Teatri Eksperimental çel sezonin, Kiço Londo: Shumë shpejt, me shfaqje edhe në sallë

Kiço Londo

Përpos pandemisë COVID 19, regjisori Kiço Londo nuk ka ndalur së qeni pranë publikut me shfaqje në mbarë vendin. Teksa rrëfen rikthimin me “Jul Çezarin” në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve, shprehet se është duke punuar që të bëhen shfaqje edhe brenda në sallë.

Ndonëse, humbjet financiare në sektorin e artit janë rreth 90 për qind për shkak të COVID 19, krahasuar më një vit më parë, humbjet më të mëdha në kulturë, për të cilat s’do të ketë asnjë ‘matës’ do të ndihen në të ardhmen. Megjithatë, drejtori i Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, Kiço Londo, ka gjetur alternativa, që prej muajit korrik, për të qenë pranë publikut, sikundër do të bëjë edhe në datë 10 shtator në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve dhe në rrethe.

“Do jemi në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve fillimisht. Edhe do të udhëtojmë në Durrës, Fier, Kukës, Rrëshen dhe Pukë. Është një sforco, por kjo përkon edhe me politikën e teatrit për të qenë pranë publikut”.

Edhe pse në këto gjashtë muaj nuk është prezantuar asnjë strategji afatgjatë nga institucionet e kulturës, Londo shprehet optimist dhe flet për punën që po bën për t’u rikthyer me shfaqje edhe në sallën e Arturinës.

“Ne jemi një teatër që lëvizim vazhdimisht, por unë mendoj se shumë shpejt do të jemi gati që të kryejmë shfaqje të reja në sallë, për fëmijë edhe adoleshent”, thotë Londo.

Ndërsa, Teatri Kombëtar i Shqipërisë nuk ka bërë asgjë publike për këtë sezon. Artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit janë rikthyer në institucion fizikisht, pa e pasur ende të qartë, nëse do të vijojnë me shfaqje online apo do të punojnë për të qenë pranë artdashësve në hapësirat publike. E megjithatë, edhe Teatri i Metropolit çel sezonin në datë 11 shtator me shfaqjen “5 ditë mbret” të Stefan Çapalikut në tarracën e Pallatit të Kulturës./reporttv