Valdeta Dulahu: Të dashurosh është të duash të jesh gjithçka në asgjë

Mos e bëj!
Ti e dije.
Ai kërkonte fli për mungesën.
E mbushja e mungesës nuk është dashuri.
Dhe mbi kujtimet e bëra gërmadhë
s’ngrihen ëndërra, Danjë.
Shpirti i kallur lë hirin pas.
I njëjti gabim s’falet përsëri, Danjë.

Dashuria ekziston,
por nuk ka formë.
Nuk është prej mishi.
Është frymë, aromë, zjarr, fuqi.
Është gjithçka dhe asgjë.

Të dashurosh është
të duash të jesh gjithçka në asgjë.
Asgjëja absolute është dashuria, Danjë.

Pse u besove
fluturave në bark
shkëlqimit të syve
këputjes së gjunjëve?
Janë njerëzore.
E dashuria s’është e përgjithshme.
Është unike.
E vetme është gjithçka.
Një botë.
Një vdekje.
Një ferr.
Një jetë.
Një parajsë.
Dhe dashuria është një.

Mos e bëj!
Tashmë je asgjë.
Ji kështu e vdekur, Danjë.

*Titulli i origjinalit: “Lutje”

LEXO EDHE: TI DËSHIRON TË KTHEHESH, POR UNË S’KAM NDRYSHUAR!