Teodor Keko: Kur s’më do njeri, pse duhet të dua unë…

teodor keko
Teodor Keko (1958–2002)

Teodor Keko ishte poet, tregimtar dhe gazetar i njohur.

Shquhej për antikonformizmin e tij, mjeshtrinë dhe thjeshtësinë në rrëfim.

Ndër librat e tij më të njohur është “Lajmëtarja e vdekjeve”, i botuar në vitin 2000 dhe një tregim nga ky libër mund ta lexoni në vazhdim:

Nga: Teodor Keko

Ishte një tip tmerrësisht i egër e brutal, sa të detyronte të besoje në teorinë e Cezare Lombrozos për kriminelët. Me të mund të ziheshe e të therreshe për hicgjë. Edhe atëherë kur ja ngritën plaçkat dhe e internuan nga Tirana nja tre vjet të mira, për thikën që i nguli shefit të repartit, deklaroi serbes fare në gjyq se po i ardhkësh keq që s’i paskësh tundur këmbët haleja!…. Atëherë mori frymë lirisht një lagje e tërë e ra në prehje edhe vetë rajoni i policisë, që e kishte bujtës të rregullt, ama, kur u kthye, po ai Mark brutal e vandal qe. Vetëm se ishte bërë më i rëndë si tip, s’para denjonte ta kthente vemëndjen shumë nga ordinerët, ose të vecklit dhe kjo s’ishte pak, sidoqoftë. Kur një vrasës nuk denjon të merret me femrat, për shembull, është fitore e madhe, se nuk do të ketë viktima nga rradhët e këtij seksi….

Marku nuk i hynte në punë as dreqit me karakterin që kishte, dhe as pritej ndonjë e mirë prej tij, por, që të jemi realistë, një të mirë e bëri edhe ai: I thinji prindërit dhe ua zbuloi fisnikërinë e pashoqe para syve të lagjes, siç nuk do ta bënte askush tjetër dhe nuk do të mund t’i detyronte banorët të deklaronin në kor: “ Ah, pleqtë e Markut! Ata s’i bën dy nëna! Por, fat i poshtër, i hëngri si krimbi ai djalë!….”.

Dhe nuk zmadhonin asnjë grimë e as kishin nevojë të zmadhonin, se Marku i përmbushte të gjithë parametrat për të qenë një katalog i zi, një katalog profesional, pa asnjë tipar njerëzor, pa civilizim e dhembje…. E, megjithatë, barbari ra një ditë në dashuri me një qenie të urtë, me të kundërtën e vet. Kushedi si ja prishi mendjen, ai, kokështrembër nga grushtet e ngrënë dhe mendimet e mbrapshta që nxinte, dhe ajo iu dorëzua pa shumë spërdredhje. Marku e nisi lidhjen për aventurë, sepse ai kalimtar ishte e nuk i njihte gjërat e përjetshme as për emer, mirëpo kushedi ç’iu ndez përbrenda shpirtit të tij dhe e beri të mendonte për herë të parë për një njeri tjetër natën, që ia prishi atë gjumë engjëllor të përnatshëm me të rrasur kokën në jastëk.

I ngeli asaj fatmjerës çdo mbrëmje nën dritare dhe fishkëllente sa luajti mendsh një bllok të terë apartamentesh me ato meloditë e tij të pafundme e të magjishme se, duket, vetëm artin e të fishkëllyerit njihte! Mirëpo as ngujimi nën dritare e as koncerti i magjishëm me fishkëllima nuk pinë ujë, se vajza hëngri një dru nga vëllezërit e nga prindërit, që do ta mbante mend për terë jetën, me t’u marrë vesh flirti i saj me Markun. Ai i dëgjoi ulërimat e kërcitjet e të rrahurave nën dritare. Kërcëlloi dhëmbet e u bë gati të ngjitej lart e t’ua nxirrte zorrët atyre barbarëve, sic u shpreh ai për vjehrrin dhe kunetërit, por nuk e lanë shoket që iu ndodhën për fat përreth.

