Të jesh fëmijë në luftë

(Dafina Buçinca “Fëmijë në luftë” roman, Artini, Prishtinë, 2021)

Nga Gëzim Aliu

Okupimi dhe pastaj lufta në Kosovë u kanë shkaktuar shumë vuajtje shqiptarëve, sidomos fëmijëve. Romani me titullin domethënës, “Fëmijë në luftë” i Dafina Buçincës është roman autobiografik, roman-dëshmi për përjetimet e një fëmije në luftë. Është dëshmi tronditëse për jetën e një fëmije, të një familjeje, të popullit, të vendit në tërësi. Edhe rrëfimi ka këtë shkallëzim: rrëfim për fëmijërinë, familjen, prindërit, motrat, vëllezërit, jo në gjendje normale, siç do të duhej të ishte një fëmijëri, familje, popull, vend, por në gjendje lufte. 

Romani ka Prologun, tri pjesë, përbërë nga shumë kapituj dhe në fund tekstin e titulluar “Pritje”, që luan funksionin e epilogut. Prologu ndërtohet përmes bisedës mes autores dhe të birit të saj, Noarit, që kërkon të dijë se çka është lufta. Fatmirësisht, ai nuk e di çka është lufta. Por, e di e ëma e tij. Atë natë, Dafina Buçinca nuk ia rrëfen Noarit përjetimet e kujtimet e luftës. I lë dëshmi për të, që, kur të rritet, t’i lexojë dhe në këtë mënyrë edhe për lexuesit.

Secila nga tri pjesët e romanit përbëhet nga kapituj që mbajnë brenda nga një ose dy ngjarje të përjetuara drejtpërdrejt, të rrëfyera nga personazhi kryesor, Dafina, mbështetur në kujtesën e saj të fuqishme. Rrëfehen po ashtu edhe ngjarje që lidhen me historinë e tërësishme të luftës në Kosovë. Të rrëfyerit është i shtruar në mënyrë kronologjike, por, natyrisht, thurur përmes temporalitetit letrar, përndryshe ngjarjet e rrëfyera, autorja nuk do të arrinte t’i përmblidhte në vetëm një vëllim. Aftësia e saj për të shkëputur atë që është më e rëndësishme dhe që lidhet me luftën, e bën kronologjinë jo vetëm të durueshme, por edhe tërheqëse.  

Secila ngjarje e rrëfyer na jepet përmes ndërgjegjes së Dafinës së vogël, por Dafina e rritur e bën të qartë se të rrëfyerit e ndërton nga pozita-tash, dy dekada pasi ka përfunduar lufta, ashtu siç paralajmërohet në Prolog. Pra, nuk kemi deaktivizim të tërësishëm të ndërgjegjes së autores, por kemi motivim të plotë të mënyrës së tillë të të rrëfyerit. Kështu, rrëfimi i ngjarjeve mbështetet në kujtesën që gërmohet thellësisht, prandaj hollësitë janë shenjë dalluese e tyre. Ngjarjet janë të vërteta dhe të rrëfyerit për to duke përdorur teknika letrare, sigurisht që është i vështirë, por Dafina ia del. Ajo thjesht të përfshin në ngjarjet e rrëfyera.  

