Tregime në tri variacione gjuhësore

imer topanica

Nga Mërgim Bekteshi

Në gjashtëmbëdhjetë tregimet në tri variacione të shqipes në librin “Këpucët e vdekjes” të autorit Imer Topanica, janë përmbledhur ngjarje sa në kuptimin social e kërkimor të njeriut ballkanas, më saktë shqiptar, po aq edhe një këndvështrim edhe historik përtej Ballkanit, në tokat e Lindjes. Ky libër i botuar më 2022 nga Shtëpia botuese “Littera”, sjell ngjarje interesante, të kapshme e me intensitet të theksuar të njeriut që nëpërkëmbët përgjatë rrugëtimit historik e mbijetues, për të ngritur një flamur herë të paqes e herë të luftës.

            Në këndvështrimin e përgjithshëm, Topanica e fillon me tregimin “Gjashtë” sa numerik po aq identifikues e historik për një ngjarje te kobshme  që shfaq manifestimin e tmerrshëm të pushtuesve sllavë në Ballkan. Mizoritë e tyre shtrihen edhe në fundshekullin e kaluar në mes të një Evrope të ‘qytetëruar’ që përkufizon të drejtat e njeriut me konventat, pra se si duhej të ishin sjelljet e njeriut në shoqëri. Akti çnjerëzor i njeriut të egër në kohën moderne është më i ashpër se ai në studimin e Malinowskit mbi këtë kategori që shfaqet në çdo kohë, por në kohë lufte ai manifeston bishën, diçka më e egër se kafsha, sepse ajo nuk e ka sensin homosapiens dhe mund të arsyetohet. Kur një grua dhunohet, një qenie e brishtë dhe e pambrojtur edhe nga mallkimi biblik, Topanica e përshkruan bindshëm: “mblodhi copat e dhimbjes vetjake”(f. 18), sepse askush nuk mund të ndiejë pjesën e dhembjes e torturës më shumë se ajo vetë që duhet t’i kapërdijë.

            Vdekja e një artisti, është një tregim tjetër aktual, kemi të bëjmë me humbjen e uzdajës. Ky tregim zbret në një kohë relevante, që tmerrshëm është duke e goditur kulturën e leximit e aq më shumë letërsinë dhe pikturën. Në këtë tregim, një poet duhet të bëjë punë të ndryshme dhe të lërë në harresë artin e tij të njëmendtë, poezinë, për shkak se ajo tani nuk gjendet e kërkuar në shoqërinë e tanishme. Vargu i tij poetik vdes ngadalë nga punët e mbijetesës, e dikush mund të kujtojë në biseda se ai kishte talent për poezinë. Një tregim tjetër me një trajtesë gojëdhënash apo të një përralle, nëse do të mund ta quanim kështu, Me i dashtë a me urrye dritaret, tregon  historinë e një dashurie në mes të një mjeshtri gurësh dhe një çike, siç e quan autori, ku dashuria e tyre ishte “sikur stuhia  me detin”(f.31). Tendenca për të penguar dashurinë në mes të çifteve është një sjellje e kobshme që përfundon me tragjedi. Këtë akt autori e zbret me skenën e vdekjes së vajzës duke dashur dritaret e ustait, dashnorit të saj, ndërsa ustai nuk do të ndërtonte më dritare pas vdekjes së saj, do t’i urrente ato me shpirt.

            Në mjeshtrinë e rrëfimtarit, Imer Topanica largohet edhe përtej kufijve nacionalë, ai rrëfen edhe për vende dhe qytete që lanë nam në histori apo më saktë në përplasjen e qytetërimeve, në përpjekje për të shembur vlerat e njëri-tjetrit. “13” është tregim interesant që përshkruan rënien e Kostantinopojës, Stambollit të sotëm, nën tutelën e osmanëve. Mehmet Fatihu konsiderohej Antikrishti nga Perëndimi, ai kishte vendosur të jetësonte një ëndërr të kalifatit. Pushtimin dhe rënien e qytetit, autori e përshkruan me një trajtë artistike: “Nuk digjej veç qyteti mbi kodrinë, por edhe pasqyrimi i tij në ujët e detit”(f.35). Një tregim historik është edhe I përuluni, ngjarja zhvendoset në pushtimin e Jerusalemit nga Kalifati. Qyteti i pushtuar hershëm nga romakët bie lehtas në duart e besimtarëve myslimanë. Në këtë pikë duket se autori ka një mishërim në mënyrën e orientimit të besimit. Megjithatë, përmes nuancave të transparencës, këtë pushtim e përshkruan me një traktat që ruan vlerat e njëmenda shoqërore që dalin nga normat e kalifatit, trajtimi i njerëzishëm i robërve dhe luftëtarëve. 

Beteja e Galipolit apo beteja e Çenekalasë që njihet nga turqit, trajtohet në tregimin Ushtari ku përshkruhet prezenca e shqiptarëve në luftë përkrah perandorisë. Edhe pse ngjarja rrëfehet nga një i huaj që përshkruan arnautët, kjo betejë është pa një fitues të vetëm, dhe, prezenca e shqiptarëve larg trojeve të tyre në këtë ishull është për keqardhje të madhe. Në kohën kur Perandoria Osmane ishte afër shpërbërjes së saj dhe dukej vetëm mbetja e së kaluarës së saj, disa shqiptarë kishin vendosur t’i dilnin në ndihmë Sulltan Abdul Hamitit, me dijen apo padijen e tyre.

 Këpucët e vdekjes e çon rrëfimin te Sarajeva, masakra e madhe e trajtuar si gjenocid dhe rrugëtimin e një palë këpucëve viktoriane nga Sarajeva-Nishi-Podujeva dhe krejt në fund në Bllacë të Maqedonisë. Në librin e Topanicës ka edhe tregime të tjera të natyrës sociale, hulumtuese, temat i trajton me një subjektivitet të veçantë. Kjo përmbledhje e tregimeve me tematika të ndryshme dhe jo të bezdisshme për t’i lexuar, me një stil dhe narracion autorial, e bëjnë autorin të veçantë.

ObserverKult


Lexo edhe:

IMER TOPANICA: TË FTOJ TË MË VISH, PA KËPUCËT E DYNJASË…

IMER TOPANICA: KANGË DASHNORËSH