Sa herë matem me kohën që rend,
në çdo rast ndihem i humbur.
S’i kam jetuar, i kam shpenzuar më kot,
mijëra ditë e net të ikura,
nga shkujdesja, në të shkuarën…
Shpesh
më bëhet në ëndërr se pres
në një stacion të shkretë
një tren imagjinar,
për kthim në të shkuarën.
Sado që rend të mos humb një sekondë,
përherë mbërrij vonë,
tepër vonë, në stacion.
Por s’e humb shpresën, pres
Një tren tjetër do të vijë,
treni i fundit me ndalesë,
që mbledh të vonuarit.
Tjetër s’pres.
S’dua ta humb atë tren,
i vetëm të mbes,
si Mohikani i fundit,
në mes të askundit…
Ndoshta, më mirë
të harrohesh,
shkujdesur,
në pakohë,
nëpër vagonë vitesh,
pa ditur
se në ç’stacion ndal treni
që ke pritur…
*Titulli i origjinalit: “Treni imagjinar”