“Trinia e Shenjtë me tre Hierarkë”, ikona e pikturuar në 1765 nga Athanas Zografi

Ikona “Trinia e Shenjtë me tre Hierarkë” është pikturuar në vitin 1765 nga Athanas Zografi.
Ajo u porosit për kishën Burimi Jetëdhënës nga rufeti i bakallëve të Korçës sikundër e dëshmon mbishkrimi në pjesën e poshtme të ikonës. Muzeu i Artit Mesjetar Korçë bën të ditur se ikona është punuar në një panel druri me përmasa të mëdha, ndërsa kompozimi ndahet në dy zona.
Në pjesën e sipërme paraqitet Trinia e Shenjtë dhe mbi re të ulur në fron paraqitet Ati dhe Biri që mbajnë kryqin. Shpirti i Shenjtë duket lart në formën e pëllumbit dhe prapa tyre duken kerubinët. Në katër cepat janë paraqitur simbolet e Ungjëllorve dhe në të dy krahët shihen dy grupe engjëjsh. Në pjesën e poshtme të veshur me rroba ceremoniale, të dekoruara me motive të shumta floreale paraqiten tre Hierarkët e mëdhenj të Kishës Lindore.
Duke nisur nga e majta në të djathtë paraqiten Shën Grigor Theologu, Shën Johan Gojëarti dhe Shën Vasili i Madh me ungjij në duar dhe duke bekuar. Ikona ilustron preferencën e artistit për modelet perëndimore./ATSH