontrollojnë, se ku ua kerkon detyra e ku se nuk u pëlqen personi.

“Nuk e çaj fort trapin për to unë se mu më pëlqejnë të gjithë, vetëm në botë jo, nuk më duan se këndej jane ndryshe.“, me tha.

Unë qesha, miqësisht:

Nuk janë njerëz të këqij në botë, kërkojnë me të dhanë atë që meriton. Mu për shembull bashkija e Vjenës më ka dhanë nji stipendium për me vu në skene dramën-simfonike: TESTAMENTI I MARIN BARLETIT.

“E çfarë do të të thotë Stipendium?” më pyeti djali dhe zgurdulloi sytë.

Ja shpjegova se stipendium ishte nji shumë monetare që afrohej nga zyra e kulturës së bashkisë me të cilin shpërbleheshin disa nga veprat ma të mira në fushën e artit, të cilat zgjidheshin nga nji juri…

“Pse nuk i thua shqip, PARA, se pa para nuk ka QARE asnjifare…” nisi ai improvizimin.

Mbeta i shtangun nga ai shpërthim  që erdhi prej atij djaloshi aq te ndrojtun dhe e pyeta nëse merrte vesht nga kjo fushë.

“Para marr edhe unë gjithandeja, se neve kemi një shprehje që thotë: PA PARE NUK HYPË HOXHA NË MINARË!” ma ktheu ai shkurt e premë.

Kur hypem në avion u ulëm afër e meqë celularet kaluen në off-line i afrova muzikën që sapo kishte dalë e freskët nga orkestra e Vjenës.

“Ore çfarë është kjo muzikë se të dhëmbin veshët të ta dëgjosh?!”, ma ktheu ai plot sinqeritet.

Mbeta pa fjalë e nuk i fola ma se mendova që ka njerez në jetë të cilët janë matanë malit e sado që të mundohesh me i arritë e ke të pamujtun.

Kur zbritëm në Rinas, kontrolluem pasaportat në makinat moderne e dolëm jashtë me të shpejtë tuj dashtë me i ndejë sa ma lerg njeni tjetrit, si dy të huje që janë ndeshë rastëisht e nuk dojnë më pasë kurrë ma të bajnë me njeni tjetrin.

Në dalje kishte dalë turmë njerëzish dhe mbanin vetëm nji emen në dorë.

Ai, djali me piercing në gjuhë u ndal dhe i përshëndeti.

E gjith turma thirri emnin e tij e unë shtanga sikur të më kishin ra tana rrufete e alpeve mbi kry.

“Po ja nisim nji tallavasë!”, thërriste turma.

U ndal e i përshendeti si nji Star i muzikes Pop e nuk ua prishi e nisi me këndu:

Një të  dashur

që kisha patur

Ma zuri makina e mutit

Në fillim të gushtit…

Turma po këndonte së bashku me të si në nji ekstazë kolektive e unë kisha mbetë i ngrimë si grueja e Lotit.  

Dy përfaqsues të nji  bashkisë me shiritat në trup i dolën para me nji “Rover Range” dhe i hapen vend.

Ai hypi nën brohoritjet e më përshendeti me gisht të midisit e më nxori gjuhën me piercing.

Unë u turra te furgonat që po përvëloheshin nën diell e pata fat se gjeta ende nji vend bosh e u nisa nëpër rrugët e asfaltueme drejt vendlindjes e se si më rdhi ndërmendje Jozefi biblik që thoshtë se Hyjit nuk i pëlqen dukja, porse thelbi.

Rrugës më dukej se njerzit kishin grumbullu tanë plehun e këtyne 30 viteve dhe ai po digjej në heshtje e nën kët tym të tij ata mbushnin mushkënitë e merrshin frymë sikur të ishte nji opium i ri kombtar me emnin tallava.

Vjenë- Shkodër, gusht 2024

ObserverKult


Lexo edhe:

“TI KALON MBI LUMIN DRIN”, POEMË NGA GJERGJ JOZEF KOLA