Valdeta Dulahi: Pak botë ka mbetur brenda meje…

valdeta dulahi:


Tashmë kur nuk zotëroj dot as veten.
Pak botë ka mbetur brenda meje.
Do të bëhem shpejt dhè
e stinët do kalojnë mbi mua.

Dimri do më shndërrojë në shtojzovalle të bardhë, krejt të bardhë.
Vera do më ngjallë mbi kolovajzë,
nga ato që lokja më patë ndërtuar nën dardhë,
tjetër kolovajzë as s’pata ëndërruar,
se nuk pata parë.
Lulet e qershisë do më bëjnë kurorë
e aroma e tyre do më bëj erë.
Atë kam ëndërruar përherë,
të isha aromë lule qershie.
Ani se vetëm në një stinë do jetoja.
Ç’rëndësi ka koha kur zotëron jetën?

Vjeshta do më lajë mykun e mermerit, ndoshta dhe mua erën e tokës.
Ajo ishte jeta për mua:
Aroma e luleve të qershisë.
Era e tokës pas shiut.
Fërshëllima e furtunës së acarit.
Tingulli plluq – plluq i shiut që rridhte pullazeve pasi kishte pushuar.
Hëna me lëmë mbi Gjurin Dinak.
Tashmë kur nuri i saj ka rënë mbi mua
asgjë nuk kërkoj nën zotërim
veç harrimit se ekzistova.

Pastaj lutuni që lulet e qershisë të rrojnë më gjatë.


*Titulli i origjinalit: “Sakura”

ObserverKult

————————

Lexo edhe:

VALDETA DULAHI: LOKES