Timo Flloko flet për Xhon Belushin: “E ëma hyri fshehtas në Shqipëri, mori ca dhe nga trualli e ia çoi te varri në SHBA!”

Nga Timo Flloko

Xhon (John) Belushi, aktori shqiptar me famë të përbotshme, një talent gjenial, mit i humorit të Amerikës, sot do të mbushte 75 vite jetë. U shua herët në kulm të rinisë, në moshën 33-vjeçare (me vite sa Krishti…). Xhon Adam Belushi lindi në Çikago të shtetit Ilinois, në SHBA, me prindër shqiptarë.

Në tridhjetë e tri vitet që jetoi, zeniti i famës së tij me “Saterday Night Live”, “Radio Hour” dhe filma si “Animal House” dhe “Blues Brothers” pati një sukses të jashtëzakonshëm në karrierën e tij, që në kohët moderne zor se e ka arritur kush.

Shkëlqimi i talentit të tij, si i një komete, nuk është shuar as sot. Sa më shumë kohë kalon, aq më lart ngrihet legjenda rreth emrit të tij (siç ndodh me gjenitë). “John-i ishte mbi të gjithë ne, një fenomen..”, thotë, aktori Bill Murrey.

Gjenialitetin e tij e pohojnë shumë artistë të mëdhenj dhe, përtej tyre, kujtesa e vetëdija e publikut amerikan. John-i solli një koncept realist e modern në trajtimin e karaktereve komikë që krijoi, përmes një loje serioze në dukje, por të thellë së brendshmi, me komicitet dhe sarkazëm e me kontraste të befta sugjestionuese.

Imitimet në krijimin e tipave të shumtë, si Samurai, Bethoveni, Marlon Brando, Joe Cocker, etj., mbeten të pazëvendësueshme. Rolet në filmat që përmendëm më lart, janë realizime të papërsëritshme të interpretimit në zhanrin e humorit e jo vetëm, të cilat s’ishin parë të atilla nga askush më parë.

Ai e aktualizoi dhe i dha tingëllim modern interpretimit të klasikut, “komikut që s’qesh kurrë”, Buster Keaton-it. Nëse do të më lejohej të huazoja metaforën që përdor Noli për veprën “Hamleti”, guxoj të them se Xhoni ishte “pema më e lartë e pyllit” të humorit amerikan në atë kohë e vite më pas.

Vetë jeta e Xhon Belushit ishte si film, një luftë me veten, plot etje e dëshirë për të jetuar intensivisht, me ngjitjet e rëniet e veta, me hare, humor, deprimim, çmotivim… me yllin e famës mbi krye si kurorë, por edhe me një fund tragjik.

Në rini, kur luante futboll amerikan si mbrojtës-mesfushor, shokët e skuadrës e thërrisnin “Killer Belushi”, si të ishte një ogur i keq për atë që ai u bë “killer” i vetes së tij. “Johni, siç shkruhej rreth tij”… e donte jetën, festat, i pëlqente të dëfrente dhe të egërsohej, t’i bënte njerëzit të qeshnin. Fundi i viteve ’70 dhe fillimi i ’80 ishin të njohura për përdorimin e drogës në Hollyëood.

Kudo të shkoje, droga ishte atje. Producentë, regjisorë, aktorë, të gjithë e merrnin atë. John-i nuk bënte përjashtim. Më 5 mars 1982 ishte nata e fundit për të në Chateau Bungalov, dhoma numër 3, ku ai punonte me një skenar për film… John-i shkoi tepër larg. Përzierja e heroinës me kokainën atë natë, bëri një efekt kumulativ në trurin e tij, ia rreshti frymëmarrjen duke i shkaktuar në fund kolaps të gjithë sistemit respirativ…” Në kronikën e kohës shkruhej: “Ditën e martë, më 9 mars, nën tingujt e “That Lonesome Road” (Kjo rrugë e vetmuar) ai u varros në Abel’s Hill Cemetery në Martha’s Vineard.

Më 11 mars, afro një mijë njerëz, miq e të afërm të familjes, morën pjesë në meshën përkujtimore në Nju Jork, në Katedralen Saint John Devine. Për të mbajtur premtimin ndaj mikut të vet, Dan Aykroid (Blues Brothers) lëshoi në magnetofon këngën “2000 Pound Bee”(këngë me të cilën Xhoni kishte dashur të përcillej kur të vdiste). Kishin vënë një kusht:

Kush të ikte i pari nga kjo botë, tjetri do t’ia plotësonte dëshirën, duke e përcjellë me atë këngë. Dan Aykroid e kryeu amanetin. Salla u shtang në fillim, por pastaj shpërtheu në të qeshura.”

***

Kam pasur rastin të takohem për herë të parë dhe ta shoqëroj yllin shqiptar të Hollyëood-it Xhejms (James) Belushi, vëllain e Xhon Belushit në Shqipëri, në vitin 1995 kur erdhi për një vizitë familjare me të atin, Adamin (emigruar nga Shqipëria më 1934, në moshën 14 vjeçare) dhe Robertin, të birin (14 vjeçar). Tre breza Belushi, atë, bir nip.

Verën e atij viti e ruaj si kujtim të çmuar. Udhëtimi i tyre në vendlindje ishte plot ngjarje e befasi, me hare e lot malli. Qyteza, fshati i lindjes së Adamit, i atit të të famshmëve Xhon dhe Xhejms Belushi, ndodhet në kufirin juglindor me shtetin grek.

Adami e kishte lënë qytezën fëmijë dhe si shumë shqiptarë të tjerë kishte marrë udhën e kurbetit drejt Amerikës. Qyteza është një fshat i bukur malor, me shtëpi të stilit tradicional, me kishën mbi kodër dhe me një përrua që i shkon fshatit përmes. Përballë urës së gurtë gjendet një shtëpi e braktisur, rrënojë pothuaj, shtëpia e Belushëve.

Thonë se pas vdekjes tragjike të John-it në mars të vitit 1982, Agnesa, e ëma e tij (bijë e mërgatës së hershme shqiptare, e lindur në Amerikë me prindër shqiptarë) kishte ardhur në Shqipëri incognito (fakt që as imagjinohej të shkruhej në shtypin zyrtar të asaj kohe, as të flitej për atë vizitë të çuditshme dhe as për famën e bujshme, madje as për vdekjen tronditëse të shqiptarit të famshëm që pushtoi Amerikën, aq më pak të mendohej, që ajo shtëpi e rrënuar të kthehej në një muze kombëtar nën mbrojtjen e shtetit komunist..!)

Në botën tonë të hijes asokohe, jo vetëm Xhon Belushi, Stan Dragoti dhe ndonjë tjetër personalitet gjakshqiptar, por as Nëna Tereza nuk përmendej, si të ishin një mallkim për Shqipërinë e errët të asaj kohe.

Mbi atë urë, tregonin bashkëfshatarët, Agnesa, pa mundur të mbërrinte te pragu, ishte lëshuar në dënesë e me klithje mbi gurët e urës duke vajtuar “Xhon, bir” dhe, pastaj kishte marrë ca grushte dhe nga ai truall, për t’i shpënë në varrin e të birit, Xhonit, në kodrën e Abelit ku prehej.

Më kujtohet një skenë e ngjashme e prekëse si kjo, në ditët që vizituam me Xhimin Qytezën dhe shtëpinë e të atit. Pashë se si ai me mallëngjim, të cilin rrekej ta fshihte, mblodhi ca gurë të asaj shtëpie dhe i futi në një valixhe, sjellë me vete enkas për këtë qëllim. Jetë njerëzish me dhimbjet dhe dramat e tyre, sado të famshëm, janë njerëz si të gjithë ne.

Në Shqipëri, në takimet me kolegë, Xhimi kishte folur edhe për karrierën e të vëllait, Xhonit, yllit që u fik para kohe.

Në thellësi i ndihej dhimbja për vdekjen tragjike të tij dhe u shmangej komenteve kur e pyesnin për hollësi… Dhimbjen për të vëllanë e ruante në shpirt si tabu përkrah zemëratës së shtresëzuar në vite për gjithë sa kishte bërë fati mizor ndaj John-it, mentorit shpirtëror e frymëzuesit të tij në art, me atë vdekje të panatyrshme e tragjike, në apogjeun e lavdisë dhe famës.

Vështirë të përfytyrohet se ç’mundim kërkon në atë botë kalvari i një karriere si e tij, as të përshkruhet me fjalë, kur ke parasysh ato lartësi ku mbërriti arti dhe fama e Xhon Belushit!

Cili aktor nuk do ta kishte ëndërruar emrin, talentin, shkëlqimin e famës së tij, rolet që krijoi Xhoni para se ta linte këtë botë?!

Ajo shkujdesje e tij nuk kishte qenë ndoshta vetëm faji i tij, por edhe një mallkim apo akt mizor i vetë natyrës, e cila e asgjëson krijesën e vet në një çast të papritur si hakmarrje ndaj rebelimit a sfidës së atij që i kapërcen kufijtë e lejuar… Por xhelozët e çdollojtë ndodh të kundërvihen haptazi e në nënshtresë.

Vite më parë kam takuar tipa të tillë, mosdashës e përjashtues të vlerave të kombit tënd… Pa i nënçmuar dijet e tyre, as mbiçmuar të tuat, kupton se disa syresh e kanë me hile, se në thelb janë jo vetëm të paragjykuar, por dhe të paditur dhe ambiciozë njëhershëm, mohues apriori e të liq, madje ndaj kulturës së vendit tënd… e çfarë nuk…?

U ndesha njëherë me një tip të tillë në një grup (e quajta fat që ishim në prani të disa njerëzve, para të cilëve ia nxora në pah injorancën mikut…).

A e dini ju zotëri se Nënë Tereza, simboli i mëshirës për fatkeqët në botë, është shqiptare, se Xhon Belushi, komiku i madh i Amerikës është shqiptar, se shpëtimtari nga kriza e impotencës mashkullore (pa dashur të lëndoj kënd e as ju nëse..) të 35 milion meshkujve amerikanë me të tilla simptoma është një shqiptar, laurat i Çmimit Nobel, Dr. F. Muradi? (A nuk e duan të këtillë një përgjigje goditëse? Në ndonjë rast – më të mundshmin – kështu duhet bërë.)

Ne nuk mund t’i bëjmë sfidë botës, por mund të dëshmojmë se jemi një popull me kulturë, gjuhë e tradita, një popull vital, me dëshirën dhe vullnetin për të ecur, për të fituar kohën e humbur të së shkuarës nën diktaturë që na la prapa, pasoja që po i vuajmë ende sot në këtë tranzicion të tejzgjatur.

Por në këto vite të demokracisë duket e pasens të bësh pyetjen, nëse humbi a fitoi kultura e kombit, nga arritjet dhe suksesi i artistëve të vet nëpër botë?

Jo vetëm një shkrimtar si Kadare, që i sundon kohët, si të shkuarën kur lexonim mes rreshtave për të gjetur sadopak fjalë a shprehje kundër sistemit, por sa yje të tjerë bënë emër hershëm, që në fillesë, si Angjelin Preljocaj, dhe pastaj në vitet kur u hap Shqipëria, Inva, Tedi, Ermonela, Sajmir Pirgu, Josif Gjipali… Sa violina të para, çelo e viola (të pandjeshme e mbresëlënëse..) luajnë nga gishtërinj instrumentistësh shqiptarë nëpër Evropë? Jo pak muzikantë të rinj të talentuar mbarojnë Jale-n dhe Juliard-in, në SHBA, të tjerë në shkollat evropiane me të ardhme në art.

Apo të tillë personalitete në shkencë si Laura Mersini, autore e teorisë së origjinës së universit; apo Mira Murati, shefe e sektorit të AI, të Inteligjencës Artificiale, pa lënë veç Yjet e muzikës, që lindën në botën e lirë, që kanë mbërritur sot majat e suksesit të përbotshëm, talente ndaj të cilëve, fqinjët tanë, s’bën çudi të ndihen dhe xhelozë që s’i kanë… si Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha, Ava Max… Çdo komb krenohet me kampionët e vet dhe ne kemi arsye të përligjur tashmë për t’u ndjerë të tillë!

Kur shkova pas një viti në Amerikë dhe takova Xhimin, ai, si më përqafoi gjatë, më tha: “Father passed away” (babai ndërroi jetë). “Që nga dita e kthimit e derisa vdiq, im atë nuk e hoqi nga goja Shqipërinë, iku me kujtimet e saj në gojë”.

