Nga Angjelina Xhara Papalilo*
U rrënqetha kur mikja ime Veronika Cfarku, duke pirë kafen të nesërmen e premierës së filmit “Tashko&Koço, një love story shqiptare”, më tha: “Mendo Angjelina, se çfarë madhështie do të merrte kënga ‘Për ty Atdhe’ me zërin e Kristaqit.
Kisha dëgjuar se ishte bariton ekselent, por nuk e kisha ndeshur timbrin e zërit të tij”.
Unë nuk fola, vetëm e pashë me dashuri dhe hyra në valët e botës sime të padukshme… Kisha dëgjuar që kur isha fëmijë të flisnin në familjen time për Teftën e Kristaqin si të ishin të pranishëm, me shpirtin, portretin e veshjen e tyre.
Mami thoshte se Kristaqi mbante kapele republike, megjithëse ishte i ri, se kështu ishte moda e atyre që vinin nga jashtë. Të ngrinte në qiell kur fliste, sikur të ishte engjëll. Tefta strukej me dashuri pranë kraharorit të tij të gjerë dhe me sytë e saj të dashuruar humbnin në sytë e njëri-tjetrit. Gjyshi im ishte në bandën muzikore ushtarake në kohën e Zogut, si instrumentist i ardhur nga Amerika, në 1920, në Luftën e Vlorës.
Ai fliste veç për Selam Musanë dhe për Teftën e Kristaqin. Ai na tregonte se Tefta kishte lindur në Egjipt nga familja patriote e Tashkove. Nuk e kemi vetëm Kristaqin kushëri, por edhe Teftën, se është nga fisi i njohur i Ballaurëve.
Por babit i lotonin sytë ndërsa thoshte, çift i bukur, të lindur për njëri-tjetrin, por pa fat… ose me fat tragjik.
Ata ishin të dy, si çift engjëjsh! U rrita me këto kujtime dhe kur punoja në Kinostudio. U gëzova shumë kur u bë filmi për ta, për më tepër se Vllasova Musta me Marjanthi Xhakon, përdorën zërin tim, si spikere e Radio Tiranës, kur prezantoja rubrikën muzikore, “Këndon Tefta Tashko Koço”!
E vunë si titull të filmit të parë dokumentar për artisten e madhe, që u bë sinonim i rrezedritës të artit perëndimor, që lindi pikërisht në vitet ’30 të shekullit të kaluar, jo thjesht në muzikë, por në një frymëmarrje të plotë kulturore artistike dhe me një shpërthim të mendimit përparimtar në shtypin e lirë të asaj kohe.
Universitetin e mbarova me temën studimore, “Shtypi përparimtar i viteve ’30”. Udhëheqës kisha pedagogun e famshëm, Myzafer Xhaxhiun, i cili që në fillim më orientoi: “…Ndalu në mënyrë të veçantë tek Tefta Tashko Koço, ajo emancipoi gjithë shoqërinë shqiptare të kohës”.
Vajta në emigracion në Greqi dhe kur vinte puna e ballafaqimit mes të dy popujve, në mendje e në majë të gjuhës kisha shprehjen “keni ju grekët Maria Kalasë, me të cilën mburreni me të drejtë, por edhe ne kemi Tefta Tashko Koçon, që e kërkuan deri në Amerikë, por ajo zgjodhi vendin e saj, Shqipërinë.
Historitë e tyre janë paralele, në fatin tragjik… Vetëm zërin e saj si bilbil të dëgjoni, ariet e kompozitoreve italianë e francezë, do të habiteni…”. E kthyer në Shqipëri, më bie në dorë albumi i jashtëzakonshëm që ka krijuar i biri i artistëve, Eno Koço, për prindërit e tij.
U mahnita nga struktura, cilësia e fotografive, kujtimet… I shkruaj Enos në Londër dhe i them se kam mendimin se prindërit e tu, të dy bashkë, do të ngjallen më bukur me historinë e dashurisë së tyre në një film dokumentar, që do ta bëj me regjisorin e shquar të RTSH-së, Ylli Pepo.
Përgjigja e tij ishte mbështetëse, kështu filloi ravijëzimi i filmit të ardhshëm, me bashkëpunimin interesant me të rinj të talentuar, që u bënë një për gjetjen e fondeve dhe realizimin modern e dinamik të filmit.
Veçanërisht falënderoj dy producentët pasionantë të filmit, Lorina Pepo dhe Valentina Hysi, që siguruan mbështetjen e Ministrisë se Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës.
Por, nuk harroj edhe dy operatorët e talentuar të filmit Xhemal Reçi dhe Adi Grishaj, që me kamera dhe dron “ngjallen” bukuritë mahnitëse të Dardhës dhe të Boboshticës, dy fshatra me emër të madh për vlerat e personalitetet e shquara, që kanë nxjerrë në të gjitha fushat e jetës.
Po kështu, s’mund te harroj as Gjergji Panon, i cili me montazhin e post-produksionin e tij i dha jetë poetizmit e lirizmit të skenarit, veçanërisht fundit të filmit ku ngjallen emocione të mëdha (tek shumë sy kishte edhe lot) për fatin e hidhur të dy protagonistëve të mëdhenj, që u ndanë nga jeta në të njëjtën moshë, vetëm 37 vjeç! Natyrisht nuk mund të lë pa përmendur edhe aktorin e njohur Sokol Angjeli dhe sopranon e talentuar Ardita Meni, që “u dhanë zë” Kristaqit dhe Teftës në letërkëmbimin e tyre.
E, merita për tërë ketë ansambël profesionistësh, të zotë e të përkushtuar, i takon Ylli Pepos, që i zgjodhi me kujdes deri në hollësitë më të imta.
Sigurisht një ndihmë të madhe, veç Tiranës, kishim edhe në Korçë, si djepi ku u përkund për herë të parë talenti i Teftës, që fëmijë, kur së bashku me Jorgjie Filce Trujën kënduan në koncertin ku merrte pjesë Fan Noli.
Mbas një pune të gjatë 2- vjeçare filmi shfaqet, fillimisht tek Akademia e Shkencave, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Enos.
Filmi u ndoq me frymën e mbajtur pezull dhe u fol me superlativa për krijimin e një vepre të veçantë kinematografike, që mbushi një enigmë në historinë e dy figurave të shquara të artit tonë muzikor dhe jo vetëm.
Premiera përfundimisht u bë tek Muzeu Kombëtar, salla e shfaqjeve “UNESCO”, ku unë si autore kam qenë e prezantuar disa herë, pa harruar premierat në Arkivin Shtetëror të Filmit, në Teatrin Kombëtar apo në “Millenium”. Yllin e pashë tepër modest, sa nuk donte të dilte as në skenë për t’u prezantuar.
Dhe vërtetë, në rastin e një filmi të tillë, ku protagoniste ishin të paharruarit, dy artistët e mëdhenj, engjëj, Tashko & Koço, rutina e zakonshme zbehet sepse nga ekrani hyjmë me heshtje të thellë nderimi në tregimin e jetës së tyre, me fjalë shpirtërore, të shpalosur aq dhimbshëm e bukur, në një letërkëmbim dashuror të jashtëzakonshëm, që tregon për një ‘love story’ vërtetë shqiptare!
Këto letra dashurie, të shkruara edhe me dorën e artistëve në bukurshkrimin e gjuhës më të bukur në botë, shqipes, kthehen në një lëndinë dashurie të pavdekshme.
Tefta e Kristaqi erdhën si dy zogj shpëtimtarë në qiellin e kulturës dhe muzikës shqiptare të viteve ’30-’40, duke i ngritur zemrat e të gjithëve me interpretimet e tyre brilante nga Verdi, Bethoven, Bize, Vivaldi deri tek ngritja e muzikës popullore shqiptare në majat e muzikës se qytetëruar shqiptare.
Prof.Pandi Bello, që ka shkruar librin më të bukur për Teftën thotë me bindje se ajo është fenomen shoqëror… botë më vete.
Ndërsa Eno mes tregimeve befasuese për historinë e dashurisë së tyre thotë në intervistë se ata ishin dy botë që u bashkuan e u dashuruan mes tyre dhe me artin e tyre! Filmi me një regji profesionale perfekte nga mjeshtri Ylli Pepo sjell në ekran gjithë atmosferën ku lindi dhe arriti kulmin dashuria e tyre, si diçka që xhelozoi vetë engjëjt, që i morën ata pranë vetes në moshë të re.
Filmi e “qëndis” dashurinë e tyre përmes episodeve, që i merr me vete, edhe mbasi del nga salla. Intervistat e bashkëkohësve… larg dhe afër janë çaste emocionuese të një vlerësimi e adhurimi të përjetshëm.
Koncertet e tyre, afishet, emrat që parakalojnë në sytë tanë, fotografitë të bëra nga mjeshtrit korçarë e shkodranë, shtypi i kohës me një analizë kritike të beftë, të paparë e furnizojnë shpirtërisht shikuesin me fakte emocionuese, që nuk harrohen kollaj. Ky është një dokumentar, që rreshton faktet dhe emocionet, duke i kthyer në amalgamë mendimi, se arti shqiptar u ngjiz nga talente kalibri të njohur edhe në botë, Paris, Londër, Romë, Kalabri, deri në Beograd… Dhe të mos harrojmë vitet e vështira kur jetuan protagonistët e artit, Tashko & Koço… Tefta një vit para pushtimit italian jep koncerte në qytetet kryesore të Shqipërisë, ku mori edhe sëmundjen, që e largoi aq shpejt nga ne, ndërsa Kristaqi në këtë kohë, ndërsa vazhdonte studimet në Milano, jepte koncerte në Romë e Kalabri.