Në pjesën e parë që rrokë një periudhë të gjatë, nga viti 1987 e deri në dhjetor 1997, autorja, që është pra edhe rrëfimtarja e këtij romani, rrëfimin e fillon për veten, në kapitullin e titulluar “Unë”, duke paralajmëruar kështu edhe pikëshikimin, edhe përfshirjen e thellë në botën e rrëfyer përmes përjetimit, mendimit, ëndrrave, dëshirave, përsiatjeve. Dafina e rritur e ka tashmë të qartë se Dafina e vogël, ajo vajza e hajthme e luftës, ishte një fëmijë më ndryshe se të tjerët. Derisa shoqet e shokët e saj përpiqen që në atë varfëri, të kënaqen me ndonjë lodër a lojë, ajo kënaqet me libra. Derisa shoqet e shokët e saj nuk mendojnë shumë për gjendjen ku ishin, Dafinën e mundon shumë ajo gjendje. Pra, ajo e di që fëmijëria e tyre nuk do të duhej të ishte e tillë. Kështu, ik nga realiteti i zymtë duke u zhytur në libra. Por, jo në libra për fëmijë, sepse të tillë nuk ka në shtëpi, por në libra për të rritur, për shembull, në romanin “Zonja Bovari” të Floberit, që nuk e kupton në tërësi, por që te ajo nxit ndjenja, dëshira, madje ambicie për t’u bërë shkrimtare. Shihet që Dafina Buçinca ia ka parë ‘sherrin’ Gustav Floberit. Edhe nëse e shikojmë raportin e saj me dashurinë, që e huton, e vërejmë se ajo disi është më ‘e pjekur’ se moshataret e saj. Rrëfimet për simpatitë e saj, janë ndër pjesët më të bukura të romanit, që në të vërtetë e lehtësojnë pakës atmosferën e rëndë që e përshkon këtë roman nga fillimi deri në fund, siç e lehtësojnë edhe rrëfimet për karaktere të ndryshme, për shembull për bashkëfshatarin që shkon me veturë për të marrë ndihma humanitare, shitësin makut që nuk i intereson gjë tjetër pos fitimit, çiftin në moshë të mesme që bëjnë dashuri edhe në tendën në mal, pa u merakosur fort për të tjerët e pranishëm aty, por edhe për Yllin, djaloshin dashamirës që i del në ndihmë Dafinës së përzënë nga shtëpia e fshati, të cilën nxënësit e tjerë të klasës në një shkollë të Prishtinës e trajtojnë keq.

Mirëpo, atmosfera e rëndë e mbizotëron romanin, meqë çdo gjë që rrëfehet, lidhet me titullin, me gjendjen: fëmijë në luftë. Okupimi shkakton përjashtimin e babait të saj nga puna, si rrjedhojë, sjell varfërinë. Ballafaqimi me mungesat nganjëherë pothuajse totale, rrëfehet pa asnjë kompleks. Dafina na e përkujton të gjithëve që e kemi jetuar atë periudhë se ishim të varfër dhe nuk duhet harruar sot këtë. Nuk duhet harruar, sepse, shkaku i okupimit e luftës, ende në Kosovë ka shumë të varfër. Për shumë fëmijë të sotëm, fëmijë në liri, lufta e prindërve të tyre kundër armikut ka përfunduar, por lufta ndaj varfërisë nuk ka përfundur. Dhe, kjo luftë, ato e ata do t’i lërë përjetë me pasoja. Bamirësia nuk i zgjidh problemet e tyre, por krijimi i mundësive për t’u bërë të pavarur, për të bërë jetë me dinjitet, ashtu që edhe e kaluara e prindërve të tyre të përkujtohet e të mos harrohet shkaku i gjendjes së sotme të vështirë jetësore. Popujt që e lejojnë varfërinë t’i mundë, lejojnë edhe harresën t’ua fshijë kujtesën.  

Varfërimi i përgjithshëm i shqiptarëve gjatë okupimit do të përcillej me dhunë të vazhdueshme. Dafina e ndien kudo këtë dhunë. Në shkollë, në rrugë, në oborr, në shtëpi, te fqinjët, në fytyrën e Babës, që mplaket para kohe, në sytë e mërzitur të Nanës, por e cila nuk dorëzohet kurrë dhe me atë pak harç që ka, ua shtron sofrën fëmijëve. Nana është personazhi më i dashur i këtij romani, ndonëse Baba është në qendër. Dafina edhe ua kushton këtyre të dyve romanin e saj të parë. Nana, për Dafinën, është shembulli i njeriut të mirë, që motivim thelbësor ka rritjen, edukimin dhe përkujdesjen për fëmijët. Nana e saj është në të vërtetë simbol i nënës shqiptare, që flijohet tërësisht për familjen. Nana e saj shndërrohet edhe në të zotin e shtëpisë, kur detyrohen të ikin nga shtëpia, edhe herën e parë, në Sllatinë, edhe herën e dytë, në Prishtinë, te një familjare, ku Dafina përditë del te porta e oborrit, te një gur dhe e pret të atin, që ka vendosur të qëndrojë në shtëpi, në fshatin e tyre të vogël, Zabelin e Ulët të Drenicës.

Dafina Buçinca, me aftësinë e saj për të parë gjërat në tërësinë e tyre, përveç rrëfimit me dashuri e mall për babanë e vet, paraqet edhe anë të tjera të tij, duke e ndërtuar kështu karakterin e një njeriu në plotëni. I ati i saj ishte veprimtar, i angazhuar për çështjen kombëtare, njeri që ndihmonte të tjerët shumë, nganjëherë duke e lënë edhe familjen keq. Nuk mjaftonte vetëm varfëria, vetëm dhuna e pushtuesit, por Dafinës i mungonte babai, i mungonte vëmendja e tij, aq e nevojshme për një fëmijë të vogël. Dafina e rritur tashmë e arsyeton, por, si e vogël, inatosej me të, sepse ai, dhomën e pritjes e kishte plot burra të dëgjuar, që flisnin për situatën e bënin plane për të ardhmen e kombit, por, nuk i binte ndërmend për të. Është e kuptueshme edhe ‘harresa’ e të atit, edhe dëshira për vëmendje e të bijës. Dafina arrin që ta rrëfejë me zhdërvjelltësi raportin e ndërlikuar me të atin e vet.

Derisa pjesa e parë e romanit përfshin një periudhë të gjatë kohore, në pjesën e dytë dhe të tretë, koha referenciale ngjeshet dhe në një varg kapitujsh rrëfehet për vitin 1998 dhe gjysmë vitin 1999. Por, derisa koha referenciale ngjeshet, koha narrative mbetet e njëjtë, e mbushur plot hollësi, rrëfim e kohëpaskohe edhe përshkrim. Frika nga vdekja është motiv që e përshkon romanin anë e përtej. Vdekja për Dafinën fëmijë ka fytyrë dhe qeniet e gjalla janë ushqimi i saj. Tmerrin e fytyrës së vdekjes e sheh në një video që e lëshon një kushërirë e saj, incizim i varrimit të të vrarëve të Likoshanit e Qirezit. Një fëmijë që sheh pamje të tilla lemeriset. Fytyra e vdekjes do ta kërcënojë Dafinën vazhdimisht, siç ndodh kur ajo ‘ballafaqohet’ me tanket e ushtrisë serbe, teksa është duke e pritur motrën para shitores së vetme të fshatit. Autorja, përmes kësaj ngjarjeje, përveç rrëfimit për tmerrin e përjetuar, vë në pah edhe qyqarllëkun e një ushtrie që drejton tytat e tankeve në fytyrat e fëmijëve të pambrojtur. Një ushtri e tillë ia mësyn edhe shkollës së Dafinës me tanke e me ushtarë që futen brenda dhe rrahin mësuesit. Ndërkaq, në pjesën e tretë (gjysmë viti 1999), ndër shumë ngjarje të tjera, rrëfehet edhe për masakrën e Reçakut. Të rrëfyerit për masakrën që ktheu sytë e botës drejt nesh e pastaj edhe ndihmën për t’u çliruar, Dafina e bën në një formë të veçantë. Ajo e merr gazetën “Koha Ditore” që e sjell i vëllai në shtëpi dhe sheh pamjet e lemerishme të trupave të vrarë e të prerë, pa koka e pa gjymtyrë. Për mendjen e një fëmije është diçka që nuk mund të përpunohet, nuk mund të pranohet, diçka që e trondit, e traumatizon. Sidomos pamja një djali të vrarë, moshatar me të. Një ngjarje tjetër, tronditëse e tmerruese, që i ka mbetur Dafinës në kujtesë, e pashlyer përjetë, është dhunimi i një vajze shqiptare nga dy ushtarë serbë. Rrëfimi i kësaj ngjarjeje nga Dafina do të mbetet i pashlyer edhe në kujtesën e lexuesit.

Të jesh fëmijë në luftë! Më kurrë nuk do të kesh fëmijëri! Për fëmijërinë e humbur, të shkatërruar nga lufta, rrëfen Dafina Buçinca, qartë, rrjedhshëm, brutalisht. Lexuesi do të përfshihet në rrëfim e do të rrëqethet, do të mllefoset e do të qajë, por edhe do të do të jetë krenar me shpirtin e një fëmije, pjesë e një familjeje, e një populli që gjen forcë brenda vetes për ta dashur jetën e lirinë e për ta mundur vdekjen e robërinë!

Bota e rrëfyer në romanin e Dafina Buçincës është aq e vërtetë! E frikshme, e tmerrshme, njëkohësisht e rrëfyer bukur!  

LEXO EDHE: Botohet romani “Fëmijë në luftë” i Dafina Buçincës