Nga Robert Burns
Ju brigje t’ëmbëla të Dun-it
qysh mund të lulëzoni?
Qysh, vall’, kur unë heq e vuaj,
ju zogjë, ligjëroni?
Ma grise zëmrën, zoçk’ e bukur,
që po ia merr mbi pemë!
Ti më kujton nji mot të lumtur
kur miku s’ish i rremë.
Ma çore zemrën, zoçk’ e bukur,
që dredh me shokun këngë!
Ashtu si ti nji dit’ un rrija
pa dijtur këtë brengë.
K’tu dendur bridhja, hurthin shihja
të dredhur tok me drunë.
Për dashuri çdo zog këndonte.
Ashtu bëja dhe unë.
Një trandafil nga gjembat zgjodha
me zemrën gjithë gas.
Ashtu ma vodhi lulen miku
por gjembin më la pas.
Përktheu: Arshi Pipa