Teodor Keko: E shtunë ish kur vdiq dashuria…

teodor keko
Teodor Keko (1958–2002)

E shtunë ishte kur vdiq dashuria.

Sapo e kishte nënshkruar Perandori
dekretin: E DJELA për skllevërit pushim!

Dashuria pushoi. U majm’. Pa ëndrra,
të hënën mallkoi e u ngrit me përtim.

E shtunë ish kur vdiq dashuria.

*Titulli i origjinalit: “Vdekja e dashurisë”

ObserverKult


Lexo edhe:

TEODOR KEKO: PSE NUK ERDHE?

Pse nuk erdhe? – e pyeta, ndërkohë që zhyti lugën prej plastmasi të kuq në kupën e bardhë të akullores.

Ne u ulëm në lokalin ajror me tarracë të gjerë të Pallatit të Madh të Kulturës, prej ku kundroje një copë Tiranë të murrme, të hirtë e jeshile e mal pa ngjyrë tamam, dhe unë mendova të merrja një konjak “Skënderbeu”, por ktheva mendje në minutën e fundit, pak i penduar nga ajo dreq vape, pak se nuk desha të eksitohesha edhe më, e më shumë se mos konjaku ishte i përzier me ujë.

Mërzia kapërdihet, kur nuk shoqërohet nga dhembja e kokës. Bashkë me të, zoti të ruajtë!

Porosita edhe unë akullore, por ishte aq e ngrirë, sa m’u desh ta përsëritja mot a mo, si plagjat, gjestin e Anisës, që e shkrinte paksa atë masë jo ftohëse, por mpirëse, duke e copëtuar pareshtur me majën e lugës, a thua po ndiqte taktikën e njohur të Skënderbeut me ata shkopinjtë që thyheshin lehtas fare veç e veç.

Kushedi edhe unë mund të filozofoja për madhështinë e taktikave skënderbejane, që i hynin në punë edhe mbrojtësve të atdheut, edhe shkrirësve të akullores, po rreth atij çasti m’u ngulit në kokë edhe një krahasim tjetër i copëtimeve të Anisës, se si dreqin arrita e mendova turbull “si fytyra e atij djalit që më njohu përfundimisht me Anin”, dhe u drodha e i harrova të gjitha prej konstatimit se unë isha një qenie, që mund të majmesha shpirtërisht e fizikisht vetëm nga vdekja.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult