Varfi: Jetojmë në kohë toksike…

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poetja Anila Varfi.

Cila ështe idea juaj për lumturinë e përkryer?
-Jetojmë në kohë toksike ku nuk është dhe aq e lehtë të takosh gëzimin e aq më pak lumturinë. Por gjithësesi, koncepti im mbi lumturinë fillon kur ajo çka unë mendoj, flas, veproj dhe ajo që unë dua, janë në harmoni perfekte, atëherë kjo është lumturia ime e përkryer, por pa harruar natyrën që është si lakmues i ngjyrimeve të emocioneve të mia.

Cila është frika juaj më e madhe?
-Përgjithësisht mundohem ta kontrolloj frikën, guxoj, luftoj, qëndroj. Ajo që i frikem më shumë është e panjohura, misteri i saj. Shkurt i frikësohem vetëm universit, ajo është frika ime më e madhe.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Angela Merkel është gruaja, udhëheqësja dhe qytetarja që më bën ta admiroj në çdo gjë të sajën. Ajo, liderja vizionare që arriti të shkruajë histori për Gjermaninë, Europën e botën. Merkelit i admiroj fuqinë dhe përkorjen njëherazi. Mënyra se si i koncepton dhe i arrin gjërat më frymëzon.

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
– Do të kisha dëshirë të identifikohesha me Benjamin Franklin. Gjithëdijshmëria e tij në fushën politike, artistike si dhe vullneti i çeliktë që ka pasur për të punuar me vehten cdo ditë, për t’u bërë njeriu i veshur me të gjitha virtytet, dhe ai u bë njeriu më i virtytshëm në botë.

Cili është tipari juaj që nuk ju pëlqen ?
-Ajo që do të doja të ndryshoja tek vetja është tipari i tolerancës së tepruar. Jo rrallëherë e gjej vehten të përfshirë në gjeste tolerimi edhe kur do të duhej të ishte krejt e kundërta.

Cili është tipari që nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Dyfytyrësinë nuk mundem ta toleroj. Kam ndjerë neveri, revoltë kur jeta më ka përballur me qenie dyfytyrëshe. Për mua ato janë në gjendje të shkelin mbi gjithcka e gjithkënd pa kurrfarë brerje në ndërgjegje.

Në cilat gjëra e teproni ?
-Kur më duhet të realizoj punë me shumë përgjegjësi dhe me afate, e teproj me stresin. Ngarkohem aq fort emocionalisht, aq sa ua përcjell edhe bashkëpunëtorëve. Mundohem ta evitoj sadopak duke mos i lenë në limit afatet e punëve.

Çfarë do të shtynte të gënjenit?
– Nuk kam gënjyer dhe nuk do të gënjeja kurrë. Por, ka raste kur të thënit e gënjeshtrave të bardha do të ishin gjëja më e arsyeshme për t’u bërë. P.sh me vetëdije do zbukuroja fakte nëse do të bëhej fjalë për të ndihmur një student shumë të talentuar, ky do ishte rasti që do të zbukuroja fakte në emër të dickaje të bukur që do të mund të realizohet.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Udhëtimet janë hobi im. Kam udhëtuar në shumë vende të rruzullit, por udhëtimi im i preferuar do të ishte në Bali, Arktik dhe Ekuador.

Cilën frazë apo fjalë e përdorni më së shpeshti?
-Kur më mërzisin fjalët që më burojnë lehtësisht janë: hajvan e laraskë. Nërsa përtej mërzisë përdor: në djall vafshi. Ndërsa kur dua të përkëdhel përdor fjalët: shpirt, kinge, zemër e shumë epitetete të tjera…

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Më vjen keq që nuk kam luftuar shumë më shumë për të realizuar projektet e ëndrrave të mia. Pendim ndjej vec për kohën e pakët që kam harxhuar me nënën time, për t’i shërbyer sadopak si dhe për të qenë e rrethuar nga dashuria e saj.

Cila ose kush është dashuria juaj më e madhe në jetë?
-Unë kam një dashuri të madhe për fëmijët e mi dhe dashurinë e jetës sime. Gjithashtu kam një dashuri e cila i dedikohet Zotit.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-Ndodhem në gjendje të frymëzuar, ndjej nevojën të shprehem artistikisht përmes fjalës, imazhit e muzikës.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetëvetja, cila do të ishte ajo?
-Ndoshta paksa sensin e tepruar të vetëkontrollit. Shpesh ky lloj vetëkontrolli i tepruar më ka dëmtuar duke më ulur ritmin, e kur ritmi humbet, koha të sfidon.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe ?
-Së pari që e njoh mirë vehten dhe që vehtja ime është mike me mua. Shkurt ndërgjegja ime nuk më qorton shpesh. Arritje kosideroj gjithë cka unë jam sot; Një nënë e ngopur me tre dashuri bijsh të shkëlqyer, një grua në karrierë, një femër me integritet moral, profesional si dhe një grua e fortë.

Nëse do kthenit kokën cfarë do të ndryshonit?
– Do të ndryshoja vendodhjen time do të kisha dashur të jetoja në të tjera hapësira
gjeografike.Them hapësira dhe jo hapësirë se do të doja të jetoja në shume vende, sepse më intrigon të jetoj si boheme.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Nëse do të ekzistonte mundësia e kthimit pas vdekjes në një objekt do të kisha dashur të isha pasqyrë. Dhe po ua tregoj dhe arsyen pse: sepse gjithmonë sa herë shoh veten në pasqyrë apo kur shoh të tjerë që kundrojnë vehten pasqyrave, më vjen të pyes vallë ne si i dukemi pasqyrës … jo sic ne e shohim vehten në pasqyrë.

Cila është gjëja më e shtrejtë që posedoni?
– Jeta, mendimet e mia që kanë evoluar me kohën dhe eksperiencat, me vuajtjet,
gëzimet, dashuritë, humbjet e zhgënjimet. Sigurisht që jeta e një gruaje, nëne është në barazpeshë me jetën e fëmijeve të saj. Thënë ndyshe jeta ime baraz me fëmijët e mi dhe jeta e fëmijëve të mi bëhet vetë jeta ime. Unë jetoj, luftoj, sakrifikoj, vuaj dhe duroj veç për ta.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
– Për mua është varfëria e miliona njerëzve në mbarë rruzullin. Njerëz që luftojnë me ekzistencën për një kafshatë bukë. Ndiej revoltë e trishtim të papërmbajtur kur e di dhe shoh realitete të tilla që armik kryesor kanë indiferencën njerëzore.

Ku do të dëshironit të jetonit?
-Hawai është vendi që do të kisha dëshirë të jetoja. Aty ku gjelbërimi zgjat e nuk ka stinë , aty ku e madhështia e oqenit të rrethon. Do kisha dëshirën që cdo ditë pa zbardhur mirë dita, të isha në mes të oqeanit me sërfistët duke pritur dallgët.

Çfarë vleresoni tek një mashkull?
-Më së pari tek një mashkull vlerësoj shumë butësinë e shpirtit, mençurinë dhe pastaj bukurinë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
– Tek një femër më së pari vlerësoj feminilitetin dhe mencurinë, pastaj sigurisht nëse do të kishte karakterin e fortë dhe hiret femërore, për mua do të quhej femra ideale.

Cili është shkrimtari juaj i preferuar?
-Shkrimtari im i preferuar është Tolstoi. Më sygjestionon gjenialiteti i letërsisë së tij në mënyrën se si ai sjell natyrën njerëzore, dashurinë, dhe seksualitetin; raportin mes fizikes dhe shpirtërores.

Cilët janë heronjt tuaj në jetën e vërtetë?
– Janë prindërit e mi që me durim titan kanë përballuar atë që u ka sjellë fati. Njerëz të thjeshtë që përpiqen dhe luftojnë çdo ditë për familien e tyre.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Do të doja të isha më e aftë në fushën pikturës, pasi do të ishte një medium tjetër me të cilin do të mund të shprehesha artistikisht.

Si do të dëshironit të vdisnit?
-Do të dëshiroja të vdisja duke udhëtuar, pasi që unë nuk dua ta jetoj pleqërinë në një vend. Ëndërroj të endem e të gdhihem cdo ditë në brigje të ndryshme. Eh ëndrra!

Cila është motoja juaj?
-Kurioziteti për të mos ndaluar por të hapur dyer e shtigje të reja drejt ëndrrave të mia./ ObserverKult