-Vetëm ky muhabet nuk zgjidhet me thikë e me grushta! – dha mend një koleg i Markut me një shenjë thike stërgjatëshe në faqe, – këta do t’I kesh gjak!…
-Ata janë mutër! – shau Marku. – E ku kanë grup gjaku ata!
Dhe, pa u mbyllur ajo javë, e rrëmbeu të dashurën, që të mos i prishej gjaku me ato qelbësira, siç u shpreh në klub, dhe ua çoi pako postale prindërve në shtepi.
-Kjo është nusja ime! – tha prerë, me një ton që nuk lejonte diskutime. – E rrëmbeva, se unë u mbakam më i poshtri i Tiranës dhe s’qenkam i denjë për grua!
Prindërit ia ngulën sytë të shtangur vajzës dhe s’hapën gojë. U vinte keq për atë mjerane, që rrinte si e ngrirë e me sytë ulur, se e dinin që, në mos pas një jave, pas një muaji, Marku do t’i jepte duart e do ta flakte nga porta në rruge, duke e pasuruar kështu pisllëkun e jetës së tij.
-Edhe kjo na duhej! – psherëtiu me sytë e mbushur me lot e ëma. – O Zot, pse na le të vuajmë kaq shumë! Po ty, moj e zezë – iu kthye vajzës – c’tu desh që u lidhe me këtë të marrë! Po atë nuk e dua unë, që i kam bërë kokën, e jo ti, që s’e ke hiç gjë e që nuk di ç’mall është, që mos qoftë!
-Kur s’më do njeri, pse duhet të dua unë?! – bëri shpërfillshëm Marku. – Me njerëzit sillem si njeri, me kafshët, si ua do mideja! Ja, me Florën jam sjellë më mirë se një sekretar rinie me gruan! Pyete, ja ku e ke e mos me gërric veshët shumë.
Vetëm i ati nuk ndërhyri. Ai uli vajzën bri vetes, e përkëdheli, sa e bëri me dhimshurinë e tij të shpërthente në lot dhe Markun të kërcente i xhindosur në këmbë, duke shkumbëzuar:
-Pse, kështu duhet njeriu? Po ta duash ti këtë, shkon dhe i bën për një lek ata palaçot që e shqepën në dru, atje, në shtëpi!
Dhe krisi e iku në klub.


Mbeti po ai Mark i vrazhdë e i pambledhur, as iu ngroh qoftë edhe një grimë zëri e as ia vërshëllente njeriu, vetëm se në të kundërt të parashikimit të nënës, Florën nuk e përzuri dhe nuk e rrahu. Kur bëhej gati t’ia kërciste ndonjë flakërimë, e shihte me tërbim, pastaj dilte duke përplasur derën sa fluturonin copërat e suvasë deri përtej dhe kthehej pas mesante duke sharë nëpër dhëmbë. Por as Flora nuk qe tip acarues. Ajo e kishte qepur gojën me kohë dhe vetëm punë shteti e punë shtëpie dinte, se, merret vesh, turp e herezi për Markun përbënte e dala shëtitje me gruan, se nuk ishte as sekretar rinie e as kuadër, që e shet edhe atë për karrige e del me gruan përkrahu në rrugë jo se ia ka qefi, po se do ta shohin ata posteshpërndarësit, që ai ka figurë të përsosur morale e politike e pirdhi më të, përfundonte në kësi rastesh Marku, kur i thoshte ndonjëri: “ S’të pashë një herë të dalësh me gruan, Mark! A je i martuar ti?….”.


Merret vesh, kur fle në një shtrat me gruan do gatuash edhe fëmijë dhe Marku këtë herë u tregua djalë i rregullt: ai nuk bëri përjashtim nga ky ligj dhe, me gjithë lutjet e fshehura të nënës: “ Mark, të paktën mos e ler shtatëzanë, pa t’u mbushur mendja, do ta mbash këtë cupën, apo do ta heqësh”, – ia mbushi barkun gruas pa e vrarë mendjen e pa iu prishur qoftë edhe një natë të vetme gjumi nga dyshimi për të ardhmen. Me thënë të drejtën, atij nuk i pëlqente hiç as të mendonte për të ardhmen e as të mbante librezë kursimi…E ardhmja!?…Ajo vjen si ia do qejfi -thoshte – e ardhmja s’do parashikime, por përshtatshmëri, o lum miku!….

Dhe nuk e vinte fare në llogari të nesërmen, vetëm jetonte ditën si t’i vinte. Ra sot shi, dilte me cadër; u ngroh koha, hiqte xhaketën; u ftoh, struku në pallto. Ehu!….
Kështu mblidheshin ditët dhe barku i së shoqes u bë bark mbretëror, i madh e i rrumbullakët, si ato tullumbacet e qëmotshme, gati për të plasur, bark që filloi ta vinte në mendime herë-herë Markun me ato deformimet e menjëhershme, nëpër sferën e tij, ku dilte, ndonjë bërryl, ose këmbë foshnje, që, duket, i kishte ngjarë atij me gjithë ato protesta që bënte atje brenda e që nuk rrinte dot në një vend.

-Mos janë dy – thoshte Marku – një si unë e një palaço që ia ngre nervat, dhe cunit nuk i zë shpirti karar pa ia futur një surratit atij tjetrit!…
-T’u thaftë goja! – e mallkonte e ëma. – Ti s’mban dot veten tënde e jo të rritësh dy binjakë! Të të vijë keq për tët shoqe, të paktën, po ku ke shpirt ti! Një herë s’e nxorre shëtitje, as tani që u bë gati për të lindur e që doktori e këshillon të lëshojë këmbët!…
-Po se mos e veshët ju dhe nuk e nxorra unë!- ia ktheu krejt papritur një ditë së ëmës Marku.- Ju llafe keni! Pse nuk e bëre këtë! Po a më the ta bëj? E di unë c’thotë mjekësia për gratë me barrë?!….

