Nga: Nikollaj Gumilov
Vërtet, o hirëplote inatçore,
Të shenjtën fjalë “mik” ti e përçmon?
Në trupin tënd, si hënëz argjendore,
Veç prekje duarsh femre dëshiron
Dhe buzë gjithë et e turp njëherësh,
Dhe sy që nuk kërkojnë? …Gjer tani,
Ndër ëndërrat e vagëta s’ke ndjerë
Ndonjë të qeshur foshnje vallë ti?
Zjarr Prometeu, dashuri’ e burrit
Kërkon e jep me drithmërimn’ e vet;
Tek dallgë zemra ngre prej tij a tkurret,
Porsi kaçubë e kuqe digjet, flet…
Të dua! Lëri ëndrrat! –Ajo ngriti
Qepallat paksa dridhshëm e në çast,
Dëgjova lirën befas tek kërciti
Dhe klithmën gjëmë të një shkabe pas!
Me flatrat pezull mbi të bardhën kreshtë,
Shkab’ e Safosë u shfaq plot madhështi…
Dhe bukuri e Lezbosit plot vreshta
Kyç buzët, që shpërfillin perëndi.
Përktheu: Jorgo Bllaci