Unë jam nji shkallë gurit

Atmosfera që rrethon këto shkallë asht e jashtzakonshme, të duket se jeta po pastron shenjat e vdekjes me dritë e me lule…

Nga Gjergj Jozef Kola

Unë jam nji shkallë prej gurit e due me ju kallxue nji histori tragjike, që u luejt në trupin tem sot me 2 Nandor 2020. Mbi mue kanë kalue shumë kambë ushtarësh të huej, nisë nga osmanët që gjetën vdekjen këtu, mandej francezët e Napoleonit e nazistët hitlerianë që ikën në humbje e sipër…

Unë e ruej ende sot mbi trupin tem krismën e kambës pushtuese, porse ruej edhe gjurmë lavdijet e njerzish të mrekullueshëm të këtij qyteti bri Danubit. Kur mue si shkallë gurit më dhanë emnin e kryeqytetit të botës Jeruzalem, për nder të 3000 vjetorit të tij e unë u shendova si kurrë ma parë.

Sonte sapo kishte ra muzgu e ora në Glockenplatz tingëlloi 20, kur njerëz të gëzueshëm po turreshin nëpër trupin tem, shkallëgurit, për me nxanë vendet e pakta, të mbetuna bosh në Bermudadreick-un Vjenez. Në mesnatë ka me nisë Lockdown-i e për nji muej gjithçka ka me ra në nji heshtje fantazëm. Natyra si me dashtë me kallëxue dashamirësinë e saj, ka çue sonte nji muzg të butë vjeshtet, të pazakontë.

Unë e ndjeva se si ai po afrohej e sa shkeli në mue lëshoi krismat e para prej kallashnikovit, e menjiherë më ngjau me nji Zunami të pabesë. Lëshoi pelerinën e zezë që e mbulonte përdhe e shkeli mbi trupin tem me mjekrrën e zezë, tri armët e terroristit dhe thirrjet arabe.

Sapo shkeli në mue e doli matanë ndeshi në nji fytyre të njomë engjullore të nji të riu të zhytun aq shumë në andrrat e ditës e të jetës saqë as sytë nuk ja hodhi. Xhihadisti me sytë e kuq si dragoni gojëzjermit i drejtoi armën e i thirri n´arabisht.

“Mos gjuej!”, i tha djaloshi 21 vjeç me andrra në ballë, tue pa xhihadistin në sy me guximin e nji njeriu të ndershëm.

Terroristi lëshoi nji breshni nëpër trupin tem e unë nuk ndjeva dhimbje, deshta me u ngritë e me u ba strehë e mburoje djaloshit të ri që e vështronte me tanë pafajsinë e guximin rinor.

“Jam shqiptar e i ndershëm!“, i tha në gjuhën e nanës sikur me e ndje se ishin fjalët e fundit.

Xhihadisti ja kuptoi çdo fjalë e cdo tingull e nuk ngurroi, porse  me sytë e mbushun me zjermin e vdekjes e qëlloi pa mëshirë e shkoi tue thirrë e tue shpërnda plumbat nëpër lokalet përreth.

Unë mbylla sytë nga dhimbja e ndjeva trupin e djaloshit të pafaj që ra ngadalë e u mbështet në mue. Më asht dukë vedja si nji Tatë e nji Loke që merr në krahë birin e vet…

Xhihadisti u soll për 9 minuta me radhë nëpër Bermudadreick-un vjenez e vrau edhe tre të tjerë e plagosi 25 të pafajshëm që po gëzojshin natën e fundit të parakarantenës.

Çdo krisëm e tij më futej në krahnor e unë mblidhesha në vedi me tanë kambët e mija, derisa nji plumb e depërtoi natën e zezë dhe trupin që vidhte vdekjen e palosi përtokë.

Të nesërmen nadje kur mbi mue u hodhën lulet e para e u ndezën qirat e parë mora vesht se terroristi xhihadist dhe djaloshi 21 vjeç me andrrat ma të bukura të botës në sy, vinin nga i njëjti vend, nga Maqedonia e Veriut e ishin shqiptarë e kjo ishte hera e parë dhe e fundit që ishin takue në kët’ jetë.

Xhihadisti quhej Kujtim e shkeli mbi mue tue lanë nji kujtim të randë terrorizmi, porse unë jam nji shkallë prej gurit mijavjecar e kam me ja dalë tana stuhive të kohës.

Vjenë, Nandor 2020

ObserverKult