
Tri poezi nga Afrim Demiri
1.Zogu i ujit
Ra një shi curril
sa çel e i mshel
sytë
E mbushi një pus
me ujë
Pas kësaj
Shiu u ndal
Pikat e fundit
përmbyllën
vizatimin
e zogut n’ujë
Nuk vonoi
ai filloi t’i rrah
krihët
u ngjit në qiell
Sa më shpejtë
që ngjitej
pusi shterohej
Kur zogu i ujit
nuk shihej ma
Në pusin e zbrazun
një mace e zezë
mashtrohej pas
siluetës së qulltë
të zogut të ujit.
P.S. Kjo poezi u shpërblye me Çmimin “Pena e Flakës”, në Manifestimin letrar “Flaka e janarit-2025”, në Gjilan
2.Filxhani dhe deti
Ç’u ngrit një valë
e ma piu kafenë
Në fund të filxhanit
lexova trazimin
e detit
Një bajloz i zi
doli nga filxhani
dhe e tmerroi detin
Unë e pashë
Gjergjin tek
hidhej në det
Pas pak
deti ra
në gjumë
Unë porosita
Kafenë e dytë
Gjergji u kthye
n’ baladë.
3.Fjala dhe peshku
M’ piku
fjala nga mendimet
e m’ ra në lumë
Rrodhi sa rrodhi
trazoi valën si shtjellë
e doli peshku n’ballë
Vetoj një rreze kujtimi
Peshkun e Artë
e praroj
U lëshova pas
si fëmijë
N’ vend të tij
peshkova fjalën
time
M’fal
tha fjala jem
Tash ma
e dashunueme
me Peshkun
M’ iku nga duert
e vazhdoi valëzimin
për n’det
Mbeta vet
në breg
me shijen e lotit
n ‘buzë.
ObserverKult
Lexo edhe: