Imer Topanica: Vdekja e nji artisti
Nadje. S’ka nji orë që jam zgjue e nxitimthi po i kaloj rrugicat pothuej të zbrazëta të qytetit ende të fjetun. Jam nisë drejt zemrës së tij, i sigurt tue qenë se quhem Omar. Era, bash njajo çika e përdalë e Motit të Keq, seç po m’i gjen do vrima nëpër rrobat e vjetërueme me m’i futë të njëmijtit gishta të t’akullt të saj, sa të tana qimet e trupit, nji për nji, në kambë po më çohen.
Njerëzit të rrallë nëpër shesh. Nxitojnë për në vendet e punës. Trupi i nji lypsi, mbështjellë me gazeta e rrecka sipër dërrasave të nji banke të shkatërrueme, me gjasë qenka braktisë shpirti.
Shoh orën e dorës dhe ngadalësoj hapin. Nji copë kohe e paskam me u sorollatë poshtë e nalt para se ora e punës me ra e dera e punëtorisë së zdrukthtarisë me m’u çelë. Ndalem pra. Dritorja e librarisë së vjetër ç’ma kujton nji libër. Çudi, dyqani i librave me qenë i hapun? Futem. Gjumi ia kish pasë rëndue qepallat shitësit flokëthinjun, e kryet i ishte shkarkue sipër nji tavoline druni syprine të lëmueme. E marr me mend, mirë e marr me mend pse. Me shekuj s’e trazon kush pluhurin mbi këtë pikturë të rrallë, them me vete. E kush blen libra sot heu? Eh…
— Mirëmjez zotni! — grushti ma godet lehtas syprinën e tavolinës ku prehet kryet me fijet e zbardhuna të flokëve, që lëviz pak, po andrra, duket, nuk e len me u këndellë.
— Zotni! Zotniii! — ma në fund lëviz. Qenka gjallë! Ngre kryet, çel përgjysmë kapakun e synit të djathtë, që shfaqet i kuqërremët, dhe e mbyll prap. Mandej hap përgjysmë të majtin, po qepallat prej çeliku ia randojnë kapakun që i mbyllet risht. Rrotullon kryet në anën e tjetër dhe lëshohet në hijen e andrrave ku qe tue mrizue pakëz ma parë. Grushti ma godet ma me forcë tavolinën dhe ai çel sytë e skuqun, njiherë njanin e tjetrin mandej. Më kqyr nji copë herë, pa mujtë me u shkundë mjegulle të hutisë.
— Çka don? I tatimeve je a? Hhh… hiqmu qafe, s’kam ç’me të dhanë!
— Librin e Rudian Zekthit… — ia kërkoj qetësisht.
— Ah?
— Librin e… — plakut i mbyllen sytë për të satën herë e shpirti i del në shëtitje andrrimtare. Pse nuk luen pak me te?, m’i pëshpërit qoftlargu imagjinatës. Hmmm… Kujtohem dhe aty për aty më ngjallen dreqnitë. E kap për krahu e e shkund, aq sa ia kthej shpirtin në vend dhe, i alarmuem, i them:
— Çou heeej!
— Çka u ba? — tmerrohet!
— Flakët…
— Fla… flakë?
— Flaka t’i ka kaplue librat. Prej bodrumit po të del tym!
— Aha… o falemners, falemners! — asht gati me i mbyll sytë por vrik i çel, tashma i alarmuem:
— Flakë?… Ku?… Çka? — Makina e ndryshkun si t’ish ndonji kamion rus i kohës së Stalinit, lëviz së mbrami, me mundim.
— Tym po të del prej bodrumit… — i them dhe prapohem sa me i lëshue udhë.
— Ah librat e mi! Ah! — nxiton prapa nji rafti. Zhduket. Veç dihama, si muzikë e mërzitshme, m’arrin te veshët, teksa tingujt e hapave të zbritjes shkallëve nxitimthi drejt bodrumit të stërmbushun me libra, e shoqnojnë. Marr nji kopje të «Poezi Panair», tue ia lanë mbi tavolinë kundërvlerën e lekëve dhe dal me u përqafue me erën e ftohtë, çikën lazdrane të Motit të Keq.
* * *
Tetë orë ma vonë, kur mbramja kish shtrue qiellit të braktisun yjsh, sofrën e zezë për vejushën hanë, kambët e lodhuna më çojnë risht kah libraria. Hetoj shikimin zemërak e të lodhun të shitësit flokëbardhë tek më zhbiron. Nuk guxoj me kthye krye. Faqe librarisë ndodhet nji shitore ushqimore e cila më pret me po aq ftohtësi sa më priti mbramja. Blej bukë e cikërrime tjera dhe sa bahem gati me i pague, zani i arkëtarit më tingëllon i njohun fort. Çoj kryet dhe shikoj: piktori e poeti Kalemi, miku jem ma i mirë të cilin kam vite pa e takue.
— Po ti?
— Eh… — buzëqesh trishtueshëm. Të vetmen përmbledhje me poezi, që kish pa dritën e botimit vite ma parë, ia patëm sponsorue ne, miqtë e vet. Me pikturë qe nda edhe ma keq.
— A po shkruen?
Rrudhi krahët. Deshta me e ngushëllue po s’gjeta forcë. U kapëm ngryk.
Dola. Bana do hapa dhe u ktheva te libraria.
— E due këtë përmbledhje! — tregova me gisht kah nji raft i naltë nji kopje të librit me poezi të mikut tem. Plaku mbi të cilin ende hetohej i shqetë njaj tis idhnimi, u zgjatue dhe kapi me mollëza gishtash përmbledhjen në fjalë.
— E kam lexue, asht i hatashëm. S’e di a ka shkruejtë libra tjerë ky autor?
— Jo! — ia prita ftohtë.
— Si jo? E njeh a?
— Të siguroj që s’ka shkruejtë kurrgja ma!
— E pse?
— Se ky artist ka ndërrue jetë tashma.
— Ka vdekë?
— E kan vra.
Mimika iu shpërndërrue prej zemërimit në huti, e nji varg pyetjesh bahet se kishin me m’u gjuejtë mbi shpinë, të mos dilja shpejt me e lypë pikëllimin, mikun tem besnik.
ObserverKult
Lexo më shumë nga Imer Topanica:
Imer Topanica: Kam me të dashtë
Kangë dashnorësh, poezi nga Imer Topanica