Tom Kuka sjell skenografinë e Tiranës së atëhershme

Tirana e hershme është skenografia e  krimit të gjëmës së mëkatit që  sjell Tom Kuka me “Flamën”, e cila shuan njerëzinë.

“Jam më i lirë që të shkruaj për Tiranën e atëhershme, sepse sot nuk ka dëshmitarë të Tiranës së atëhershme. E ke më kollaj të ndërtosh dhe thurësh historinë tënde, të tjerrësh pak më lehtë. E dyta, për të sjellë në kujtesë vlerat e qytetit të atëhershëm. Nëse i rikthejmë këto vlera mund të të jemi më të mirë në Tiranën e sotme”.

“Libri drejtohet rreth një vrasje. Vjen një moment që ti kur e lexon dyshon edhe te vetë Tom Kuka.
Më ka marrë në telefon një shkrimtare e rëndësishme dhe më thotë se libri është shumë i rëndë. Por unë nuk jam i ndërgjegjshëm për këtë.
Ne nuk kemi pse fshehim anën tonë të egër. Duke thënë të vërtetën në sy ndoshta e kurojmë një vend. Ndoshta kurojmë ca njerëz” tha ai.

Personazhet, në këtë roman personifikojnë më së miri, indiferencën që na karakterizon. Të gjithë jetojnë në paqe me skamjen, krimin apo flamën. Asgjë nuk i intereson më shumë sesa muret e mbyllura të shtëpisë.
“Nuk interesohemi cfarë ndodh në rrugicë, rrugë apo jetën tonë të përditshme. Ky lloj indiferentizimi kthehet në mëkat, kjo lloj mospërfillje dhe në këtë moment mund të shndërrohet në gjëmë. Dhe flama është gjëma e mëkatit që pëson i gjithë qyteti”.

Libri ka një dedikim

Ky libër ka një dedikim specifik për Mustafa  Greblleshin, i cili ka një mall për Tiranë. Tom Kuka i ka shkëputur dy vargje të shkruara në qeli prej tij, e në fakt edhe vetë Enkel Demi ka nostalgji për tretjen e Tiranës historike. “Tirana e vjetër nuk ekzsiton më dhe nëse ka një krim që i është bërë shqiptarisë në përgjithësi është vrasja e Tiranës së vjetër”.

Megjithatë Tom Kuka beson në zhbërjen e  mëkatit. “Unë besoj, besoj në vlera, besoj tek shthurja e mëkatit, ky është besim i madh, unë besoj se dikush të liron nga mëkati” tha Demi.

Ky është libri i katërt i Enkel Demit, i cili me një gjuhë sqimtare në dialektin e Tiranës  së para 100 viteve, fton lexuesin te duhma e  “Hide në kalldrëm”, romani i parë i botuar prej tij, madje dhe disa nga personazhet, që sërish do të sillen rreth një krimi të pazbuluar, në një botë ku magjikja dhe realja shkrijnë kufijtë me njëra- tjetrën./Abcnews.al

ObserverKult