Valbona Bajrami: Mbaj të gjalla gratë e vendit tem

I.

nuk ka thuajse asnji muaj viti

që mëmëdheu nuk veshet n’zi

humbë diku udhëve të botës

kumtin e zisë theksojnë lajmet:

*trafikoi vajzën, rrëmbeu çikën

rrahu cucën, ngacmoi gocën

vrau gruan*

mbijnë lulegjaku

stinë e pa stinë.

II.

kur Nandori vjen

kuqet toka e qielli

kujtojnë veprimtaret

sikur të ishin kope delesh

jo si atë burrin e pushkës a penës

që në njëjës e lajnë në bronz, i thurrin lavdi

për gra, vajza, çika, cuca e goca

që dhanë jetë për vendin

ngritet memorial në shumës:

– Heroinat –

turma burrash në inaugurime

prejnë shirita të kuq

diku nji pllakatë përkujtimore shkruen:

– Dëshmoret e Kombit –

pa emna

përfshihen që të gjitha

në drita të Hyjneshës në Fron

udhëkryqeve të vendit

i ngujuen që t’gjitha në monumentin:

– Nana Shqipni –

dhe me kaq synojnë se përfundon

lavdia e grave.

III.

sa herë vjen Nandori

skuqemi nga e sotmja

kur ju thërrasim në emën:

Teutë,

Shotë,

Musine,

Parashqevi,

Savesti,

Urani,

Marie,

Nana Ajshe,

Lokja Zahide,

Adile,

Hyrie,

Ylfete,

Nurie,

dhe ti, Xhevë, që t’veshën në bronz

por ama *falë i qofsh* burrit

apo dhe ti, Yllkë, e vocërr në moshë

që e dite saktësisht se përse s’deshte përmendore

skutave të Shqipnisë ju kujtojnë

pllakave përkujtimore në shumës

pa emën

e na rrnojmë të sotmen për nesër

me shpresë të ndrojtun

që s’e kanë n’jet me ndryshu asgja.

IV.

Nandor i Kuq,

kush të ruejti n’pllamë të dorës

e na u ba himn me t’a dashtë lirinë

ardhmëri merr penë,

kurr s’asht vonë

nga akte të mbrojtuna t’botës së civilizueme

ashtu si vepruen vise të tjera

në mbrojtje të grave:

Vivandière, Lotta Svärd,

Fallschirmjäger, Oireachtas,

Ausiliari Femminile, Woman’s Auxiliary.

V.

na zhvesh nga të zezat

Nandor

mos i le n’hije

kujtoj me emën, thirri në emën

— mbaj frymë për frymë të gjalla

gratë e vendit tem —

ObserverKult