U nda nga jeta piktori dhe poeti i njohur, Remzi Limani

Në moshën 69-vjeçare u nda nga jeta piktori dhe poeti nga Kosova, Remzi Limani.

Këtë e ka bërë me dije përmes rrjeteve sociale djali i të ndjerit, Urani.

“Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se sot ndërroi jetë më i dashuri ynë, babi Remzi Limani. Babi, ke qenë forcë dhe mbështetje për ne gjatë gjithë jetës. Ne vazhdojmë të fortë të ruajmë kujtimin për ty! Varrimi bëhet sot me 15.03.2024 me ikindi nga ora 15:00, në varrezat e lagjes “Arbëria”, ka shkruar djali i të ndjerit.

Remzi Limani ka lindur në vitin 1955 në Shalë të Drenicës. Pas fillores në Prishtinë, mbaroi shkollën e artit në Pejë dhe më pastaj u diplomua në Fakultetin e Arteve, Dega e Dizajnit në Universitetin e Prishtinës.

Në krijimet artistike, kryefjalë i ka pasur artet e bukura me intensitet të ndryshëm përmes shprehjeve artistike në fushën e dizajnit, pikturës, poezisë, prozës, eseve, aforizmave, por edhe përmes kuptimeve për artet pamore dhe muzikës artistike.

Ka realizuara dymbëdhjetë ekspozita personale, nga të cilat dy në Itali dhe një me karakter humanitar në Namibi.

Ndërsa nga fusha e letërsisë ka të botuara 13 vepra, prej tyre dy romane. Libri me poezi “Tinguj të humbur” (Sonete Pierdute) i është përkthyer në gjuhën rumune, Bukuresht 2010. Po ashtu, poezia e tij është përfshi edhe në antologjinë poetike “Pagjumësia e fjalëve” (Insomnia cuvintelor) e botuar në gjuhën rumune, Bukuresht, 2010.

Një kohë të gjatë ka punuar në Pallatin e Rinisë, Kulturës dhe Sporteve, në Prishtinë në cilësinë e udhëheqësit të kulturës.

ObserverKult


Lexo edhe:

REMZI LIMANI: KREJT PËR DASHURI

Nëse humbem honeve të mbushura errësirë, nga përhënja për ty ​​do t’isha shpëtuar dalë mendsh mrekullisht.

Nëse mureve të honeve s’do të theja tepelekun e kresë së çakorduar dalë filli,
do të bëhesha një kryebandit dhe do të merrja hajdutqe mbi një kalë të kuq mbuluar me push kadifeje.

Patjetër do të të arrestoja nën çelësin e zemrës time ku pihet uiski dhe digjet puroja kubaneze deri në fund të bishtit.

Në mëngjes do të zgjohesh nën batanie kuajsh, mbi gurë zjarri do ta derdhësh një çaj të nxehtë mali prej një tufe lulesh të thara nën hijen e një shkëmbi të kaltër.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


AGIM BAÇI: DASHURIA NUK GËRMËZOHET

Dashuria nuk gërmëzohet, poezi nga Agim Baçi

Fjalët e dashurisë nuk gërmëzohen,
ato vdesin kur kërkon t’i ndalësh me gërma,
kur kërkon t’i japësh vetëm një emër.

Fjalët e dashurisë janë kohë që rrjedh
dhe vetëm zemra e njeh atë lumë fjalësh,
sepse dashuria është vetë koha
dhe kohën fjalët kur gërmëzohen e ndalin.

Fjalët e dashurisë nuk gërmëzohen me shkronja
Por me lëvizje sysh, duarsh,
dhe me një zë që duket sikur mbetet brenda teje.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult