Toka na merr, toka na mban gjallë, tregim nga Ervin Nezha

NE FJETËM ATY tregim nga Ervin Nezha

Një burri të quajtur Alzan i vdiq gruaja nga një sëmundje e rëndë. Ata kishin kaluar mirë bashkë dhe kjo humbje e dëshpëroi Alzanin. Ky i premtoi gruas në frymën e fundit se do të kujdesej që dy fëmijëve të tyre të vegjël, Zoradit dhe Silorias, të mos u mungonte asgjë. I premtoi edhe besnikëri të kurorës në jetë të jetëve. Dhe kështu ndodhi vërtet në fillim. Ai kujdesej shumë për fëmijët. I ushqente, luante me ta dhe i merrte me vete kudo që shkonte. Një ditë Alzani zbriti në qytet të shiste një dele dhe i la fëmijët në shtëpi.

U lodh shumë, sepse delja mezi ecte dhe rruga qe e gjatë. Kështu që vendosi të çlodhej pak te një burim që i thoshin Kroi i Zogjve. Piu ujë sa u ngop dhe u ul në një hije lofate. Pas pak aty erdhi një vajzë për të mbushur ujë. Vajza qe e bukur, me shtat të gjatë dhe Alzani po e shikonte me admirim, kur ajo u ul të mbushte shtambën. Në fillim, ajo bëri sikur nuk e vuri re burrin, por pastaj, kur e mbushi enën, i tha se mund të pinte ujë aty po të donte. Alzani kishte pirë sa qe ngopur në burim, por nuk deshi ta prishte bujarinë e vajzës dhe piu prapë nga ena e saj. Pastaj e pyeti se ku jetonte dhe ajo i tregoi me gisht një kasolle të vjetër, thuajse të mbuluar nga ferrat dhe fieri. Aty rrinte vetëm se qe jetime. Kjo përgjigje i ngjalli një dëshirë burrit që ta merrte për grua.

Kështu harroi premtimin që i kishte bërë gruas së ndjerë dhe i tha vajzës se qe i ve dhe do donte të martohej me të. Vajza pranoi. Kështu Alzani e mori me vete. Dhe vendosi që në pazar të shkonte një ditë tjetër. Rrugës ata folën për shumë gjëra, por Alzani nuk i tha se kishte dy fëmijë të vegjël. Në shtëpi mbërritën në të ngrysur, por ende qe ditë se dielli nuk pati rënë i gjithi pas malit. Fëmijët po luanin në oborrin e shtëpisë. Ata u gëzuan shumë që panë babanë, por u habitën kur panë gruan e re. Ajo u dukej e huaj dhe e tepërt. Edhe gruas nuk i pëlqeu kur pa fëmijët në oborr. Madje ajo i tha burrit se po ta kishte ditur që kishte fëmijë në shtëpi, nuk do kishte ardhur. Mirëpo Alzani i kërkoi ta mirëkuptonte dhe premtoi se do bënte gjithçka që ajo të ndihej e lumtur. Kështu kaluan mjaft ditë, javë dhe muaj por gruaja nuk dukej e lumtur.

Edhe pse burri e trajtonte mirë dhe fëmijët i mbante larg saj që mos ta shqetësonin, sërish dukej e palumtur. Një ditë ajo i tha burrit se kishte vendosur të largohej. Por burri tanimë e donte aq shumë sa do bënte gjithçka vetëm që ajo të mos ikte. Gruaja tha se mund të qëndronte vetëm nëse burri do pranonte të largonte fëmijët nga shtëpia. Kjo kërkesë qe e ashpër, por e prerë. Alzani u vu në një situatë të vështirë, sepse nuk mund ta imagjinonte jetën as pa fëmijët dhe as pa gruan e re. Mirëpo i turbulluar ashtu siç ishte, iu lut edhe një herë që të mos i kërkonte një gjë kaq të padrejtë. Por kërkesa e saj qe e prerë dhe burri tanimë duhet të merrte një vendim.