I njohim nga afër artistët e mëdhenj, në gjithçka të shtrenjtë që na dhuruan me artin e tyre, në disqet që rrëmbyen e rrëmbejnë zemrat e të gjithë shqiptarëve në botë. Dëgjojmë letra ku përshkruhen marrëdhënie të veçanta të Tashkos dhe Koços, me kolegë të tyre këngëtarë, kompozitorë, poetë, shkrimtarë të kohës, me të afërm, miq e dashamirës të artit.
Dokumentari fillon me fjalët proverbiale që shkruan Tefta në ekran për të zgjedhurin e zemrës së saj, Kristaqin..”
Ti për mua je një botë e tërë!”. Pas kësaj, dëgjojmë menjëherë zërin e shoqërueses të saj në piano dhe mikes, Lola Gjoka. Copëza shpirti që flasin me komunikim shpirtëror të thellë mes tyre. Sa vërtetësi dhe dhimbje bashkë mban ky film! Nga likoja që i serviret çiftit të fejuar në Dardhë, nga durrsaku që do dhurojë pianon e tij, intervistat e mrekullueshme që plotësojnë njëra-tjetrën dhe yllëzojnë veprën e artistëve të pavdekshëm.
Tregimi emocional i vetë Enos është shtyllë vertebrore e filmit, ai sikur lindi për të ngjallur përsëdyti këtë çift të jashtëzakonshëm artistësh, që tronditi të madh e të vogël në Shqipërinë e viteve ’30-’40.
Që në librin e parë të botuar prej tij janë të vendosura letrat e paharruara të dashurisë mes prindërve të tij. Veç albumit dhe librat si studiues muzikolog, ai ka botuar edhe tekstet e këngëve popullore, me bukurshkrimin e të dy protagonistëve.
Ka material të mrekullueshëm edhe në bashkëpunimin me kompozitorë dhe shkrimtarë e poetë.
Filmi vjen me një ngritje të theksuar të tregimit të thellë emocional, sidomos me kujtimet e dëshmitarit të kohës, studiuesit Sokrat Saraçit dhe znj. Mynever Shuteriqi, sot 99 vjeç.
Sikur të rronte çifti në kohët tona, do të kishte erudicion e z. Shuteriqi, që me gjithë moshën e shtyrë në vite, na sjell emocione të jashtëzakonshme me ato që thotë për Teftën, të kthyer nga Beogradi, ku në 1947-ën dha koncertin e saj të fundit. Sekret, për ta parë filmin…
Mbyllja e filmit nga tragjedi e çiftit, kthehet në një triumf të jetës, me familjen e madhe artistike të krijuar nga Eno, violinist e dirigjent, së bashku me Rajmondën, bashkëshorten e tij, violiniste, që lindën dy fëmijë, qe u bënë edhe ata artistë, Gentin violinist virtuoz dhe Teutën, këngëtare e talentuar, që të kujton Teftën duke interpretuar, (ndërsa dalin titrat e filmit) këngën për Tiranën, ku teksti, shkruar gati 90 vjet më parë, duket sikur është bërë sot.
Ja disa vargje të tij: “…Unë jam qytet shumë i bukur/ Dhe nga të tjerët më i lumtur./ Kush më pyet, i jap përgjigje/ Unë jam Tirana, brigje-brigje…/ Shqiptarë e të huaj,/ venë e vijnë/ Lëvizje e madhe…/ Dalin dhe hyjnë/ Automobila poshtë e lart /S’kanë pushim as ditë, as natë/.
Ja ky është vizioni i artistëve të mëdhenj. Ky vizion që shpaloset mbas 100 vjetësh, po vjen… Ndërsa nga letërkëmbimi dashuror, Kristaqi i shkruan Teftës mes të tjerave edhe për Tiranën: “Më ka marrë malli shumë edhe për Tiranën, që kur jemi aty e shajmë, por kur jemi jashtë, përgjërohemi për të…”. Tefta dhe Kristaqi erdhën dhe ikën si dy meteorë në qiellin e artit shqiptar…
*Skenariste e filmit
/panorama.com/ ObserverKult
Lexo edhe:
W.H.AUDEN: OH, MA THONI TË VËRTETËN RRETH DASHURISË
Oh, ma thoni të vërtetën rreth dashurisë, poezi nga Wystan Hugh Auden
Disa thonë se dashuria është si fëmijë,
të tjerë thonë se me një zog ngjan ajo,
disa thonë se botën rrotull e sjell,
të tjerë thonë absurde është kjo,
e kur e pyeta fqinjin që ngjitur meje banon,
që dukej se dashurinë e kishte provuar,
gruaja e tij shtrembër pa,
e tha se s’kishte asgjë për të treguar.
