“Ura e Kanionit”, tregim nga Ndue Dedaj

Ndue Dedaj

Tregim, prolog nga Ndue Dedaj

…Një ditë kur po flisnin, si gjithmonë, aty nga ballkoni i tyne natyror mbi Kanion, Kalajani në njanën anë të honit e Urana në anën tjetër, befas doli ylberi.

Ajo i thirri atij ta mbante nga ana e vet, e ajo nga e saja, e kështu harku i ylberit të bahej urë! Kot që ishin lodhun, ja ku paskësh qenë ura e tyne, e fshehun në re, nën diell e nën shi. Ura ishte ulun nga qielli. Tani nuk do ta linin ma t’u ikte. Por jo, harku i tij prej shtatë ngjyrash erdhi tue u zhbamë. Ah, nuk donte ta besonte vajza, se dhe ylberi kishte qenë nji hije si gjithë të tjerat!?…

***

Skapjana ishte një pllajë e pamatë, as në tokë as në qiell. Po si mund të ishte një vend ashtusoj? E, pra, Skapjana rrinte si e varun në ajri. Nuk kishte qenë kurrë e banueme. Shtëpitë ishin vetëm treqind metra ma poshtë. Për me shkue nalt e përmbi nalt, në Skapjanë, nuk kishte shteg, ngjiteshin vetëm dhitë e egra, rrah më rrah, pasi terreni ishte gjithkund pingul.

Rrallëkund të haste syni ndonjë pjerrtësi të zhveshun. Banorët e katundeve nëpër pllaja e shpatina e shihnin Skapjanën si një çati natyrore mbi krye. Nuk kishin guxue ndonjiherë të ngjiteshin atje. Ajo ishte toka e Zotit dhe e rrufeve. Një bari që ishte nisur drejt saj, duke u kacavarun si ketër nëpër gurë e shkurre, kishte përfundue në greminë e as sot e kësaj dite nuk kishte vorr.

“S’kapet ajo anë”, kishin thënë njerëzit dhe ashtu i kishte mbetun emni, Skapjanë.

Por s’kishte qenë e thënë që ajo naltinë të mbetej jetë e mot djerrinë e paskajshme. Kishte plas lufta si nji murtajë e at’herë njerëzit ishin shtërngue të fluturonin si shqipet tërmales pa udhë, tue gërmue me kazmë e qysqi me ditë e me net në shkamb, deri sa pas tre muejsh kishin mujt me hap nja tri shtigje tue krijue shkallë në gur, sa me ngul njeriu disi kambët në ngjitje a zbritje. Dhe ashtu, pak nga pak, ia kishin dalë të ngrifnin jetesën në pllajën mahnitëse që zor me ta rrok syni.

Tash kur kishte luftë njerëzia ngjiteshin në Skapjanë, kur ishte paqe punonin bashtinat poshtë në katunde.

Nëse këndej nga ultësina ishin hapun ato tri shtigjet e frikshme dhe njerëzit bënin si bënin e ngjiteshin, për me kalue në anën tjetër të Skapjanës, matanë Kanionit, nuk kishte kurrfarë shtegu. Vendi atje thirrej Tejdejë. Atje as shpezët e egra nuk kalonin, aq humnerë ishte. Tejdeja shtrihej përkundruell Skapjanës, në të njajtën naltësi dhe gryka e Kanionit ishte aq e ngushtë, sa njerëzit e të dy anëve flisnin përditë mes tyne, por nuk mund të takoheshin.

Ata kundronin gjithçka në oborret e shoqi – shoqit, por nuk shihnin asgja poshtë kambëve të tyne, në lugun e Kanionit, pasi terreni ishte gjithë karma të frikshme. Asnji krushqi nuk ishte lidhun andej dhe këndej Kanionit marramendës, që niste në bjeshkë e përfundonte në fushënajë.

Kurrë nuk kishte pasun hasmëni mes dy anëve të asaj humbelle, pasi përse do të ngatërroheshin ata gjind? As nuk kishin mundësi t’i banin dam njani-tjetrit në toka e livadhe, as të lakmonin gratë e shoqi-shoqit me i ba jarane. Ishte Kanioni në mes si një sfinks i pashembullt.

