Tri rekomandime leximi nga Ilaz Hysaj

ilaz hysaj

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir poetin Ilaz Hysaj .
Ja cilat janë tri librat që Hysaj u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

Leximi i librave është kulturë në vete që krijohet nëpër faza të ndryshme, duke filluar nga fëmijëria e hershme me librat e përrallave  që prindërit u lexojnë fëmijëve, për të vazhduar më pastaj me lektyrat shkollore dhe librat që do t’i lexojmë nga biblioteka familjare, ato të shkollës,  qytetit, universitetit, ato që blejmë në librari, ato që na dhurojnë… Dhe gjatë këyre periudhave do të krijohet një relacion i veçantë dhe krejt personal mes lexuesit, autorit,  peronazheve dhe asaj bote imagjinare të librit, pjesë e së cilës bëhesh edhe ti, qoftë si një vizitor i thjeshtë i asaj bote, si dëshmitar, e jo rrallë  edhe bashkëpersonazh në copëza të “vjedhuna” të  jetës tënde “déjà vu”, ku ti do të futesh edhe në konflikt me personazhe, me autorin, ku shpesh  ndonjëherë edhe do t’i thesh hundët, në betejën imagjinare për të riparuar  copëza të thyeme të saj…apo për t’ia vjedhur disa çaste të bukura  personazhit e bërë ato pjesë të përjetimin tënd.

Nga Ilaz Hysaj

Andaj kemi libra të ndryshëm, lexues të ndryshëm dhe forma të ndryshme leximi.  Dhe të zgjedhësh tre libra për të rekomanduar, është po aq e sikletshme sikur të futesh në kopshtin e Edenit dhe të thonë zgjedhi tri lulet më të bukura për t’i ofruar të dashurës !… dhe ti nuk e di a të zgjedhësh nga aroma, nga petalet apo gjethet e bukura.

Sidoqoftë unë do t’i rekomandoja tri libra: një nga letërsia ruse, një nga letërsia shqiptare dhe një nga ajo gjermane..

  1. “PAVIONI I KANCEROZËVE”  nga Aleksandër Sollzhenicin

Në kuadër të literaturës së pasur ruso-sovjetike, përveç klasikëve si Tolstoi, Çehovi, Pushkini, Jesenini, me një çasje krejtësisht tjetër pata lexuar Dostojevskin, gjatë përgatitjes së provimit të psikiatrisë dhe kjo më ndihmoi dukshëm në plotësimin e tablosë së gjendjeve shpirtërore dhe situatave që shpien në manifestimin apo  shpërthimin e “çmendurive” që nuk i gjen dot në librat mjekësor. Romanin “Krimi dhe dënimi” e pata lexuar dy herë dhe leximi i dytë ishte krejtësisht ndryshe, zbërthyes dhe analitik…

Sidoqoftë me lexuesit tuaj do të kisha ndarë  romanin “Pavijoni i Kancerozëve”  të Aleksandër Solzhenicin, shkrimtar dhe matematicien rus, disident i regjimit sovjetik, fitues i çmimit Nobel për letërsi në vitin 1970.

Autori ngjarjen e vendosë në Uzbekistan, disa muaj pas vdekjes së Stalinit ku një funksionar i lartë, model i sistemit, shtrihet për një kohë të gjatë në pavijonin e kancerozëve për një tumor të qafës.

Pol Nikolajeviç Rusanov, një aparashqik, adhurues i pasionuar i Stalinit vështirë do ta kapërdijë realitetin se i duhet të flejë dhe të ketë trajtimin e njejtë me shtresa të ndryshme sociale duke përfshirë aty edhe një disident të internuar në gulaget ruse siç ishte z. Kostologov. Përmes këtyre dy pesonazheve krejtësisht të kundërta si dhe disa pacientëve tjerë që vinin nga shtresa dhe vende të ndryshme të perandorisë sovietike, autori me një mjeshtëri të rrallë, përmes  dialogut dhe rrëfimit arrin të na paraqesë një pasqyrë interesante  dhe mjaft komplete të shoqërisë sovietike në fazën e destalinizimit. Indiferenca e shokëve të “idealit” karshi gjendjes, mungesa e debulesës ndaj tij, frika e reahabilitimit të atyre që ky i kishte denoncuar më herët e sjellë Rusanovin para situatave të vështira që kurrë nuk i kishte imagjinuar më parë, sidomos pas vdekjes së Stalinit. Në anën tjetër përmes personazhit Kostoglotov, i internuar më parë  në Gulaget ruse, do të njihemi me shtresën intelektuale që bartin vlerat të larta njerëzore e që ofrojnë  besim shpresë dhe dashuri.

Mes këtyre dy personazheve qendrore do të interferojnë edhe dhjetra personazhe tjera, pacientë, mjekë dhe infermierë, përmes bisedave dhe rrëfimeve të të cilëve do të pasqyrohet Rusia e shekullit të kaluar me të gjitha padrejtësitë, vlerat,  madhështitë, çmenduritë dhe dashuritë për njerëzit, jetën dhe atdheun. Ata flasin për Rusinë e djeshme  dhe të rinjë e sotëm,  gjendjen e sistemin shëndetësor, biseda filozofike mbi jetën dhe vdekjen, artin, shkencën, mjekësinë,  për shpresat e një terapie me bimë natyrale që mundet t’i shpëtojë, debate të nxehta dhe të lodhshme politike të njerëzve në prag të vdekjes…

Autori përmes këtij romani arrin të paraqesë më mjeshtëri egërsinë e sitemit stalinist dhe fillimin e zbutjes së tij, kurse në anën tjetër  nxjerrë në evidencë atë fuqinë  supreme të sëmundjeve të rënda  dhe vdekjes, të cilat me ligjet e veta  i barazojnë dhe i bëjnë të bashkëjetojnë të gjitha kategoritë shoqërore e politike në një pavijon të trishtë të kanceroligjisë në Uzbekistan…

2. “KUSH E SOLLI DORUNTINËN” nga Ismail Kadare

Letërsia shqiptare do ta dominonte leximin në vitet e mia rinore. Një frymë e favorshme kulturore e viteve shtatëdhjeta do t’a nxjerrë librin në qendër të vlerave, kurse shkrimtarët, krijuesit, po edhe lexuesit, do t’i vendoste si një model të privilegjuar social. Andaj çdo libër që dilte ishte ngjarje, lexohej dhe shpërndahej shpejtë. Përveç autorëve që shënuan këtë letërsi si Jakov Xoxe, Petro Marko, Anton Pashku, Ali Podrimja… rilindasit tanë, një shpërthim të veçantë bëri Ismail Kadare në ato vite, ku çdo libër që vinte nga Shqipëria apo botohej në Prishtinë “gëlltitej” tepër shpejtë. Nga librat e tij, që më ka rënë t’i lexojë edhe në frëngjisht, do ta përzgjedhë romanin “Kush e solli Doruntinën”, jo se kjo është më e mira, por se është nga librat e rrallë që pata lexuar pa ndërprerë, nga fillimi deri në fund.

Edhe në romanet tjera Kadare trajton legjendat shqiptare duke i ndërlidhur ato mjeshtërisht me frymat e kohës dhe ngjarjet. Por te Doruntina, Kadare na e sjellë më bukur se kurrë një tabloid kompleks të luftërave të mëdhe të dominimit mesjetar, ndarjes së kishave që do ta qajnë në dysh tokën e Arbërit dhe besën si një “institucion” që nuk guxohej të shkelej as në varr. Kadare ka përdorur forma poetike dhe paradigma tjera moderne në këtë roman i cili mund të konsiderohet edhe i zhanrit policor meqenëse boshti i zhvillimit të ngjarjes lidhet me anketimet e Stresit, të porositura nga kisha për të gjetur me çdo kusht  se kush e solli Doruntinën e që nuk duhej të ishte Konstandini, sepse kjo binte ndesh me “ringjalljen” e cila sipas kishës i takonte vetëm Krishtit. Udhëtimi i të gjallit me të vdekurit nëpër hapësira t’pafundme, me një kalë qa kalëron territore të largëta, të shkretuara nga murtaja, janë imazhe surreale që çdo lexues i vizualizon si skena apokaliptike të filmave të shkencave fiktive. Dhe kulmi i romanit është takimi i nanës me vajzën e martuar larg, e që Konstatini i kishte thënë besën se në rast morti do ta sillte i gjallë apo i vdekur dhe shoku emocional që nana përjeton kur mëson se Konstandini ishte zgjue nga varri dhe e kishte sjellë Doruntinën e cila mëson po ashtu nga nana se Konstandini bashkë me tetë vëllezerit kishin vdekur nga murtaja…

3. “AMOK APO I ÇMENDURI I MALEJZISË, nga Stefan Zweig

Fillimisht  pata zgjedhur nga Stefan Zweig romanin “Shahisti”, por i influencuar nga çmenduria e politikave inatçore shqiptare që shpërthyen dje, ndrrova mendim dhe ua preferojë t’a lexoni novelën “AMOK”, për të kuptuar atë fuqinë e pakontrolluar destruktive të çmendurisë vrastare, të cilën nuk ka forcë që e ndalë. Është një nga novelat më të bukura të Zweigut e shkruar në vitin 1922, në formë të një narracioni fiktiv, që ngjarjen e vendosë  në ishullin e  Malejzisë.