A mos me një palë pizhama përngjan,
apo me proshutën që në bar varur qëndron?
A mos era e saj të kujton një lamë,
apo më këndshëm erëmon?
Nëse e prek, si një gjemb, a të shpon ajo,
apo si puplat, i ngjan butësisë?
Cepat i ka të mprehta, të lëmuara, apo jo?
Oh, ma thoni të vërtetën rreth dashurisë.
Librat tanë të historisë flasin për të,
me kode të fshehura kudo,
por temë e zakonshme është tashmë
në anijet transatlantike, e ngado;
E kam shikuar të përmendet jo rrallë
në shpallje që për vetëvrasje njoftojnë.
Madje, të shkarravitur e kam parë
në fletët që oraret e trenave lajmërojnë.
A ulërin si një pastor i zemëruar gjerman,
apo si një bandë ushtarake shpërthen ajo?
Dikush ritmin dot a ia mban
me një sharrë, piano, apo çkado?
Në festa kënga e saj si zhurmë kumbon?
Apo gjithçka klasike preferon?
A ndalet kur dikush ia ndien nevojën qetësisë?
Oh, ma thoni të vërtetën rreth dashurisë.
Pashë brenda shtëpizave verore;
aty s’kishte qenë kurrsesi:
Në lumin Thames se mos e gjej provoj,
apo në brigjet Brighton plot ftohtësi.
Nuk e di zogu i zi ç’kënge ia tha,
as tulipani s’di çka foli, s’e kujtoj.
Por as në kotec nuk e gjeta, pra,
as poshtë krevatit s’munda ta takoj.
Mimikën dot a e ndryshon?
A i merren mendtë kur në kolovajzë e vënë?
Gjithë kohës në garë shkon,
apo tërheq tela që në harresë janë lënë?
A ka ndonjë mendim të vetin mbi temën para?
A është patriote, a i beson besnikërisë?
Historitë e saj janë vulgare, apo në to zbavitje ka?
Oh, ma thoni të vërtetën rreth dashurisë.
Kur të vijë, a thua do të vijë atëherë kur s’e pres,
pikërisht kur mendjen fare mos ta kem?
A do të trokasë në derën time në mëngjes,
apo këmbën do të ma shkelë kur në autobus të jem?
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
MAHMOUD DARWISH: AJO NUK ERDHI… AS NUK DO TË VIJË…
Ajo nuk erdhi dhe me vete thashë:
As nuk erdhi, as nuk do të vijë.
Mbrëmjen e sajova sipas zhgënjimit tim
dhe mungesës së saj.
Fika qirinjtë e saj,
ndeza dritën,
piva gotën e saj të verës, pastaj e theva,
dhe ndërrova muzikën ritmike të violinave,
me këngë perse.
I thashë: Nuk do të vish.
prandaj, do ta heq kollaren
elegante. Kështu ndihem më rehat.
Do të vesh pizhamet blu
dhe do vardallosem zbathur.
Nëse dëshiron, mund të ulem dhe këmbëkryq
mbi divan, e të të harroj
madje të harroj gjithçka që ka të bëjë me mungesën.
I ktheva gjërat që kisha përgatitur për festën tonë brenda në sirtarë dhe hapa të gjitha dritaret e perdet.
Trupi im s’ka asnjë sekret përballë natës
përveç asaj që prisja dhe e humba…
Qesha me maninë time për të pastruar ajrin për hir të saj
e kisha parfumosur me ujë trëndafili dhe limoni
Nuk do të vijë…do ta zhvendos dhe orkidean
nga ana e djathtë në të majtë
që ta ndëshkoj për harresën…
Mbulova pasqyrën mbi mur me pallton time që të mos shoh
shkëlqimin e imazhit të saj… e të pendohem.
Thashë me vete: Do t’i harroj dhe citimet e thëna për të
ato të gazelit të vjetër,
sepse nuk meriton
as dhe një poezi, qoftë dhe të vjedhur …
E harrova, pastaj ushqimin e përgatitur
e hëngra në këmbë.
Lexova një kapitull nga një libër shkollor
rreth planetëve të largët
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult