Tomislav Markoviq: Mos ma prekni Kosovën


(Vojislav Koštunica, nga përmbledhja “Letër e hapur botës” (Otvoreno pismo svetu),
cikli “Ndërprerja e raporteve diplomatike me trurin
” (Prekid diplomatskih odnosa s mozgom))

Më beso, botë e nderuar, në fëmijë fëmijën do ta…
Nëse ma prek shenjtëroren,
Sepse e shenjta është e shenjtë, ndërsa vetoja është veto.

Besoj, Marti i rreshkur, po piqesh në zjarr të ngadalshëm,
I ke vjedhur paratë për plan,
Sepse klanin e ke katran, e planin e paplan.

Sall legalisht dhe sipas ligjit,
Djajtë po bëjnë hajgare me të drejtën ndërkombëtare.
Eh, po të ishte gjithçka sipas ligjit.

BE-ja është BE, dhe unë e respektoj atë.
Aty janë paragrafet, prandaj grabit
Le të jetë njësoj si për serbin si për shqiptarin,
Kështu që le të dihet

Me kamionin tim frigorifer transportoheshin, në varrezën time mbërtheheshin,
Gjithmonë ka pasur njerëz të bezdisshëm,
Sepse bufi është buf, ndërsa Škorpioni është ujk.

Me viktima nuk është ngi’ asnjë njeri, siç thoshte Kosta Čavoški,
Dhe gjaku u derdh në çast,
Por çasti është çast, e plaçka është plaçkë.

E tash gjithçka më ka ardhur në majë hunde.
Lumi unë që kam zemër Serbie kush s’më bie n’fije,
Dhe nuk ta jap.
S’mund të rrasesh në gjoksin e dikujt tjetër e të përvetësosh ç’të teket,
Mirë po ju them.

Mos ma prekni Kosovën,
Me të jam krekosur.
Me buzëqeshje në fytyrë
Kallashnjikov kam mbajtur.
Mos ma prekni Kosovën,
Atje jam bërë burrë,
Mashkull i zoti, dhe s’është punë kotnasikoti,
Dhe kjo s’do të ndryshojë kurrë.

Jemi të trentë, botë e shumënderuar, sidomos kur jemi të kërcënuar,
Gjithmonë kemi qenë të këtillë
Sepse gjaku është dhe, e dheu është gjak.

Tash mos pyet se çka do të ndodhte prapë po të ndodhte
Ai bombardim,
Sepse Slloba është Sllobë, e Voja është Vojë.

Sall legalisht, krejt sipas ligjit,
Mos të kafshoftë gjarpëri e t’ma bësh këtu lesh e li,
Po ma merr mendja se po e kupton gjuhën tonë.

Nuk jemi ne aq të parëndësishëm,
Sepse këtu ka më shumë vrasës
Se ç’ka njerëz që po i kërkon Tribunali i Hagës.

Mos ma prekni Kosovën,
Me të jam krekosur.
Me buzëqeshje në fytyrë
Kallashnjikov kam mbajtur.
Mos ma prekni Kosovën,
Atje jam bërë burrë,
Mashkull i zoti, dhe s’është punë kotnasikoti,
Dhe kjo s’do të ndryshojë kurrë.
O, a më duhet t’ua përsëris,
Hiqeni qafe derisa s’ju ka shkatërruar Putini!

Përktheu: Fadil Bajraj


Lexo edhe:

AL WINANS: VETERANI I PASTREHË

ObserverKult