Në Komunën e Deçanit është mbajtur mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së artistit të madh të kinematografisë shqiptare dhe teatrore, Xhevat Qorraj, i cili u nda nga jeta në moshën 74-vjeçare.
“Jeta dhe veprimtaria e tij prej artisti, e njeriu të talentuar e punëtor do të jetë frymëzim e shembull për breza të tërë. Do e kujtojmë përjetësisht përmes roleve të tij të shumta në teatër dhe film dhe trashëgimisë që la pas në kulturën dhe artin tonë kombëtar”, ka thënë në fjalën e tij kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.
Ai ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Qorraj, komunitetin artistik, kolegët, miqtë dhe gjithë ata që e njohën! “Shpirti i tij u prehtë në paqe!”, ka thënë Ramosaj. Rolet e tij në teatër dhe film do mbahen mend gjatë dhe do të vazhdojnë të ndriçojnë rrugën e artit për shumë gjenerata.
Teatri Kombëtar i Kosovës ka kujtuar Xhevat Qorrajn për talentin e tij të rrallë, rolet e tij të shumta, kolegialitetin e tij të pashoq dhe kontributin e tij të pafund në kulturën dhe artin tonë kombëtar.
Xhevat Qorraj është varrosur të enjten në vendlindjen e tij në fshatin Carrabreg i Ulët./ epokaere
ObserverKult
Lexo edhe:
ALBIN KURTI I PIKËLLUAR PËR XHEVAT QORRAJN: EMËR QË E KANË SHENJUAR HISTORINË E KINEMATOGRAFISË DHE ARTIT NË KOSOVË
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i pikëlluar për ikjen nga kjo botë të artistit të madh të skenës teatrore e kinematografike të Kosovës, Xhevat Qorraj.
Ai i ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe tërë komunitetit të artistëve në Kosovë, për humbjen e artistit Qorraj.
Më tej, Kurti përmes një postimi në rrjetet sociale ka rikujtuar në detaje, filmat që ka luajtur artisti i madh Qorraj, si në rolin e Prokës, film ky të cilin e ka parë kur ka qenë 10-vjeç e që e ka rishkuar pastaj disa herë, sikurse edhe në filmat e tjerë si “Rojet e mjegullës”, “Si të vdiset”, “Tri dritare dhe një varje” e të tjerë filma që janë të shumtë.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult