Nuk kam mëkatuar sa duhet… poezi nga Joumana Haddad

joumana haddad

Poezi nga Joumana Haddad

Jam Lilita, gruaja fat.
Asnjë burrë nuk ia doli
t’i shpëtonte magjepsjes sime,
asnjë burrë nuk do të donte t’ia mbathte prej saj.

Jam Lilita, hënë e dyzuar.
E zeza përmbushet me të bardhën,
se dëlirësia ime është shkëndija e shthurjes,
unë, e përkora, zanafilla e së mundshmes.
Jam gruaja parajsë që ra prej qiellit.
Jam unë, parajsa e dorëzimit.

Unë, virgjëresha fytyrëqiellore e veskeqes, nëna-dashnore
dhe gruaja-burrë.
Nata, sepse jam dita,
e djathta, sepse jam e majta,
Jugu, sepse jam Veriu.

Jam Lilita, gjinjtë e bardhë.
I papërballueshëm hiri im, se kam floknajë korb të zezë dhe të gjatë
e sytë e mi janë të mjaltë.
Unë, gruaja parake,
kurrë e kënaqur,
sepse jam takimi i përkryer,
përmbushja dhe arritja,
rebelja e mospranimit.
Legjenda thotë se nga toka u krijova për të qenë gruaja e parë e Adamit,
por unë kurrë nuk iu binda.

Jam gruaja gosti
dhe gostiarët e ftuar,
Demoni flatëror i natës,
Sumerët dhe Kananejtë
më quanin perëndeshë të ngashnjimit dhe dëshirës,
mbretëresha e epshit të marrë dhe shenjtorja e masturbimit,
unë jam fati i pavdekshëm,
se më çliruan nga kushti
i mëmësisë dhe bijimit.

Jam Lilita që kthehet nga qelat e papërlyera të harresës,
luanesha e Zotit dhe perëndesha e dy netëve.
Mbledh në kupën time
atë që s’mund të mblidhet,
e më pas e pi,
se jam vetë tempulli dhe priftëresha.
Pikë s’ lë për kërkënd,
që mos mendojnë se kisha aq sa desha.
Çiftohem me veten
dhe vetveten shumëfishoj
të krijoj pasardhës të racës sime,
e mandej dashnorët i vras
t’ u hap udhë atyre që ende s’më kanë njohur.

Jam Lilita, gruaja e pyllit.
S’ kam njohur një pritje
shpresëmbushur,
por luanët dhe sojin e përbindshave të pastër.
Ngjiz ijet e mia
për të thurur rrëfimin,
mbledh zërat në rropullitë e mia që numri i skllevërve të jetë i plotë.
Ushqehem me trupin tim që mos të paditem se jam e uritur,
pi ujë nga trupi im
për mos qenë dergjur kurrë
nga etja.
Gërshetat e mi janë të gjatë për dimrin dhe valixhet e mia të thella s’ kanë fund.
Asgjë s’ më kënaq,
asgjë nuk më nginj
dhe ja tek kthehem
për të qenë mbretëreshë
e të zhdukurve në rruzullim.

Jam rojtarja e bunarit dhe pikëtakimi i kundërshtive.
Puthjet mbi trupin tim janë vraja të atyre që guxuan.
Prej fyellit mes kofshëve të mia ngrihet kënga ime
dhe prej këngës sime mallkimi derdhet si uji në tokë.

Jam Lilita, dy hënat,
dora e çdo shërbëtori,
dritarja e çdo virgjëreshe,
engjëlli i rënies
dhe ndërgjegjja e gjumit të lehtë.
Vajza e Dalilës, Mari Magdalena dhe shtatë zanat.
S’ ka antihelm për mallkimin tim.
Nga epshi im lartësohen malet dhe rrjedhin lumenjtë.
Kthehem të përmbyt me dallgët e mia velin e drojës dhe të thaj plagët e mungesës me aromën e shthurjes.

Nga fyelli i dy kofshëve ngrihet kënga ime
dhe nga epshi im gufohen lumenjtë.
E si të mos ketë baticë
sa herë që një buzëqeshje shkëlqen mes buzëve të mia vertikale?

Sepse unë jam e para
dhe e mbramja
kurtizane e virgjër,
epshi i frikësuar,
e adhuruara e përbuzur
dhe e mbuluara lakuriqe,
sepse jam mallkimi i asaj që paraprin,
mëkati i zhdukur nga shkretëtirat prej braktisjes së Adamit.
Ai endet andej-këndej
me përsosmërinë e thyer,
e zbrita në tokë dhe ndeza për të lulen e fikut.

Unë jam Lilita, e fshehta e gishtërinjve këmbëngulës,
gërmoj shtegun,
zbuloj ëndrrat,
ndaj qytetet me përmbytjen time.
Nuk mbledh çifte të çdo lloji në arkën time:
të kundërtën bëj,
derisa seksi të pastrohet nga çdo lloj dëlirësie.

Gjithë ëndrrat janë të çelura për mua,
jam ndërgjegjja e gjumit të lehtë,
vesh dhe strehoj ëndrrën,
josh barkat larg dhe nuk udhëheq stuhinë.
zhdavaris qiellin me dhelpërinë e një reje, kështu që askush se merr dot mjaltin tim.
S’ kam shtëpi, as nënkresë,
jam zhveshja që i jep lakuriqësisë lulen e saj të kuptimit.

Jam Lilita,
kupa dhe shërbyesi.
Erdha t’ ju them:
Më shumë se një kupë për mua.
Erdha t’ ju them:
Shërbyesi është i verbër.
Erdha t’ju them:
Adam, Adam, ti je i zënë me shumë punë të tjera,
por e rëndësishmja
është një.

Mblidhmë,
nevoja është e vetme,
eja mblidhmë nën shiun e syve të tu,
çaji thikshëm malet në pafundinën time,
gdhendi kujtimet e tua në kujtesën e pëllëmbës sime
dhe frymo tigreshën që pulitet në shpatullat e rrëzuara.

Jam Lilita, kafshimi i mollës,
librat shkruan për mua edhe nëse kurrë s’ më keni lexuar.
Jam kënaqësi e pafre,
gruaja tradhtare,
përmbushja e epshit
që shpie në plojë të plotë,
këmisha ime është
dritarja drejt çmendurisë.
Kushdo që më dëgjon meriton vdekjen,
por edhe të pabindurit
do vriten si pendestarë.

Jam brendësia e hënës,
humbja e udhës është busulla ime,
shtegtimi shtëpia ime,
asnjë vizitor s’ troket në portën time,
asnjë shtëpi nuk të shpie drejt dritares sime,
asnjë dritare nuk është e pranishme,
por ëndja mendore e një dritareje.

Nuk jam kryeneçësi,
as kafshë barre e lehtë,
më tepër rrëqethje
e tundimit të parë.
Nuk jam kryeneçësi,
as kafshë barre e lehtë,
më tepër fashitje
e keqardhjes së fundit.

Jam Lilita, gruaja fat,
vallëzimi i fundit i Salomesë,
venitja e dritës,
kacavjerrem natës sate gur pas guri
çdo herë që dielli i mungesës gjakon horizontin,
kacavjerrem që të vendos një ëndërr në sofër,
rrëmih brenda ëndrrës sate endacake,
ndërtoj dhomë për kokën time gjumit tënd.

Për flakërimat e mia ngjis shkallëzat e natës,
për ëndrrat e tua kërkoj
jo sigurinë, por vegimet e kota,
jo mbërritjen, por kënaqësinë e mosmbërritjes,
nata jote është shkallëza drej meje
dhe dora ime përfund imagjinatës.

Jam Lilita, dy gjinitë,
seksi i dëshiruar,
marr, po nuk jam dhënë,
i sjell Adamit të vërtetën
dhe Evës gjirin e vet të egër
për të rivënë ligjikën e krijimit.

Jam e vetmja e cila ishte mbarsur nën shënjën e dalldisjes,
ajo, prania e së cilës lartësohet,
ajo, gjuha e së cilës është koshere bletësh,
ajo e cila është një tortë ngrënë e hequr mënjanë,
ajo e cila është uria vajtuese
dhe që Limbon ruan.

U martova me mitin dhe të vërtetën për të qenë dyfishe,
unë, Delilah, Salome dhe Nefertiti mes grave,
unë, mbretëresha e Shebës, Helena e Trojës dhe Maria Magdalena.
Jam Lilita,
nusja e zgjedhur dhe gruaja e lënë,
nata dhe zogu i natës,
gruaja e së vërtetës dhe legjendës,
Ishtar, Artemis dhe erërat sumeriane.
Unë, errësira femërore
jo gruaja dritë,
asnjë interpretim s’ më përkufizon,
jam e panënshtruar në çdo kuptim.

Unë, Lilita, engjëll çoroditur,
gruaja e parë e Adamit
dhe shthurësja e Satanit,
piktura e seksit të shtypur dhe klithma e tij më e zhurmshme,
e turpshme,
se jam nimfa e vullkanit,
xheloze, se jam e ëmbla pëshpërimë e ngulmët e vesit.
Parajsa e parë s’mund të më duronte,
u dëbova, sepse mbjell rrëmujë në tokë,
se punët e nënshtetasve të mi në shtretër mbarështoj.

Unë, hyjnesha e dy netëve,
fati i mendjeurtit,
bashkimi i gjumit e zgjimit,
unë, embrioni i Poetit,
që sjell rrotull veten
dhe e gjej sërish.
Kthehem nga mërgimi
për t’ u bërë nusja e shtatë ditëve dhe hiri i ardhmërisë.

Jam luanesha joshëse që kthehem të turpëroj kokëulurit
dhe mbretëroj tokën,
kthehem të shëroj brinjën e Adamit dhe çliroj çdo burrë nga Eva e tij e mëkatit.

Dora ime është çelësi drejt flakës dhe egërsia e shpresës,
trupat tuaj janë krande
dhe dora ime oxhaku,
dora ime është dëshira e shfrenuar,
me besim ajo lëviz malet.

Unë jam Lilita
dhe kthehem nga mërgimi të trashëgoj vdekjen e nënës që solla në jetë.

Ujdisi shqip Rielna Paja

ObserverKult

Lexo edhe:

KËSHTU JAM UNË…POEZI NGA LIBANEZJA JOUMANA HADDAD