Kishte pasun djem nga Skapjana që kishin dasht vajza nga Tejdeja, apo e anasjellta, po nuk kishte ba vaki me u lidh asnjiherë ndonji çift, pasi s’mund të takoheshin. Ndoshta ashtu do të kishte vazhdue, nëse nuk do të ndodhte diçka e gëzueshme, që do ta ndryshonte përgjithmonë atë gjendje mos merr e jep me dy anëve të Kanionit. Kishte lëshue nji bletë andej, e cila, ashtu shtëllungë në lëvizje, kishte kalue kanjonin e ardhun këndej, ku u vu ta mblidhte tue rrahun dy guraleca në dorë Kalajani, deri sa bleta zuni në nji lis afër oborrit të tij… Por a do të bante ajo mjaltë për ta?

Dy të rinjtë e dashunuem së fundi, Kalajani e Urana, nuk kishin nevojë t’i çonin fjalët e dashunisë me letra, mbi flatrat e ndonji laureshe, pasi flisin përditë aty ku ishte nji ballkon shkambor me pisha anash. Aq pranë ishin sa dukej se po të zgjasnin duert do të përqafoheshin.

Mundet që dikur dy anët kishin qenë një mal i pandamë, por kushedi si ishte shkandullue toka brenda saj e kishte shpërthye uji tue krijue atë Kanion gjigand. Ai kishte ba be se nuk të lë pa të marrë. Ajo ishte betue, o bahem grueja jote, ose nuk martohem kurrë!…

Po si do të bahej e mundun. Atij i duheshin gjashtë ditë udhë me kalë rreth e rrokull atyne kreshtave dhe liqenit bjeshkëtar që të vinte tek ajo! Njeriu mund ta bante njiherë atë udhë të paudhë, por jo përherë. Për tri ditë njerëzit e Kanionit shkonin në Pashtrik, por nuk hidheshin dot te njani-tjetri, ani se kullat i kishin ngritun maje shkrepave si zgjatim i humnerës.

Kalajani këput lule këndej e hidhi andej se mos e ndihmonte era dhe mbërrinin në duert e vashës që donte, Urana gjithashtu mblidhte zambakë të bardhë dhe pasi i bante tufë, zgjaste dorën e i hidhte… Por veçsa mbushej me to Kanioni që nuk i shihej lumi që e përshkonte, pasi ujët shkonte herë mbi tokë e herë nën tokë.

Ishte lumi ma i çuditshëm i asaj rrokullie, thoshin të vjetrit. Emnin e tij e mbante vajza… Dikush thoshte se atë emën e kishte, ngaqë nuk kishte pas kurrë nji urë mbi atë Kanion, pra si një thirrje drejtue zotave, se vetëm ata mund t’i përpiqnin krye më krye Skapjanën e Tejdejën.!…

  • Or Gjinoc, për besë veç Uranë nuk duhej ta quaje vajzën, se ky emën asht si një mallkim.
  • Pse të mos jetë bekim? Ku i dihet që nuk ka me pasun kurrë urë!? Kam ndie se njerëzit kanë shpue detet e kanë vu ura!…
  • Detin, po, or shoq, po dy anët tona, kurrë jo! Qysh atëherë kur u krijua ky Kanion, ky vend u mallkue për urë.
    Urana ishte lumnue fort nga fjalët e të atit. Një natë kishte pa andërr se ishte shtatzanë e do të lindte jo një kërthi, por një ur’… ah… uh… o Zot! Kishte kërcye nga shtrati e trembun dhe kishte dalë në oborr.

    Mbi Kanion nderej hana si në përralla… I tha të nesërmen Kalajanit se ata duhej ta banin vetë urën e tyne mbi Kanion, ani se nuk kishin mujt me e ba gjindja e të dy anëve në treqind vjet, se ajo do të niste një gur sot e një nesër të bante kambën e urës asaj ane, kurse ai duhej të ndërtonte kambën nga ana e tij. Muret do t’i forconin me lesh delje të përzier me vezë…
  • E kam shkue dhe unë sa herë ndërmend. Bile kam pre disa lisa të gjatë në pyll për shtratin e urës. Por ma parë duhet të ndërtoj nji kala për me u mbrojtë nga anmiku.
  • Po Skapjana asht vetë kala! Mjafton me i mbyll ato tri shtigjet që vetë njerëzit kanë hap dhe s’ka anmik që ngjitet!
  • Ëh, duhet, duhet kalaja! Se tash asqerët mund të ngjitën me konopë të trashë, me shkallë, me kuaj fluturues!…

    Urana ndjeu një therje brenda vetes. E dinte që kalaja nuk ishte nji fjalë goje. Aq ma tepër që gurët e randë do të nxirreshin në skaj të Kanionit e do të tërhiqeshin për tërmal për me u lidh në mur. Ajo e kishte mendjen te ura, ditë-natë vetëm atë mendonte.

  • Shihte si hija e njanit mal binte mbi tjetrin, por hija kurrë nuk mund të bahej urë. Edhe pse dashunia mund të ngrinte ura dhe aty ku nuk kishte, prapë hija mbetej hije, ajo zhdukej sakaq. Nuk kishte nji gja ma mashtruese sesa hija. Kështu që ajo nuk i besonte hijes. Duhej nji urë prej druri, a prej guri… a prej shpirti.

    E shihte Kalajanin si stërmundohej tue nxjerrë gurë për kalanë dhe i dhimbësej fort. Një ditë kur po flisnin te ballkoni i tyne mbi Kanion, befas doli ylberi. Ajo i tha Kalajanit ta mbante fort nga ana e tij, e ajo nga ana e saj, e kështu harku i ylberit të bahej urë!

  • Kot që ishin lodhun, ja ku paskësh qenë ura e tyne, e fshehun në re, nën diell e nën shi. Ura e tyne kishte zbritun nga qielli.

    Nuk do ta linin më t’iu ikte. Por jo, harku i tij prej shtatë ngjyrash erdhi duke u shpërbamë. Ah, nuk donte ta besonte vajza, se dhe ylberi kishte qenë veçse nji hije dhe asgjë tjetër!?…

    Kaluan muej e kalasë vetëm sa i ishin hedhun themelet. Urana tashma kishte fillue të dyshonte se lumtunia e saj do të murosej në ato themele, jo se Kalajani nuk e donte, por ai ishte i dhanë me mish e me shpirt mbas asaj ngrehine. Ndoshta duheshin mote deri sa të dilej në bedena. Me sa duket ky kishte qenë fati ynë, mendonte ajo netve, Kalajani të ngrejë kalanë, unë urën!…

    Një ditë i ati e sheh të mërzitun dhe e pyet:
  • Çfarë ke, moj bijë? As bukë nuk po han, as ujë nuk po pin!
  • Due me ndërtue urën e Kanionit!…
  • Po si mund ta bash ti urën, kur nuk e banë shekujt?
  • Do ta baj unë! Nuk rroj dot pa Kalejanin!…
  • Ashtu?
  • Po, për besë!
    Ai, pasi ndigjoi këto fjalë, e mori të bijën dhe shkuen tek arka ku mbante florinin, që e kishte fitue me krahët e tij në minierat e Europës.

    Thellë – thellë, në shtratin e Kanionit, filluen të ndigjoheshin zana të largët njerëzish dhe disa krisma të forta “bam – bam” që sikur trandnin tokën. Nuk kishte ndodhun kurrë, ndaj askush nuk i besonte. “Na bajnë veshët”, thoshin.

    Epilog
    Kur Kalajani pau Uranën para tij nuk u besoi syve. Këqyri se mos asaj i kishin dalë flatrat?…
    U vendos që dasma të bahej në kala atë vjeshtë, por ia behu ushtria e huej anmike dhe kalaja duhej për luftën.

    Ura kishte qenë andrra, lufta zhgjandrra…

    ObserverKult

Ndue Dedaj

Lexo edhe:

NDUE DEDAJ: KUR GOJËDHËNA E TEJKALON VETEN…

Nga Ndue Dedaj

Gojëdhanat, aq më tepër mitet dhe legjendat janë mjaft të vlefshme, deri atëherë kur nuk mëtojnë të bëhen histori.

Kur ne duam me patjetër t’i marrim të mirëqena ato, si fakte historike, këtu gabimi ynë është i dyfishtë, pasi në radhë të parë deformojmë një “materie” folklorike dhe nga ana tjetër përpiqemi të bëjmë histori me një lëndë që nuk është e saj.

Thuhet se gratë mirditore mbajnë shaminë e zezë në krye qysh nga zija për vdekjen e Gjergj Kastriotit. Kjo është gojëdhënë, se po të ishte histori do të dinim më e pakta se si ishte mbulesa e kresë e grave mirditase para vitit 1468.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult