Nga Esmeralda Shpata
Unë e dua atë. E kam të ndaluar ta prek, por ta shoh nuk më pengon dot njeri. E dubluar e prek.
Kam krijuar një realitet të dytë pa rregulla. Edhe ai është trembur pak, ftesat e mia ikanake e kanë shqetësuar disi.
Në historinë time nuk ka vend askush tjetër. Në qoftë se do të mundesha t’ia tregoja ndokujt, nuk do të isha më e dubluar.
Unë mbledh boronica natën. Natyrisht, asnjëherë nuk ua kam parë degët. Po të mund t’i merrja me mend shkurret e tyre, nuk do të kisha nevojë të sajohesha në një formë tjetër të vetes sime.
Dje u rrëmbyem.
Pa asnjë hezitim, bëmë gjëra. Gjëra të tilla nuk bëhen publike. Mbështetem pas murit dhe marr frymë thellë. Atëherë kam bërë punë të pëlqyeshme për njerëzit.
Tani po dal nga shtëpia. Dikur ishte ndryshe. Nuk e vija re kur dilja. Tani edhe unë kam filluar të besoj te gjërat e pashkruara. Edhe rastet e përjashtuara e përbëjnë një rregull.
Nuk e di sa është data sot. Ky muaj është dubluar. Kam frikë ta mendoj si do të ishte origjinali. Mund të isha më e qartë. Ka ndodhur një rast që s’është i zakonshëm.
Tema është e shkurtër. Nuk është as letrare.
Askush nuk u tregoi për mua dhe jetën time me dubla. Unë zgjodha të jem vetë rrëfimtari.
Ata, realët, duan të jem një formë e zakonshme e vetes sime.
Unë u vetësakrifikova. Përfund meje jam vetëm unë. Unë dhe vendi ku fshihem.
*Titulli i origjinalit:”Shpërfaqem”
ObserverKult
Lexo edhe:
ESMERALDA SHPATA: MË KA IKUR NJË JETË E TËRË PA TY… POR TANI TË GJETA…