Teatri i Gjilanit e zgjidhi problemin 20-vjeçar të pavarësimit dhe buxhetimit shtetëror

Pritjes për zgjidhjen e statusit të Teatrit të Qytetit të Gjilanit, me problemet që kishin në aspektin financiar dhe ligjor për aktorët dhe trupën e këtij institucioni i erdhi fundi, sepse sot janë nënshkruar kontratat e aktorëve dhe stafit teknik dhe kështu është bërë pavarësimi i institucionit kryesor të kulturës në komunë.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka uruar për këtë hap të rëndësishëm.

“Kujtoj momentin sa isha 29 vjeç në udhëheqje të Gjilanit, kur pas ballafaqimit me protestën e parë për lirimin e të burgosurve politikë, menjëherë filloi greva e aktorëve për zgjidhjen e problemit të tyre të pagave dhe të statusit të Teatrit të Gjilanit, si institucion dhe e drejtë e tyre, por e zvarritur në vazhdimësi. Tash jemi 20 vjet më vonë kur ky problem po zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Komuna e Gjilanit gjithmonë do të jetë në mbështetje të aktiviteteve dhe zhvillimit të kulturës”, ka deklaruar kryetari Haziri.

Ai ka potencuar se burokracia në nivelin qendror për zgjidhjen e këtij problemi kë bërë që për dy dekada kjo barrë e ballafaqimit t’i lihet Komunës, e cila ishte edhe ashtu me limite e kufizime të mëdha buxhetore.

“Sfida ka qenë e përbashkët për dy dekada, e posaçërisht pas vitit 2007, mirëpo me angazhim maksimal, me rrugë ligjore dhe zyrtare ky problem tashmë është zgjidhur bashkërisht. Tani i mbetet menaxhmentit të Teatrit dhe aktorëve që ta zhvillojnë kulturën dhe ta dëshmojnë angazhimin e përbashkët në rrugën përparë”, tha kryetari Haziri, transmeton ‘koha.net’.

Lutfi Haziri, mes tjerash ka thënë se po punon që objekti i Teatrit të jetë vetëm për këtë institucion, ku tashmë është larguar nga aty biblioteka e qytetit “Fan S. Noli”, biblioteka e fëmijëve dhe do ta largojmë edhe administratën, sepse kjo hapësirë duhet për aktivitete të Teatrit dhe të aktorëve.

Ndërsa nga ana e tij Erson Zymberi, drejtor i Teatrit, ka falënderuar kryetarin Haziri për angazhimin e tij në zgjidhjen e statusit dhe njëkohësisht për mbështetjen e madhe që ka dhënë në mbajtjen gjallë të kulturës, përmes mbështetjes së vazhdueshme financiare në të gjitha aspektet.

Ai më tej ka konfirmuar se Gjilani tashmë do të ketë kalendarin e qartë të punës që do të bëhet me një ekipë elite të aktorëve dhe stafit në përgjithësi, për ta mbajtur publikun aktiv sikur dikur me shfaqje e projekte të cilat do ta dëshmojnë për gjallërinë kulturore të kryeqendrës së kulturës kombëtare, transmeton ‘koha.net’.

Ndërsa, Naser Zymberi, kryetar i sindikatës dhe Sabedin Shahiqi, kryetar i Bordit, kanë falënderuar kryetarin për punën që ka bërë që sot Teatri i Qytetit të jetë një institucion i pavarur, me aktorë e staf të kompletuar, duke konfirmuar se Gjilani tashmë ka një fuqi zyrtare të zhvillimit të projekteve kulturore.