Në vitin 1997 unë u vendosa në Los Anxheles për të jetuar për një kohë më të gjatë.

Me Xhimin u bëmë më të afërt, miq të mirë pavarësisht se shiheshim sipas mënyrës amerikane, casually, pa protokoll.. Ai më priti ngrohtë dhe më ndihmoi konkretisht; në dy nga pesë rolet simbolikë që luajta në Hollyëood, kam dy karaktere në film me të. Si çdo aktor në botë, kisha ëndërruar ta shihja Hollyëood-in, Mekën e kinemasë, ta prekja me sy. Atje, një nga pamjet më sugjestionuese për turistët janë yjet përgjatë Hollyëood Boulevard-it.

Aty kryhen ceremonitë e glorifikimit; turma njerëzish presin për orë të tëra shfaqjen e gjallë të “yllit” ardhjen e tij me një limuzinë dhe pastaj ritualin e yllëzimit, zbulimin e emrit të shkruar mbi yll, vendosjen e shenjës së duarve a të këmbëve (nga më të famshmit fare..), etj. Yjet e gdhendur ngjyrë ari e violet nxisin kureshtjen që të endesh pas karvaneve të tyre pa fund në Hollyëood Boulevard. Një ditë teksa ecnim me Erionin, ish-studentin dhe kolegun tim, starin e filmit “Beni ecën vetë”, duke kërkuar mes emrave pa fund, u endëm s’di sa kohë pa mundur ta gjejmë yllin e Xhon Belushit.

Të nesërmen iu kushtova përsëri kërkimit. U enda afro dy orë nëpër trotuaret dy anëve të bulevardit sa m’u morën mendtë, por më kot, yllin s’e gjeta dot.

Në rastin e parë që m’u dha, pyeta sekretaren e Xhimit, e cila (edhe ajo e habitur për padijen time) më tregoi se Xhoni nuk kishte yll në Hollyëood dhe arsyen se përse…(?!) Çështje karantinimi për fajin e kryer jo të “vetëvrasjes” por të vdekjes nga përdorimi i drogës, gjë që shihej rreptësisht si një ligj i pashkruar, i cili lypte një kohë të caktuar për përmbushjen e afatit të “dënimit” të personit për arsyet më sipër.. O Zot, thashë me zë instinktivisht dhe ajo më hodhi një vështrim të çuditshëm, duke më pyetur, “Pse, ti nuk e dije”?! Ylli pa strehë, mendova atë mëngjes tek prisja Xhimin për t’i marrë një intervistë për programin “Dua më shumë Shqipërinë”, që do bëhej në Tiranë.

Xhimi erdhi e më takoi përzemërsisht, i shoqëruar nga dy pastorë gjermanë, të cilët m’u afruan shpërfillës. Të nesërmen nisesha për Nju Jork dhe më pas, pas tri vite e gjysmë, në Shqipëri.

Pasi bëmë intervistën dhe përcollëm operatorin, më ftoi për një mëngjes me kafe, të cilin e quajti “Albanian Breakfast ëhich doesn’t go fast”.. Pimë kafe dhe folëm për shoë-n “Acording to Jim”, më përcolli në kopsht: “Say hello to Timo, your father’s friend, sëeety!”, i foli së bijës dyvjeçare, Jamison, duke më shtrënguar dorën fort si gjithmonë siç i pëlqen “Albanian way”. Fort!

U përqafuam miqësisht. Një ndjenjë e ngrohtë më përshkon sa herë takohem me të, që në krye të herës në Tiranë, kur po ai shtrëngim dore ma kishte shkrirë mpirjen.

Nuk di nëse m’u pa a vërtet, një xixë loti pas atyre syve, kur më tha, sa do kishte dashur Adami ta shihte edhe njëherë vendlindjen, qytezën e tij. Duke fluturuar për Nju Jork, të nesërmen, shkrova poezinë kushtuar Xhon Belushit, “Ylli pa strehë.” Ja disa vargje…

Ylli pa strehë

John Belushit

U enda natën në Hollywood Boulevard,

Shtrojën e famës shkela anefund,

Në koloninë e yjeve, pambarim atje,

Yllin tënd s’e pashë, Xhon, askund…!

