Shkruan: Prof. Robert Nuha
Më treguan që është themeluar Ansambli Shtetëror Shqiptar i Këngëve dhe Valleve në R. e Maqedonisë së Veriut. Krejtë natyrshëm, u gëzova pa masë. Më kaploi një lloj entuziazmi e gëzimi i papërshkrushëm. Po, me të vërtetë. Sepse ndalova për një çast dhe më dolën përpara gjithë ata njerëz që me shumë pasion e mbajtën gjallë kulturën, traditën e gjuhën e pasur shqipe pavarësisht rrethanave, dhe po, më në fund i’a dolën që të bëhet institucionale.
Sigurisht, duke qenë koreograf e kërkues i gjuhës së trupit, krijues artistik, direkt më shkoi në mendje që do vij një ditë që unë do krijoj me, dhe, për këtë ansambël, një Valle që do të buroj nga ai vend, por do të përfshij gjithë shqiptarët e bashkëkohësit anembanë trevave. Çfarë nuk e dija është, që kjo ditë erdhi shumë shpejt dhe unë sigurisht u ndjeva i privilegjuar. Ndërsa sot ndihem i vlerësuar me punën, përkushtimin e angazhimin e secilit/es anëtarë/e të këtij Ansambli, me përkushtimin e jashtëzakonshëm të drejtorit kompetent, artist e të palodhshëm z. Shkodran Tolaj, me lojën, virutozitetin e gjithë kërcimtarëve të cilët e mishëruan krijimtarinë time dhe e bën që unë sot të ndihem krenar me Vallen e Paqes.
Më intrigoi tejmase krijimi i një Valleje e cila përcjellë dhe luhet në nderim të asaj që na duhet të gjithëve, Paqes, më stimuloi sensin kreativ idea që kjo Valle u bë në 20 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, me një fjalë idea u konkretizua për një qëllim madhor. Duke pasë një peshë të tillë, puna që më priste përpara ishte me përgjegjësi të madhe, si në pikëpamjen artistike për të gjetur gjuhën adekuate fizike e interpretative, që përshtatet dhe buron nga kapacitetet e trupës, mirëpo edhe për të ndërtuar një koncept bashkëkohor të tërësis së veprës e cila patjetër duhej të ruante origjinalitetin e saj shqiptar, por edhe të kishte tendencë për t’a zhvilluar motivin në masën e kërkimit koreografik bashkëkohor, të cilin unë e aplikoj dhe përpiqem ta zhvilloj e përhap si qasje artistike gjithandej ku punoj dhe veproj. Kjo për shkak të rëndësisë që ka të qenurit koherent me atë që ndodhë dhe, kryesisht lëvrohet artistikisht sot në botë, mendësi kjo që e kultivoj përditë, besoj dhe e transmetoj tek gjeneratat e reja me shumë pasion, njësoj siq ka bërë profesori e mentori im profesional z. Gjergj Prevazi në fillimet e mia, e të cilit i jam mirënjohës gjithë jetën.
Sakrifica njerëzore për Liri, për shprehje të lirë, për besim dhe për gjeneratat e reja mendoj që është gjëja më humane e sublime dhe si e tillë, vendosa të kthehem në Eposin tonë të jashtëzakonshëm, në Xhamën e Burrave të Malësisë së Madhe, si një ndër ritualet më të veqanta që i kemi si popull, si një ndërë pasuritë shpirtërore që na lidhë direkt me atë se, kush e sa të vjetër jemi si popull, sa pasuri të jashtëzakonshme kemi në çdo cep të vendeve tona. Kështu vendosa që Vallen ta filloj me Xhamën e Burrave si homazh për gjithë të rënët për Liri dhe për ç’do formë sakrifice që shqiptarët kanë kaluar për të ardhë deri në ditën që të Kërcejmë të Lirë. Nuk e di pse, por në ç’do hap e lëvizje që bëja në procesin krijues së bashku me ata kërcimtar fluturues të kësaj trupe, më qonte në kujtimet e mia të pashlyeshme për tashmë të ndjerin, mjeshtrin e madh të skenës, profesorine e mikun tim të paharrushëm, kërcimtarin fluturues, Rexhep Çeliku. Fillova të kujtoj kohën kur unë punoja e ushtrohesha nga Xhepi, fillova me idenë e kërcimeve me shkëputje që e karakterizonin atë, me shpirtin e tij që rrinte në këtë botë vetëm për të kërcyer dhe për t’u bërë inspirim për gjenerata e gjenerata… Kështu, nuk munda të ikja nga perla koreografike shqiptare, “Kreshnikët e Lirisë” të mjeshtrit të madh Panajot Kanaçi. Aty e gjeta inspirimin për të konceptuar një Valle që i thërret Paqes Universale.
