Thuajse 90 për qind e njerëzve i paragjykojnë gjithmonë gratë – thuhet në raportin e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP). Raporti përmban të dhëna tronditëse ndaj barazisë gjinore. Përkundër përparimit në mbylljen e hendekut të barazisë, 91 për qind e burrave dhe 86 për qind e grave kanë të paktën një paragjykim ndaj grave në lidhje me politikën, ekonominë, arsimin, dhunën ose të drejtat riprodhuese.
Indeksi i “Normave Sociale Gjinore” analizon bindjet sociale që pengojnë barazinë gjinore në fusha të tilla si politika, puna dhe arsimi dhe përmban të dhëna nga 75 vende, duke mbuluar mbi 80 për qind të popullsisë në botë. Sipas raportit, rreth gjysma e burrave dhe grave në botë mendojnë se burrat e kryejnë më mirë detyrën e udhëheqësit në politikë, dhe mbi 40 për qind mendojnë se burrat janë drejtues më të mirë të biznesit dhe se burrat kanë më shumë të drejtë për një punë kur ato janë të pakta.
Sipas raportit, 28 për qind e justifikojnë dhunën e një burri ndaj gruas së tij. Hulumtimi gjithashtu ofron të dhëna sesi po ndryshon paragjykimi në rreth 30 vende të botës. Rezultatet tregojnë se ndërsa në disa vende ka pasur përmirësime, në të tjera, qëndrimet duket se janë përkeqësuar vitet e fundit, duke sinjalizuar që progresi nuk mund të merret si i mirëqenë.
“Ne kemi bërë një rrugë të gjatë në dekadat e fundit për të siguruar që gratë të kenë të njëjtën qasje në nevojat themelore jetësore sikurse burrat. Ne kemi arritur barazi në regjistrimin e shkollës fillore dhe zvogëlimin e vdekshmërisë së nënave me 45 për qind që nga viti 1990. Por, boshllëqet gjinore janë ende shumë të dukshme në fushat e tjera. Lufta për barazinë gjinore ka të bëjë në rend të parë me luftën kundër paragjykimit”, – tha Pedro Conceiçao, zyrtar i lartë pranë UNDP.
Kjo analizë e re hedh dritë mbi arsyen pse ekzistojnë “boshllëqe” të mëdha në mes burrave dhe grave në ekonomitë tona, sistemet politike dhe korporatat tona, me gjithë përparimin real në mbylljen e pabarazisë gjinore në fushat themelore të zhvillimit si arsimi dhe shëndetësia; dhe heqjen e pengesave ligjore për përfshirje në politikë dhe ekonomi. “Për shembull, ndërsa burrat dhe gratë votojnë me norma të ngjashme, vetëm 24 për qind e ulëseve në parlamente në të gjithë botën mbahen nga gratë dhe ka vetëm 10 gra që udhëheqin me qeveritë nga 193 vende”, thuhet në raport.
Dokumenti thekson se gratë në tregun e punës paguhen më pak se burrat.
“Ndërsa gratë punojnë më shumë orë se burrat, kjo punë ka më shumë të ngjarë të jetë pa pagesë”, – sipas rezultateve të hulumtimit. “Ka pasur një angazhim efektiv për të siguruar përfundimin e boshllëqeve në shëndetësi ose arsimim. Por, tani ky angazhim duhet evoluojë për të adresuar diçka shumë më sfiduese: një paragjykim thellësisht i rrënjosur – midis burrave dhe grave – kundër barazisë së mirëfilltë”, tha Achim Steiner, administrator i UNDP-së. UNDP u bëri thirrje qeverive dhe institucioneve të vënë në funksion politika të reja, që përmes arsimimit dhe ndërgjegjësimit të ndryshojnë këto besime dhe praktika diskriminuese.
“Për shembull, duke përdorur taksat për të stimuluar ndarjen e drejtë të kujdesit dhe përgjegjësisë për fëmijë ose duke inkurajuar gratë dhe vajzat të kyçen në sektorë tradicionalisht të mbizotëruar nga burrat, siç janë forcat e armatosura dhe teknologjia e informacionit”, – thuhet në raport.