Një buzë mbrëmjeje dimri, ai nxori mushkën nga kasollja, hipi mbi të dy fëmijët dhe u nis për në malin e Kokutës. Kaloi qafën e Valironishtit dhe u fut në pyllin e errët të pishave. Binte pak borë e imët dhe e thatë, por ajri qe i ngrohtë. Burri u tha fëmijëve se po kërkonin dru, por fëmijët e kuptonin që diçka nuk shkonte, sepse kurrë nuk qenë ngjitur në mal afër mbrëmjes. Kështu burri i la fëmijët pranë një ledhi të dystë dhe bëri gjoja sikur u fut në pyll të bënte dru. Dhe i ra disa herë me sëpatë një trungu të madh panje, për tu dhënë fëmijëve të kuptonin se gjithçka qe në rregull. Pastaj nxori nga xhepi një dorë kashtë dhe e futi te zilja e mushkës që, kur të lëvizte, të mos ndihej.

I pa edhe një herë fshehurazi fëmijët që qëndronin ulur, frymonin duart e mardhura dhe prisnin. Pastaj hipi mbi mushkë dhe u nis për në shtëpi. I erdhi turp nga vetja që fëmijët i braktisi kaq tinëz, por edhe pse zemrën e kishte të copëtuar, nuk kishte ç’bënte. Madje një herë deshi të kthehej pas t’i merrte, por ndjeu se dashuria që ndiente për gruan qe më e madhe dhe u ngushëllua me faktin se do kishte fëmijë të tjerë me të.

Kur arriti në shtëpi, qe thuajse mesnatë.Qielli qe pastruar nga retë e borës dhe hëna pati marrë një ngjyrë të tejdukshme. U fut brenda dhe deshi t’i japi lajmin gruas, se porosinë e saj e kishte kryer, por gruaja nuk ishte në shtëpi. E kërkoi gjithandej, por ajo kishte humbur si kripa në ujë. Atëherë burri mendoi se ajo qe larguar dhe vendosi ta kërkonte në kasollen e vogël që ndodhej afër Kroit të Zogjve. Por kur mbërriti atje pa se as kasollja nuk ishte më. Dukej sikur e kishte gllabëruar pylli. Burri u habit shumë dhe nuk po kuptonte çfarë po ndodhte. Kështu u kthye i dëshpëruar në shtëpi. Por nuk ndenji gjatë aty. E kuptoi gabimin e rëndë që kishte bërë, mallkoi veten që i qenë errur sytë dhe u nis në malin e Kokutës për të gjetur fëmijët. Arriti në ledhin ku i kishte lënë, por aty nuk kishte gjë. Reja e borës qe kthyer dhe bora që binte i kishte mbuluar gjurmët. Burri kërkoi sa i ranë këmbët, por nuk i gjeti askund. Thirri me zë të lartë, por nuk u përgjigj askush. Vetëm zëri iu kthye pas nga pylli. Më pas u dëgjua një ulërimë e zjarrtë ujku. Por që nuk e trembi.

Atëherë i dëshpëruar u ul në një shkëmb të madh, mbuloi fytyrën me pëllëmbët e duarve dhe nisi të qante. Qau aty me orë, ndjeu borën që i lagte flokët dhe qafën. Ishte aq i dëshpëruar sa donte të vdiste. Por papritur ndjeu fare pranë zëra. Ai, shkoi në drejtim të zhurmës dhe pa një grua që kishte mbështjellë me një velenxë leshi dy fëmijë të vegjël që qanin nga i ftohti. Burri i njohu të tre. Deshi të afrohej, por vështrimi i gruas qe i akullt dhe i tmerrshëm. Burri u tremb. Deshi të bënte pas, sepse e njohu fytyrën e gruas së tij të vdekur. Por këmba iu pengua në një gropë dhe koka i ra në një dru të rrëzuar.

Kur u zgjua pa se bora e dendur e kishte varrosur së gjalli, por, për fat, nuk kishte vdekur. Atëherë u çua dhe zuri të kërkonte sërish fëmijët. Nuk do ndalonte derisa t’i gjente. I gjeti prapë në një lug me borë, mbështetur pas një rrënje të madhe lisi, të përqafuar me njëri-tjetrin, të mbuluar me velenxën e leshit. Gruaja nuk ndodhej më aty. Ai u ceku me buzë, duart e imëta, por trupat e tyre qenë të ftohtë se fëmijët kishin vdekur nga i ftohti. Burri u shkreh në vaj dhe deshi të merrte mushkën për t’i ngarkuar trupat e ngrirë. E pati lidhur në një pishë të harkuar si urë, në një dyste të vogël pak më tutje. Mirëpo në mënyrë të llahtarshme pisha qe drejtuar dhe e pati marrë mushkën përpjetë. Burri u tmerrua më shumë, kur pa kafshën që po mbytej, varur prej kapistalli, por nuk mundi të bënte asgjë.

Besonte se të gjitha këto po i ndodhnin nga mëkati i madh që kishte bërë. Dhe u mundua që të kthente gjakftohtësinë. Mori trupat e fëmijëve në krah dhe doli nga pylli. Rrugës qante dhe psherëtinte. Dhe kur mbërriti në shtëpi i shtriu trupat e fëmijëve në oborr. U pastroi fytyrat me ujë të ngrohtë dhe u lau duart me lotët e tij. Pastaj mori një lopatë dhe deshi t’i varroste aty që t’i kishte pranë. Moti u bë më i ftohtë. Bora që binte në pyll filloi të binte edhe aty. Pasi i mbuloi me dhè, u fut në shtëpi. Nga dritarja shikonte se si bora mbulonte tumat e freskëta të dheut dhe qante. Nuk dihet sa ndenji ashtu, me lot në sy, por erdhi një moment që në flokët e borës burri pa të ravijëzuar dy fëmijë të vegjël që luanin në oborr. Nuk duroi më brenda dhe doli të luante me ta. Por imazhi qe i gënjeshtërt dhe në oborr nuk kishte njeri. Kështu burri u fut brenda i dërrmuar shpirtërisht dhe e priti mëngjesin në dritare. Nën dritën e një pishtari që la ndezur në strehe, vështronte vetëm borën që mbulonte oborrin.

Mëngjesi zbardhi me kohë të mirë dhe ndrinte një diell i bardhë që nuk ngrohte. Alzani doli, largoi borën me lopatë, por poshtë shtresës nuk gjeti më varre. I pasigurt për atë që kishte bërë një natë më parë, u ngjit edhe njëherë në pyll të kërkonte fëmijët. U end sa në një vend në tjetrin por nuk i gjeti dot. Thirri, qau, mallkoi dhe mend po çmendej nga dhimbja. Atëherë iu kujtua se duhet të kërkonte ndihmën e së shoqes së vdekur, për t’i gjetur. Ra në gjunjë dhe thirri mesa fuqi kishte emrin e saj. E thirri me ngashërim dhe i kërkoi falje i dërrmuar. Por askush nuk u përgjigj, oshtiu fort vetëm zëri. Pastaj pas heshtjes, u dëgjua vetëm uturima e një orteku që ra në qafën e malit të Kolpengut, por që burri e mori për shenjë, sepse pikërisht në atë drejtim ndodhej varri i gruas. Dhe u nis për atje. Kaloi lugjet me borë, të përpjeta dhe ledhe. Aty gjeti dy fëmijët, qenë shëndoshë e mirë, me rroba të thata dhe të ngrohta, sikur të kishin qëndruar brenda një dhome me zjarr. Burri sa nuk luajti mendsh nga gëzimi kur i pa. Deshe t’i përqafonte, por fëmijët e shikonin me mosbesim dhe nuk u afruan. Kjo ia bëri zemrën copë dhe i pyeti se ku e kaluat natën? Fëmijët nuk folën, por treguan me gisht nga toka.

ObserverKult

Lexo edhe:

ERVIN NEZHA: NJË NATË ME HËNË, NJË NATË PA HËNË