Nëna e pa me çudi.
-Nuk tallesh?-e pyeti me frikë? – T’i them Florës të vishet?
-Unë kam respekt për prindërit – tha Marku – thuaji të vishet, vetëm, po u vonua një orë, siç e ka zakon me ato pisllëqet e tualetit, ika!….
Dhe kështu Marku filloi ta nxirrte shëtitje Florën gati çdo muzg e, meqë kjo orë ishte në mes të pasdites me mbrëmjen e t’i prishte të gjitha planet, ai detyrohej të qëndronte mbas ngrënies së drekës në shtrat, derisa të binte mugzu e të nxirrte Florën, dhe u bë për mall me shokët. Ata e shihnin kur dilte duke hequr këmbët zvarrë, pastaj me trupin qiri me të shoqen për krahu, dhe i fishkëllenin nga pas, kurse ai ua bënte me dorë dhe, kur ishte në qejf, ulërinte:
-Ka detyra bashkëshorti! Është Familje socialiste kjo!….
-Mos u tall me familjen !- i lutej Flora.
-Unë vdes për harmoninë familjarë! – betohej Marku.- Ma ka thënë njëherë një shef policie: Ty, djalë, vetëm gruaja do të të mbledhë. Ti do ta duash shumë gruan…Sikur ta dinte, qeni!

-Po pse e shan? – e pyeste Flora.
-Unë po e lavdëroj, – ia kthente Marku, – zanati i tyre me nuhatje është. Po nuk e nuhate kush e kreu krimin, ik mbytu në pus me këmbët e tua! Cfarë lesh polici je!….
Ja, këta dialogë shkëmbenin, ama, për t’u mërzitur Marku nuk mërzitej! Turfullonte kur ajo hynte në ndonjë pikë shitje dhe ai e priste te dera, po, tek e fundit, cili burrë nuk turfullon në kësi rastesh? Dhe kështu, deri ditën që Florës iu zgjidh lidhësja e gjatë e këpucës në rrugë. Ajo vendosi të mos bënte zë, mirpo, sa hidhte një hap, ngatërrohej lidhësja nëpër këmbë e, për më keq, iu bë fiksim që do të pengohej nga ajo dreq lidhëse e do ta merrte lumi pastaj.

-Marku – i tha ajo ngadalë, – mu zgjidh lidhësja!
-E çfarë pastaj!- ia ktheu ai, që kushedi ku po i fluturonte mendja atë çast.
-Nuk eci dot, kam frikë mos pengohem dhe rrëzohem…
-Po lidhe, pra!
Mirëpo u kujtua në të qindën e sekondës se ajo nuk lidhte dot aktualisht këpucën dhe se këtë gjë e bënte nëna në shtëpi. E pa një herë kalimthi shtangien e Florës, prerjen e saj të menjëhershme në portret, lotët e mbledhura m’u poshtë syve, gati për të shpërthyer dhe u ul në gjunjë përpara saj.

-Zgjate këmbën!- e urdhëroi me atë vrazhdësinë e tij tradicionale.
Ia lidhi lidhësen me kujdes e shtruar-shtruar, pastaj, po ashtu, i ulur në gjunjë para saj i kërkoi edhe këmbën tjetër. E egzaminoi edhe lidhësen e asaj këpuce, dalloi që edhe ajo ishte liruar paksa dhe e shtrëngoi edhe tjetrën po aq shtruar. As kishte ndër mend të ngrihej e as po e çante kokën për njerëzit që e shihnin me admirim përreth e për gratë që shanin me vete burrat e tyre, qe s’do ta bënin kurrë një veprim të tillë, sikur të mos i binte një pikë shi në qafë.
-Ikim, se filloi!….
Brofi në këmbë, por e ndërpreu fjalinë në mes. Flora po qante pa zë, me ca lot të mëdhenj, që të bënin të vije ulërimën kur ia shihje. Një nga ato pikat i pati rënë Markut.

-Pse qan?- e pyeti.
-Kot!
-Pse qan, pra?
-Kot!- këmbënguli ajo dhe për herë të parë ai e ndjeu pushtetin e Florës mbi të. Nuk e detyronte dot t’i jepte shpjegime, nuk e rrihte dot, nuk e shante dot me atë fjalorin e tij allah-allah! Ama, e mori vesh si dreqi se ç’e detyroi Florën të qante duke qenë mirë e bukur në mes të rrugës.

-Ti mos kujto se unë jam kafshë!- i tha egërsisht. Ti kënaqu që je njeri! Kush më deshi mua me vepra dhe nuk e desha unë? Me llafe? Me llafe edhe unë këputem në mes për gjitha popullin shqiptar!
E qepi gojën, po se ç’i shkrepi në tru, se iu zbut portreti dhe u kthye vrulltas nga Flora, e pushtoi ngadalë, si të kishte frikë të mos i shtypte barkun, pastaj e puthi në faqe duke i pëshpëritur lehtas:
-Je e vogël akoma! Mos beso shumë!…

*Shkëputur nga libri me tregime “Lajmëtarja e vdekjeve”

*Titulli i origjinalit: “Këpuca e zgjidhur”

———————-

Lexo edhe:

Teodor Keko: Unë ‘Ai’, Ti ‘Ajo’

ObserverKult