Ku të jetë fshehur, si ta gjej,

Me atë shkëlqim që kurrë s’u fik?!

Mijëra milje larg, Ishullit të Martës,

Në Kodrën e Abelit prehet shtati yt,

Mbetur atje, si në skaj të botës,

Që e deshe, por s’të deshi ty…!

Ç’fat i keq, Zoti të ndëshkoi,

Që në zenit t’i këputi ëndrrat,

Kush të shpuri atij gjumi pa kthim,

Në Los Anxheles, qytetin e engjëjve?!

Ulërij, nga dhimbja sa s’shkalloj,

Pré e vdekjes, s’tu dhimb jeta, mik,

Ti, shqiptar i madh fat-tragjik,

Mit i Amerikës… mit!

(Pse ndëshkon aq vrazhdë fati ngaherë,

Më të pazakontët, thuaj pa dallim,

Kot t’i hamendësh të fshehtat e botës,

Se ç’sjell jeta, veç një Zot e di,

Trishton bulevardi si varrezë yjesh,

Ku mungon vezullimi yt.

Sa emra u gdhendën, e nuk janë më,

Me kohë janë shuar, mbuluar harresës…

Kureshtarë, këmbë turistësh pa pushim,

Shkelin yjet që s’iu soset fundi…

Ka një vend për ty, Xhon, në çdo shpirt,

Tej shkëlqimit flu të Hollywood-it.

***

Kaloi më pak se një vit dhe një mëngjes kur isha i shtrirë në shtrat nga një natë e gjatë dhe e vonët me miq, më zgjon një zile telefoni si sirenë (e kisha vënë në maksimumin e vet për të mos humbur së largu ndonjë telefonatë që mund të vinte nga Shqipëria, Vera a ndonjë shok e mik..) Brofa, pa mundur ta ndaja realitetin nga trazitë e ëndrrës (sa keq ose sa mirë t’i mbash mend ëndrrat…se edhe nëse janë tron ditëse, ato sjellin pamje njerëzish që s’i kemi më.. nënë, atë, vëlla… dhe çmallemi kur na shfaqen…)

Mora receptorin ngathët dhe dëgjova një “Alo”, buçitës që: “Hiiii, Tiiiiimooooo! Good morning! Gess what? John got the star! I am so happy!”

Zëri ishte i plotë, i ngritur thuajse në qiell… You made my day, Jim! – ishte gjithë sa munda të shpreh atë çast. Ky shkrim e gjen shtegun të shprehë një realitet të hidhur, duke përcjellë dhimbje e dëshpërim për humbje tragjike të jetëve, në udhëkryqe fatesh tragjikë e të ngjashëm e të pazakontë të disa artistëve të mëdhenj.. Afro 30 vite më pas, një tjetër yll i përmasave botërore, Odiseu shqiptar, aktori me famë të përbotshme si asnjë yll i Lindjes asokohe, Bekim Fehmiu, e caktoi vetë fatin e ikjes së tij nga kjo jetë… (Sigurisht, “të mëdhenjtë nuk gjykohen, ata e caktojnë vetë fatin e ikjes së tyre..”)

Një hije e tillë ia erri jetën Sandër Prosit, një portreti fisnik të kinemasë, Dhaskalit që solli shkronjat, diturinë… Por s’ndalet as këtu, për fat të keq, ai fatvrasës, që i mori jetën mikut dhe shokut tim të kursit, aktorit aq të veçantë e të hijshëm, Llazi Sërbo, të cilin e mposhti fataliteti dhe atë, si të përmbushej mallkimi i ikjes edhe i tij pas të mëdhenjve përngaherë (ai vetë ishte i tillë, jo veç në mundësi..)

