
Ju ftojmë t’i lexoni tri poezi të poetes, Zyrafete Manaj:
Atdheu
Veç me dasht’ atdheun nuk është mjaft
me ia zanë brumin e dheut të atdheut pa tharm,
me përqafue çdo ditë si nënën
me ia bo “hyzmetin” pa hile.
Veç me dasht’ atdheun nuk është besa e dhënë,
po me ia zbut dhimbjen,
me ia ujit koren e tokës me djersën tonë,
e përditë me vet veten:
A thua ia freskova naj trohë zhuritjen nëpër shekuj?
Veç me fol mirë për atdheun nuk je patriot.
Me ia mshel çamjet e hapura brigjeve e fushave;
me ia fshi lotin e tronditur përditë nga pak,
kjo është me dasht’ atdheun pa hile.
Peng
E kam marr peng një grusht dhe
me ja fal syve t’mi,
me mjell bindjen time në të
se pa ty vobektë ndihem në minutat
që ikin pa pra.
Të kam lënë peng mallin varur në avli
si teshat nana kur varte në tel
me aromën e evladit që ndjente nga malli i përvëluem për bijën e saj.
T’i kam marr peng pikat e shiut
nga retë e bardha që enden qiellit tënd
me shue shkrumin e buzëve të thara
në tokat e huaja që kryt mbrapa mbet
kthyer kah ti.
Plisbardhi
Kënga – lot
yjet nëpër net lagu
Babloku im.
Heshtja kurr’ s’ta mundi fjalën
përgjakur me kohën ishe
porosinë e rrënjës amanet
kullat të mos i shkel harresa.
Rrudhat t’u mbollën moteve
kur thyhej djalli me të birin
ti fitimtar flamuri
plisbardhi im.
ObserverKult
Lexo edhe: