Udhëtim i shkurtër në një Odise ndryshe

Nga Linda Agolli

Në vitet ’70-‘80, një grup specialistësh shqiptarë niset drejt Evropës për specializim. Asokohe, daljet jashtë shtetit qenë të rralla dhe zor se përfshiheshe në listë, pa harruar se para së gjithash, të dhënat në lidhje me personin shoshiteshin mbarë e prapë. Nga ana tjetër, izolimi dhe mungesa e kontakteve me jashtë, siç edhe autori thotë “shkaktonin situata humori”. Në qendër të librit është grupi i specialistëve, pjesëtar i të cilit është edhe vetë autori si përkthyes dhe njëkohësisht rrëfimtari i asaj që ai quan “Odise shqiptare në Evropë”.
Maksim Konini vjen me një libër krejt të veçantë.

Në formën e një ditari shkruar në kohë reale, shpaloset para syve të lexuesit një faqe e jetës shqiptare, ku përfshihen pothuaj të gjithë elementët që e kushtëzonin atë. Nëse do të më duhej të cilësoja këtu se ç’të vjen ndërmend menjëherë ndërsa lexon, do të sillja pa ngurim fjalët që vetë autori shkruan në parathënien e librit për kolegët “…të cilët, si heronj të heshtur, dhanë një kontribut të vyer për zhvillimin e ekonomisë dhe krijimin e pasurive të vendit tonë të varfër, pasuri që më pas u shfrytëzuan pa skrupull për pasurimin e atyre që nuk kishin pasur kurrfarë kontributi në krijimin e tyre…”

Pas këtyre fjalëve, gjejmë shumë më shumë kuptim dhe të vërteta se sa në çdo lajm mediatik apo seancë parlamentare, ngjarje të shpallura e të pashpallura të jetës shqiptare.

Nëpërmjet ngjarjeve të 40-50 viteve më parë, falë të vërtetave e sidomos stilit me të cilin shkruan M. Konini, nuk i shmangemi dot dallimeve po aq sa edhe përputhjeve me të sotmen; gjithçka e ndryshme në sipërfaqe por shumë e ndikuar në brendësi. Edhe art, edhe vërtetësi, edhe thjeshtësisht thënë, zor se bëhen bashkë.

Autori shkruan dhe nuk le rast për keqkuptim; sinqeriteti është i dukshëm qartë. Për trille, qoftë edhe ndihmëse, as që bëhet fjalë. Nëse ka një trill, ai është gjithçka përfshin monologu i autorit ose ndryshe “të pamundurat për t’u shprehur me zë”.

Edhe pse pas çdo ngjarjeje dhe komunikimi gjenden të nënkuptuara kufizimet, frika dhe kujdesi në të shprehur, padija prej izolimit dhe sjelljet e çuditshme të pjesëtarëve të grupit shqiptar jashtë shtetit, etj. ky libër qëndron shumë larg ankesave, qarravitjeve dhe ardhjes rrotull po të njëjtës temë; asaj të persekutimit dhe vuajtjeve që i gjejmë vazhdimisht dhe po njësoj në disa autorë që nuk sjellin asgjë të re mbi këtë temë.

“Odiseja” vjen para syve të lexuesit me një realitet që shpaloset vazhdimisht, me të mirat e të këqiat e veta, pa rënë në grackën e absolutizimit të njërës apo tjetrës.
Ndoshta në dukje, libri nuk tërheq vëmendjen aq sa josh kur zhytesh në lexim. Nuk ndjehesh i detyruar; libër “i dijshëm” do ta kisha quajtur, libër që “vjedh” vëmendje! Sot ka një orientim tjetër ndaj të lexuarit dhe kur pikërisht, përballë e bri një titulli me “evropë” dhe “shqiptare” brenda tij, gjenden tituj që bien si bombë. Për një lexues vigjilent, përmendja e “odise shqiptare” dhe “Evropë” në titull, e bën atë të mendojë: “në këtë lukuni titujsh, ky lloj përse!?” Mjafton të shfletojë, madje pa ndonjë mundim në të perceptuar dhe brendësuar, dhe do të kuptojë se vendosja në titull e këtyre termave është esenciale, ashtu si e sa përmbajtja qëndron në të vërtetën e saj.

Libër i organizuar strukturalisht bukur dhe ndërthurur rrjedhshëm si i plotë, bëri që një moment, teksa mbaja shënime për të shkruar këtë artikull, të hidhja në letër: “Shumëkujt, leximi i këtij libri do t’i ndihte të kuptonte se pjesa më e madhe e atyre që bëjnë paradën e modës nëpër pasarelat e librarive apo nëpër studiot televizive promovuese, janë thjesht broçkulla për t’iu shitur viktimave”. E dhimbshme, por e vërtetë!

Me leximin e librit “Odise shqiptare në Evropë”, shtyhem në njohjen e një pjese të natyrës së autorit, që vështirë ta shprehësh në letër dhe që është humori i cili zapton nga kreu në fund leximin. Kjo pikërisht, përbën veçantinë e veprës që ashtu si padashje, gjen rrugën për të shprehur ide që Koninit i vijnë natyrshëm në mendje përkatësisht temës.

E pamundur të mos të të kujtohen personazhe të cilët i kemi shumë të njohur. Nga pak Shvejk, nga pak Don Kishotë, nga pak Zylo, personazhet si Shero, Asllani, Fisniku, Beluli, Fatmiri, etj. performojnë në libër një skenar shumëngjyrësh, me në krye paradoksin e të shfaqurit patriotë duke valëvitur gjithnjë si vetëmbrojtje “fytyrën e dytë” të Parisit, atë të “lypësit në dyert e kishave”, “prostitutave të mjera” etj.

Këtë dhe shumë aspekte të tjera, autori i sjell me një ironi të hollë nëpërmjet përshkrimeve, dialogjeve dhe monologjeve, shënimeve dhe prononcimeve personale në ditar, përgjatë turneut të grupit në Francë.

Lakueshmëria me të cilin përshkruhen ngjarjet, situatat e pakëndshme heraherë shpotitëse, por edhe ndodhitë simpatike, gjendjet e brendshme të personazheve, sjelljet e pakuptimshme në momente kritike, reagimet “alla shqiptarçe” në komunikimet me të huajt, interpretimet e të paqënave si të qëna, loja me emrat dhe emërtimet, ironia me fshatin; të gjitha këto, janë sjellë shumë natyrshëm dhe të goditura, veshur me një stil elegant dhe shpesh hijeshuar me metafora, gjë që M. Konini e bën si vetëm ai di.

Vëzhgues i hollë i gjesteve dhe mimikës, autori i jep nur përshkrimit të personazheve; dhe çfarë është më e pangjashmja, asnjëherë fyes apo denigrues ndaj padijes së tyre. “Po farmacia jonë më e vjetër, e cilit vit është? pyeti Fisniku ashtu kot, sa për të kaluar kohën”.

Vetëm në atë “ashtu kot” që sjell fill një lloj ndjenje justifikimi kur e lexon, pra vetëm në këto dy fjalë gjenden ironia, sarkazma, një lloj plage si peng, dhe historia e pabërë dhe e pathënë e shqiptarëve. Shpesh, të tilla pyetje si e Fisnikut, ku spikat naiviteti, ndërgjegja e pandërgjegjshme dhe thirrja për diçka të lënë jashtë dijes, mbeten pa përgjigje por të nënkuptuara nga autori. Ky stil i të vënit në dukje të realitetit, ta lëviz mendimin dhe sjell pikëpyetjen e madhe, përgjigja ndaj së cilës nuk është një “sepse” e thjeshtë por një fakt i pakundërshtueshm, prezent në çdo regjim me pushtet të zgjatur përtej çdo lloj arsyetimi.

Duke e lexuar, e akoma më tepër duke njohur finesën me të cilën vëzhgon, them pa rezervë se interpretimet për gjithë sa ndodhin dhe qëndrimi ndaj lëvizjeve të secilit, në të shumtën e rasteve udhëhiqen dhe stilizohen nga vetë natyra e autorit; natyrë me humor gjithnjë të peshuar.

Më vijnë një nga një para syve skena e situata si ajo e kursimit në të ushqyer, përpëlitje dhe dilema për kalimin e orës së dorës në doganë, shikimi i filmave “edukativë” dhe zhbllokimi i tualetit “me këto duar”, koka e pushpurisur e Llanos, rripi i pantallonave, dialogu për nënshkrimin e kontratës dhe “ky di shumë por hiqet sikur s’di”, rruga në këmbë nga qendra tregëtare deri në hotel, peripecitë e qenit zevzek të Mejerit, fjalët e “pahijshme” për Zhozefinën, zëri i legjendës shqiptare dhe gjarpri suedez, reagimet me delikatesë të francezëve, e plot të tjera deri në faqen e fundit të librit.

Përtej humorit, “Odise shqiptare në Evropë” sjell vlera njohëse. Pothuaj çdo ngjarje dhe lëvizje të grupit të punës, autori e vesh me përshkrim të detajuar të vendeve historike, objekteve të kultit, institucioneve, galerive të artit, muzeumeve, rrugëve dhe rrugicave antike, përshkrim që sjell tek lexuesi imazhe të plota sikur t’i ketë vizituar vetë. Dhe, mes gjithë atij intensiteti lëvizjesh e batutash, ngjarjesh e përjetimesh të paparashikuara, autori gjen kohën t’u kushtohet shënimeve për familjen. Në këtë pikë të leximit, humori kthehet menjëherë në përshkrim të përmallshëm të brendavetes dhe e gjithë kjo qëndron shumë bukur përgjatë ditëve larg njerëzve të dashur.

Nuk them si rëndom thuhet “është libër i bukur”. Them “është libër i shkruar bukur” dhe kjo nënkupton gjithë ato ndjesi që të shkakton eleganca e të shprehurit. Pothuaj kisha harruar se të bërit humor pa përdorur asnjë gërmë banale vazhdonte të mbijetonte, të qe aty, por më zinte pamjen zullumi gjoja letrar që ka pushtuar publicitetin dhe është bërë gati gati psikozë kolektive. Nga ana tjetër, dua të theksoj se gjuha me të cilën është shkruar “Odise shqiptare në Evropë” nuk e lejon përdorimin e termave superlativë dhe aludimin e monumentit ngazëllyes.

Ky libër vjen tepër modest dhe qëndron në arsenalin e krijimtarisë si ajo bima e pazë që nuk tërheq vëmendjen, por që është aty për të dhënë kontributin e vet modest në filtrimin e ajrit.

ObserverKult

—————————

Po sonte kur të zhdukemi bashkë Do zhdukemi bashkë? Përmbi shkëmbinj majë gishtash të qëndrojmë Nën ujë të puthemi pa frymë Përtej shtatë qiejsh të shtegëtojmë.

Lexo edhe:

DASMA, TREGIM NGA LINDA AGOLLI