Vendosa që të dominoj unifromiteti në kostum, duke pasë në mendje peshën e barabartë të sakrificës së vajzave, grave e nënave shqiptare me burrat. Kostumi, tirqet e plisi i bardhë që bartë në vete forcën, e dashurinë për atëdheun, për njëri-tjetrin mendoj që është një ndër pikat kryesore të fuqisë estetike e emocionale që e pasurojnë veprën në tërësinë e saj, duke I lënë hapsirë elementëve teknik kërcyes, peshën e duhur, duke i dhënë mundësi kërcimtarëve të interpretojnë ato motive shqiptare të përpunuara me më shumë lehtësi e komoditet.
E gjithë kjo falë punës së palodhshme në kostume të Ilir Lokut, të cilin e falënderoj për përkushtimin dhe dashurinë që i ka falë kësaj vepre dhe gjithë procesit. Një element tjetër tepër i rëndësishëm, është pikërisht krijimtaria muzikore e komponuar mjeshtërisht nga artisti e kompozitori z. Valton Beqiri, i cili me punën e tij dhe gjetjet artistike muzikore si për nga temat që përdorë e gjithashtu edhe nga mënyra e kompozicionit i ka dhënë dinamikën dhe gjendjen e duhur emocionale e artistike gjithë veprës.
Të gjithë kërcimtarët, pa dallim, më kanë impresionuar me punën dhe kreativitetin e kapacitetet e tyre interpretative, me disiplinën institucionale, me përkushtimin dhe dashurinë që I falin procesit krijues më ka inspriuar që t’a konceptoj shfaqjen si një ç’ast I një kërcimtari i cili del në fillim me xhamadanin dhe plisin në dorë, I veshë dhe koha “ndalon”, koha I përket valles, motivet e së cilës I prezanton me aq elekuence, virtuozitet e peshë skenike Faton Xhoni, një kërcimtar që në përceptim ka një lidhje tejet organike me Vallen e Paqes, duke u pasuar me Elegancen e peshën artistike të kërcimtarës e artistes Albana Metallari Loku e cila me lojën e saj mishëroi fuqinë e madhështinë e gruas shqiptare.
Në idenë time bazike në ndërtimin e konceptimin e Valles së Paqes ka qenë tendencë që pesha e kërcimtarëve të jetë e barazpeshuar, duke i dhënë rëndësinë dhe vlerën e duhur secilit e secilës prej tyre, e të cilët bartin mbi supet e tyre veprën artistike kërcimtarë si- Xheneta Zeneli që me interpretimin e shpejtësinë e saj të jashtezakonshme në kombinim më kërcimtarin elegant e tejet të shkathët e ekspresiv; Samir Thaçi, së bashku me kërcimtarët e talentuar e me veçoritë e tyre interpretative; me rëndësinë e pakontestueshme në Valle si Jeton Ferati, Sara Islami, Bali Saliu, Majlinda Selmani, Enes Ademi, Peme Hoxha, Betim Jakupi, Edona Loku, Ariat Rexhepi, Fatime Bytyqi, Riat Fazli, Fitore Berisha, Gzim Marovci, Xhejda Jusufi, Avni Zeneli I kan dhënë Valles së Paqes origjinalitetin dhe peshën e duhur skenike.
U jam mirënjohës!
Vallja e Paqes në dramaturgjinë e saj përmbanë dashurinë për atdheun, refleksionin mbi të kaluarën, gjamën e dhimbjen e popullit shqiptar, sakrificën, vajin e fuqinë e gruas, gjamën e harenë, motivet shqiptare e qasjen bashkëkohore të të kërcyerit, tolerancën, historinë e popullit shqiptar dhe rëndësinë që ka ajo për gjeneratat e reja, Të shikuarit nga e ardhmja dhe nga mirëkuptimi e Paqja…
Ansambli Shtetërorë Shqiptar i Këngëve dhe Valleve në Maqedoninë e Veriut, u jam mirënjohës të gjithëve për dashurinë, mikëpritjen dhe bashkëpunimin që keni treguar ndaj meje, shpresoj të kemi mundësi tjera në të ardhmen!
Paqe dhe Dashuri për të gjithë!
ObserverKult
Lexo edhe:
“DO TA TRADHTOJ ATDHEUN”, POEZI NGA SHKRIMTARI SIRIAN MUHAMMAD AL MAGHOUT