Vetëvrasja nuk është si një shfaqje teatri, që përsëritet nga një natë në tjetrën por shfaqja e fundit e jetës, nën dritë të diellit. As nuk është një “virus” e as imitim, se jeta nuk është lojë, por një fatalitet, që shkaktohet nga trazime të forta, të fshehura e të akumuluara të individit thellë vetes. Ngjarje të tilla tronditëse, kur ndodhin, krijojnë te të tjerët idenë (bestyte) se janë destin, një fat i caktuar më parë, një gjë e shkruar, siç thotë populli…

Po përse të tillë artistë të mëdhenj, ndodh t’i japin fund jetës…? Mos ndoshta për pasojë të mundimit drejt ngjitjes, (si ai i Sizifit..!) si shterje a humbje e kuptimit nga mbilodhja të karrierës artistike, distancimit prej saj, apo mos nga përkryerja e misionit në art, ku s’mbetet tjetër gjë për t’u thënë, dhe se çdo gjë më tej, s’ka asnjë kuptim e vlerë…artist s’ka tjetër majë a lartësi për të mbërritur, se e ka arritur finishin (!) Krizë e motivit të jetë shkaku i suicidit…?!

A mos ndoshta, pesha e viteve, rrallimi i angazhimeve e i dëshirave apo zverdhja nga vetë absurdi i famës apo të gjitha së toku, të jenë shkaku? Një zot e di!

Vetëvrasja (pohojnë specialistët) nuk ka një shkak të vetëm të drejtpërdrejtë por shfaqet si një fenomen tejet i ndërlikuar për një mori gjërash, të cilat nuk shpjegohen dot lehtazi … fenomen i diktuar nga rrethana të ndryshme e të veçanta, ose nga probleme mirëfilli patologjike. Ndjeshmëria te aktori, për shkak edhe të natyrës së profesionit (të hysh e të dalësh nga personazhe të ndryshëm është thyerje si e ngjyrave të dritës në gjashtëkëndësh), me emocione skenike, te disa mund të shkaktojë jo rrallëherë goditje të forta e të paparashikuara, trauma psikike.

Artisti, ndoshta, duke humbur kuptimin e ekzistencës, kotësia.. (ndonjëherë mungesa e vetë shkakut, është shkak…) për fatalitet, në dëshpërim të thellë i jep lamtumirën jetës.

Asgjë s’është absolute dhe asnjë hamendje nuk e përcakton dot shkakun, le t’ua lemë këtë specialistëve të fushës, veçse tragjedi të tilla ndodhin dhe na shkaktojnë dhimbje dhe na tronditin edhe më shumë, se s’duhet të kishin ndodhur përpara çmimit të lartë e të pamatshëm të jetës.

***

Ylli i John Belushit u vendos në Hollywood Boulevard në vitin 2004./ panorama.com

ObserverKult


Lexo edhe:

Poezi nga Sabit Bajraktari

Iku e martja
Para pak minutash Antologji e zezë të Adem Gashit e rilexova
Nuk e di nëse i tymosa njëzet apo njëzet e pesë cigare
Gjatë ditës ku terri dhe drita ishin përzier

Tani për tani e shpërqendroj mesnatën me Marlbora Lights
Që t’mos më zë gjumi
T’mos më mundë dhembja
Teksa shohë të shtrirë plakun tim

Çfarë paradoksi
Teksa mantelbardhët shërojnë mushkëri
Pacientët ecin kundër rrymës së tyre
Thithin cigare njëra pas tjetrës
Të vetëdijshëm pa frikë
Deri atë ditë kur perdja e dhembjes do ua errësoj sytë
Do të shtrihen përdhe si një bisht cigareje
E shkelur me majën e këpucës plot baltë.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


Çun Lajçi bubulina

ÇUN LAJÇI: ME KORE BUKE U RRITËM…

Poezi nga Çun Lajçi

Për bukuri
Jetuem kështu siç po na shihni
bardh e zi pa ngjyra
me ftyrën e Zotit e teshat e tërziut
u lamë prrojeve aty ku pinë ujë drangojt
e linden Zanat
Tirq e xhubleta n’fi e n’hi i zbardhëm
gardhiqeve i terëm kur rreziti dielli
e fryni era
Siç po na shihni jetuem
pa barkaleca se me kore buke u rritëm
qindvjeç u bamë me nji ftyrë
nji fjalë nji besë nji atdhe
Do kuaj shale i patëm sa për do mejdane
edhe do rrugë me gurë
por kufijtë s’ia luejtem tokës arbnore
si ju me xhipa e kollare
As cepat e atdheut s’i grimcuem
për raki e meze

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult