
Nga Valerio Orlić
1. Frymë që psherëtinë
Natës ia fal heshtjen
që lundron nëpër ândërr.
Ngrohtësinë e shpirtit valë
që vibron tue përkund
ditën e përgjumun
zemrën tème zdritë
dhe mbush ngrohtësi
kângë dashtunie
tek pulson
Valët bâjnë buzët, flokët
hala t’ngrohta
nepër dritën që derdhet –
mureve të qytetit
në zemrën që rrahë me gulçim
fort e ma fort.
E shpirti njeh
këtë ndjenjë përjetësie
që vjen si pije dehëse
E dashtunia, me afsh
të yshtë n’qafje
kur shpirti – shpirtin
e njeh përnjimè.
2. Pikon
Shpirti m’pikon pikla gjaku
më vijnë si mirëqenie paqe
derisa shpirti m’loton kokrriza
si thërmoja zalli,
çdo pikë – dahadah – më prekë.
Rrmih nepër zallë të gjallë
ndonëse i zi dheu ka nji ngjyrë.
Njajtë sikur ari që shndritë
në terr
njashtu zdritin piklat e shpirtit tèm.
Qetësisht më ndiq natën,
mos t’landojnë t’miat munime.
Secila pikë ma shumë ndriçon
me duert tua kur i praron.
Përkëdhele shpirtin tèm puthe kur frymon
e pikla t’prarueme natën ta ndrijnë.
Çdo pikë, kângën e vet shkruen
e kjo më shumëzon.
Nga krejt dhimta, vuejtja
e mjerimi
nga krejt lotët gjaku i derdhun.
Âsht kânga për mue uzdajë e gjallë
edhe kur shpirti thermohet si zallë
3. Në heshtjen tème
Aq shumë zâna në heshtjen tème
pluhuni ka mlue zbulesen
e harrueme
me gishta grryej, âsht e gjallë
n’ketë terrinë secila shkronjë, secila fjalë
Derisa digjoj zâna t’shpërndamë
e secila fjalë m’zgjon kadalë
dikush bojë shkrimi m’falë
praroj kângë qëndisë me ar
Shkruej, e zâni më flet “nalu”
krejt çka don me thânë âsht thânë
para teje kam rrnue, kam frymue
ditët me pluhun m’kanë mlue
Me sa zâna me t’hesht ty,
qjella âsht shymun me hanën n’sy
fati ndojherë m’vjen me natë
se n’krue t’rrnese
po nigoj zânin tèm
Valerio Orlić (Rijeka, 1967) âsht themeluesi dhe president nderi i Shoqnisë Letrare Kroate. Ai âsht redaktor dhe recensues i aktiviteteve botuese të saj. Njashtu redaktor i revistës “Krik” dhe anëtar i Bordit editorial të revistave “Književno pero” dhe “Zadarski književni ljetopis”. Ka botue njëzet e dy përmbledhje me poezi dhe libra me kritikë letrare (“Ogledala” 2019).
Veprat e tij letrare janë të përfaqësueme në antologji dhe revista në Kroaci dhe jashtë saj. Âsht përkthy në pesëmbëdhjetë gjuhë të botës.
Shqipnue e kfjellue nga Halil Matoshi
ObserverKult
Lexo edhe:
Ribotohet libri i Halil Matoshit “Udhëtim nëpër zhgjëndërr të keqe”