Narratori duke u kthyer me anije nga Azia në Evropë për shkak të zhurmës dhe vapës në  kabinën e keqe,  kërkon një vend pak më të qetë në anije dhe aty takon natën një personazh të çuditshëm me sjellje të veçanta i cili e lutë të mos i tregojë askujt që e ka takuar aty. I intriguar nga ky personazh narrator rikthehet tek vendi që ta takojë natën tjetër. I panjohuri i ofron një gotë whisky dhe brenda tri orësh pas mesnate i rrëfen gjithë historinë marramendëse me tri ndërprerje të vogla nga gongu i orës. Mjeku i ri holandez, pasi kishte humbur të gjitha, pas një historie me një grua, që e shtyn atë të fusë dorën edhe në arkën e spitalit, nuk i ngelet tjetër pos të shfrytëzojë një thirrje për mision në Malejzi. Aty do të vendoset si mjek, në një provicë disa orë nga qendra, ballafaquar me të panjohurat, klimën tropikale, shirat e vazhdueshme dhe një kulturë  tjetër indogjene që me kohë do ta lodhë dhe ndrydhë doktorin. Pas gjashtë vjetësh, monotoninë, rutinën, do t’ia thejë një vizitë e papritur e një gruaje të bardhë, enigmatike, me vello në fytyrë, e cila vjen në shtëpinë e tij dhe i kërkon një shërbim që t’ia ndërpresë shtatzaninë . Sjellja e kësaj gruaje ishte e ftohtë, arrogante, që nuk lejonte mjekun as ta prekë as ta auskultojë, por thjesht në mënyrë gati autoritare i kërkon që ta bëjë këtë punë shpejtë dhe shumë diskret,  para se burri i saj të kthehej nga një udhëtim. Si  kundërshpërblim ajo i ofron kthimin e menjëhershëm të tij në Evropë dhe një shumë prej 12.000 florinjsh.
Kjo sjellje e ftohtë, subordonuese e çrregullon tej mase doktorin i cili refuzon ta ndihmojë gruan krenare që nuk donte të përulej para tij. Një reminishencë e përjetimit të historive me vajzën për të cilën kishte humbur punën në Holandë. Një ndjesi hakmarrje në pavetëdije sikur po ngjallej te mjeku.
Anglezja krenare dhe e bukur refuzon t’i përulet, mbyllë derën me vrull dhe ikë.
Amoku shpejt e kupton se ka bërë  gabim  duke mos e ndihmuar një grua mondane që me çdo kusht donte ta shpëtonte nderin e saj para burrit të saj që kishte poste të larta në ishuj.  Një vrapim i çmendur fillon nga ky çast. Mjeku e ndjekë atë pas me biçikletë për t’i ofruar me çdo kusht  shërbimin e kërkuar. Gruaja refuzon dhe nuk e le të hyjë në shtëpinë e saj. Mjeku ndjehet edhe më i frustruar. Ai kalon në fazat e para të sjelljes iracionale të pakontrolluara  të një amoku. I shkruan një letër dhe i kërkon falje me përuljen ma të madhe dhe i ofron shërbimin e tij. Gruja i përgjigjet:  “shumë vonë”. Ajo vendosë që abortin ta kryej fshehtas te një grua  kineze, me metoda artizanale, dy ditë para se burri i saj të kthehej. Situata merr rrjedhën dramatike kur një gjakderdhje vë numër në orët e jetës së saj. Shërbëtori me urgjencë vjen dhe e merr mjekun i cili nuk arrin ta shpëtojë. Gruaja në frymën  e fundit e lutë që të ruaj me çdo kusht sekretin dhe nderin e saj. Dhe mjeku ia premton.

Mjeku futet në një lojë tjetër të rrezkshme në fshehjen e shkakut të vdekjes. Ai e lutë, por edhe e kërcënon mjekun e saj të familjes dhe i kërkon të nënshkruajë një raport të vdekjes së papritur nga shkaqe kardiake, vetëm e vetëm  që ta ruajë sekretin e premtuar.
Dyshimet rreth vdekjes misterioze rriten dhe drejtohen nga mjeku holandez i cili fshihet për disa ditë derisa përmes dashnorit të gruas e siguron një biletë dhe pasaportë me identitet tjetër dhe niset për Europë. Në anijen në të cilën rastisë të udhëtojë  është edhe arkivoli i gruas dhe burrit të saj, i cili kishte kërkuar që kufoma të  riatdhesohej dhe t’i bëhej autopsia në Angli. Gjatë një ndalese në Plermo narratori mëson se në anije kishte ndodhur një incident dhe një i çmendur ishte hudhur në det bashkë me arkivolin.
Stefan Zweig i ndikuar nga Goethe, Kleist e në veçanti nga Sigmound Freud, të cilin e kishte edhe mik në këtë novelë përshkruan në mënyrën më të përsosur gjendjen e një çmendurie vrastare që njihet me emrin AMOK,  apo çmenduria malaiziane. / ObserverKult