Ura e harruar e Zogut, një shekull histori…

Prej tridhjetë vjetësh, Ura e Zogut nuk është më funksionale.

Vitit 1999, do ta njihte këtë tanimë, monument historik e kulturor, si të tillë edhe zyrtarisht.

Ura me harqe mbi lumin Mat, dëshmitare e ndërveprimit mes dy pjesëve të mëdha veri-jug është sakaq e përmendur në shumë vepra të shkrimtarëve të mirënjohur vendas e me gjerë, në Ballkan e deri përtej kopshtit të harlisur shkëmbor të Evropës…

E hasur sa edhe e njohur, gjendja aktuale e kësaj dëshmie të gjallë të kohës, nuk i përngjan asaj të simotrave, me apo pa status. Gjurmët e viteve janë të dukshme, ngjallin trishtimin e braktisjes, harresës…

Historiku

Më 26 maj, të vitit 1927 u përurua ura ku, inxhinieri Gjovalin Gjadri zbatoi projektin e kolegut të ri zvicerian, asokohe vetëm 30 vjeç, Erwin Schnitter, i punësuar nga firma triestine “Mazorana & Co. Triest”.

Ndërtimi mbi lumin e Matit do të shërbente për rrugën kryesore kombëtare, nga Jugu në Veri të vendit, si një nevojë urgjente e kohës.

Ishte ministri i Punëve Botore, Musa Juka që u kujdes për punimet e një ure që shkonte afro 500 metra në gjatësi e me këmbët e ngulura në thellësi të madhe në lumin Mat.

Por vërshimet nuk e kursyen as atë dimër, kur gjatë punës, në vitin 1926, prurjet e rrëmbyeshme përllogariteshin me 1200/m3 për sekondë.

Më herët, për urën kishte pasur projekte nga inxhinieri gjerman Back, i cili kishte marrë si pikë ndërtimi fushën e gjerë. Para ngritjes së asaj me gjashtë harqe, secili prej 54 metrash, në atë zonë kishe pasur një urë të ndërtuar nga ushtria austriake, si një udhë ushtarake që kalonte Lezhën dhe synonte të vijonte përtej lumit Mat, që edhe asokohe përshkruhej si i fuqishëm dhe me rrymë të fortë e të vrullshme.

Austriakët zgjodhën si vend ndërtimi, pikën ku lumi përshkonte malin e fundit, për të hyrë në fushën e gjerë dhe aty ngritën një urë 500 metra të gjatë, me këmbë çeliku të ngulura në thellësi të madhe.

Kështu shkruante në kujtimet e tij ministri i qeverisë së Zogut, Musa Juka. Rruga vijoi drejt jugut, deri në frontin e ushtrisë italiane, e cila nga ana e saj kishte ndërtuar një rrugë ushtarake Durrës-Tiranë.

Kur ushtria austriake u tërhoq, më 1918-ën, e shkatërruan krejt urën që patën ndërtuar. Pas luftës, banorët e krahinës ngritën si mjet të përkohshëm një trap, me kabllot dhe lëndët që lanë austriakët.

Ura e re mbi Mat, u ndërtua me çimento dhe hekur, me një sistem nga më modernit për ndërtimin e urave për kohën. Në përurim morën pjesë deputetë, senatorë, si dhe autoritete nga Shkodra dhe Lezha.

Qysh në ngritjen e saj, nisi të njihej si “ura e Zogut”, pasi vetë mbreti – atëherë ende president – ishte ideatori i ndërtimit e ndoshta edhe krenaria e krahinës nga vinte, transmeton ‘konica.al’.

Ura u bë pikëtakimi dhe kalimi nga Shqipëria e poshtme me atë të epërmen. Kur më 2001 u rikonstruktua nën financimin gjerman, u shpall edhe si më e bukura në Ballkan, për vlerat arkitekturore dhe inxhinierike.

Ballkani – si një urë mes Lindjes e Perëndimit, Ura e Matit – si një lidhëz mes veriut e jugut, me frymë perëndimore në infrastrukturë dhe në arkitekturë.

Ura që i rezistoi luftës dhe regjimeve, rrezikon fshirjen e historisë, ndërsa përballet çdo ditë me gërryerjen “e pavullnetshme dhe të vullnetshme”, që mundet të jetë një armik serioz saç egërsia e lumit, gjatë, thuajse një shekulli…

————————

Lexo edhe:

Dëmtohet Ura e Zogut e cila është monument kulture (Video)

ObserverKult