Triptik për gruan: Kush futet në të, nuk del dot më…

Tri poezi për gruan nga Eduardo Galeano

DRITARE MBI NJË GRUA/1

Ajo grua është një shtëpi sekrete.
Nëpër qoshet e saj ruan zëra dhe fsheh fantazma.
Netëve të dimrit lëshon tym.
Thonë se kush futet në të, nuk del dot më.
Unë depërtoj në gropën e thellë që e rrethon. Do të banoj në atë shtëpi.
Aty më pret vera që do të pi. Trokas në derë shumë ngadalë dhe pres.

DRITARE MBI NJË GRUA/2

Çelësi tjetër nuk hyn në portën e rrugës.
Zëri tjetër çakordohet, nuk këndon dot që nga dushi.
Në banjë nuk ka gjurmë këmbësh të tjera, të lagura.
Asnjë aromë e ngrohtë nuk vjen nga kuzhina.
Një mollë gjysmë e ngrënë, nga ca dhëmbë të tjerë, nis të kalbet mbi tryezë.
Një cigare gjysmë e tymosur, krimb i ngordhur prej hiri, zhulos anën e taketukes.
Mendoj se duhej të rruhesha. Se duhej të vishesha. Mendoj se ashtu duhej.
Brenda meje bie shi i pistë.

DRITARE MBI NJË GRUA/3

Askush nuk do ta vriste dot atë kohë, askush nuk do të mundte kurrë: as ne.
Them: qofsh ti, kudo që të jesh, ose qofsha unë!
Thotë almanaku se ajo kohë, ajo e ëmbël kohë, tashmë nuk është më; ama këtë natë trupi im i zhveshur po të mbyt në djersë.

Përktheu: Bajram Karabolli

ObserverKult

Lexo edhe:

EDUARDO GALEANO: JEMI TË LIRË TË JEMI ÇFARËDO QË DUAM…