Fragmenti i bukur për babanë nga Fabio Volo

Fabio Bonetti (Fabio Volo) ka lindur në Kalçinate të Bergamos, Itali, më 23 qershor 1972. Është shkrimtar dhe drejtues emisionesh radiofonike dhe televizive.

Librat e tij janë përkthyer në shumë vende të botës. Në shqip janë botuar romanet “Edhe një ditë më shumë”, “Një vend në botë” dhe “Koha që do të doja”.

Fabio Volo

Në vazhdim mund ta lexoni një shkrim të tij të shkruar për babanë:

Nga Fabio Volo

Babai im gjithmonë më ka ikur, dhe akoma sot është kështu. Më parë e merrte tutje puna, tani dalëngadalë po ma merr koha, një kundërshtare me të cilën nuk mund të krahasohem, me të cilën nuk mund të konkuroj. Për këtë, tani, jetoj të njëjtën ndjesi pamundësie që përjetoja fëmijë.

Sidomos në vitet e fundit, çdo herë që e shoh e kuptoj që është gjithmonë e më shumë i plakur. Dhe ngadalë, ditë pas dite, e ndiej se më rrëshket nga duart. Dhe tashmë nuk më mbetet gjë tjetër vetëm të shtrëngoj fort majat e gishtave të tij.

Në moshën tridhjetë e shtatëvjeçare, duke e parë këtë burrë të palindur kurrë, më vjen në mendje fraza që Marlon Brando e kishte ngjitur në dhomë: ”Nuk je duke jetuar nëse nuk e di që po jeton”.

Akoma sot pyes veten çfarë mund të bëj për të. Edhe pse sot e shoh të brishtë, të pambrojtur, të plakur, edhe pse tashmë dukem më i fortë se ai, në realitet e di që nuk është kështu. Është gjithmonë më i fortë se unë.

Gjithmonë ka qenë. Sepse atij i mjafton një fjalë që të më lëndojë. Përkundrazi, edhe më pak se aq: një fjalë e pathënë, një heshtje, një frikë. Një shikim i hedhur mënjanë, unë mund të çirrem e te shkundem për orë. Të kaloj në të shara, ndërsa atij për të më shtrirë në tokë i mjafton një shtrembërim, i bërë me cepin e buzës .

Nëse në jetën prej të rrituri ai ka qenë dhimbja e barkut tim, si fëmijë ishte përdredhja ime e qafës. Sepse bëja gjithmonë çdo gjë me kokën e kthyer nga ai, drejt një shikimi të tij, një fjale të tij, një përgjigjeje të thjeshtë.

Por reagimi i tij ishte me nxitim: një krehje e shkurtër flokësh, një kapje e lehtë faqeje, vizatimi që kisha bërë për të, që e vendoste shpejt në faqe të dollapit. Nuk mund të më jepte asgjë më shumë, sepse jo vetëm babai im nuk i ka kuptuar ndonjëherë dhimbjet e mia, nevojat e mia dhe dëshirat e mia, por nuk ka kuptuar as të vetat.

Nuk ka qenë kurrë i mësuar të shprehë ndjenjat, t’i marrë në konsideratë. Për këtë them që nuk ka jetuar vërtet ndonjëherë. Sepse është shmangur mënjanë.

Mbase për këtë arsye edhe unë me trashësi nuk e kam parë kurrë si një njeri që mund të kishte dëshira, frikëra, ëndrra. Përkundrazi, jam rritur pa menduar që ishte një person: ishte thjesht babai im, sikur ky fakt ta përjashtonte se ishte si gjithë të tjerët. Vetëm duke u bërë i madh dhe duke harruar për një çast. Që isha biri i tij kuptova si është realisht, dhe e njoha.

Do të kisha dashur të isha i madh qysh në vegjëli për të folur me të si burri me burrin. Kështu mbase do të kishim mundur të gjenim një zgjidhje për problemet tona, një rrugë të ndryshme për ta përshkuar së bashku.

Ndërsa, tani që kam kuptuar shumë gjëra mbi të, kam ndjesinë që kam arritur vonë. Që kam pak kohë.

Tani, ndërsa e vështroj, kam sigurinë e plotë që di gjëra për tim atë që as ai nuk i dyshon. Kam mësuar të shikoj dhe të kuptoj atë që fsheh brenda. Dhe që nuk është në gjendje të nxjerrë jashtë vetes. 

Këtij burri për vite i kam kërkuar dashuri në mënyrë të gabuar. Kërkova tek ai atë që nuk ishte. Nuk shihja, nuk kuptoja, dhe tani paksa më vjen turp. Dashuria që më jepte ishte e fshehur në sakrificat e tij, në kufizimet. Në orët e pafundme të punës dhe në zgjedhjen për t’u ngarkuar me të gjitha përgjegjësitë. Po ta shikoje mirë nuk ishte as zgjedhje, mbase ajo ishte jeta që të gjithë kishin bërë para tij.

Babai im është bir i një gjenerate që ka marrë mësime të qarta dhe esenciale: të martohesh, të bësh fëmijë, të punosh për familjen. Nuk kishte argumente të ndryshme nga këto për t’i bërë pyetje vetes, vetëm role të përcaktuara më parë.

Është njësoj sikur të ishte martuar dhe të kishte bërë një bir pa e pas dëshiruar asnjëherë vërtet. Jam bir i një burri që ka qenë thirrur nga jeta nën armë. Për të luftuar një luftë private: jo për të shpëtuar një komb por për të shpëtuar familjen e tij.

Një luftë e bërë jo për të fituar, po për të dalë llogaria, për të mbijetuar. Për të vazhduar përpara.

E dua babain tim. E dua me gjithë qenien time. E dua këtë burrë, që kur isha i vogël nuk e dinte asnjëherë sa vjeç isha. E dua këtë burrë që akoma sot nuk arrin të më përqafojë, që akoma sot nuk arrin të më thotë:  ”Të dua fort”. Në këtë jemi të njëjtë. Kam mësuar prej tij. As unë nuk arrij ta bëj këtë./(bota.al)

ObserverKult

———————–

KOHA QË DO DOJA

Lexo edhe:

FABIO VOLO: DO TË KTHEHEN TË GJITHË, A E DI?

Fabio Volo është një ndër autorët më të njohur italianë. 
Më poshtë ju sjellim një nga shkrimet e këtij autori, me titull “Do të kthehen të gjithë”.

Do të kthehen të gjithë, a e di?
Dikush do të kthehet si një rrahje zemre, pasi thjesht është larguar nga jeta jote.
Dikush do të kthehet për të konsumuar edhe pak zemrën tënde, edhe më pas do të ikë sërish.

Dikush do të kthehet për të të vjedhur një buzëqeshje apo edhe një lot të fundit.
Dikush do të kthehet për të të thënë se pa ty ndihet më mirë, i shtyrë nga krenaria e tepërt.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult