Vargje për një grua që është herë zanë herë engjëll

emin z. emini
Emin Z. Emini

Nga Pal Ndrecaj

Përkitazi me librin “Asaj ia kam vjedhur vargjet”, të Emin Z. Eminit. Botoi “Shkrola”, Prishtinë, 2016

Emin Z. Eminin e kam njohur përmes Moirës, një zonjë me elegancë e stil të veçantë, e vrarë në shpirt e vrasëse shpirtrash, të cilën Emini e ka vizatuar me ngjyrat e shpirtit të tij, me ngjyrat e përziera: të dashurisë, të nderimit, të adhurimit, të dhembjes, të gëzimit, të mërzisë, të humbjes, të fitores, me një fjalë me ngjyrat që pikturohet vetëm kulti. Moira është kult. Para këtij kulti Poeti është besimtar i devotshëm dhe falet me tërë qenien. Moira është, Zanafilla, “para saj çdo gjë ishte e zbrazët”, bile “as zbrazëtia nuk ekzistonte, se ma Emini hiq. Ai u shfaq befas, mrekullisht befas, “kur e ndjeu në brinjë”Moiren. Si dy Njerëzit e Parë.
Poeti falet para saj, pastron shpirtin e vet në pastërtinë e saj dhe ia jep lexuesit për të vazhduar të njëjtën gjë.
“Poezi e fuqishme është ajo që e shtyn energjinë mendore të lexuesit të krijojë në imagjinatë pikturën e saj” (Z. Rrahmani). Dhe, falë kësaj magjie që posedon poezia, unë kam pikturēn time të Moirës. E, besoj, jo vetëm unë.
“Asaj ia kam vjedhur vargjet”.
Kështu e ka titulluar librin Emin Z. Emini. Kuptimisht, titulli është një e pavërtetë, po që thotë një të vërtetë tjetër, jo vetëm artistike, por edhe  jetësore – të vërtetën se i vjedhuri është vetë Poeti. I vjedhur deri në fund te shpirtit. Duke vazhduar aty ku e ka lënë Adem Gashi, se libri është si një dramë në katër akte, them se në këtë libër shoh NDJENJEN, respektivisht shpërthimin e saj, me gjithë spontanitetin, me gjithë autonominë që gëzon, me gjithë kryeneçësinë, me gjithë pamundësinë për ta kontrolluar e menaxhuar:

“Edhe nëse i biri i ferrit do të jem/ Moirë/ Feja ime është dashuria;
“Para teje / gjithçka ishte e zbrazët/ As zbrazëtia nuk ekzistonte;
“Moirë falë të qoftë gjaku im”;
“Sa të dua / Moirë/ Sa/ As Zoti nuk e di”; Moirë / Bregu im”; Secili ka
një ditë / unë ditë kam Moirën”
“E kam pasë zor / me t’shti në bojë pene/ e me gjetë germa drite për
sytë tu”…

Në aktin vijues, të titulluar ”Djegia”, shoh përballjen e unit lirik me NDJENJËN.  Në këtë akt, në këtë përballje, bëhen dy veta: UNI dhe NDJENJA. Dhe, aty ku bëhen dy ndodh drama, dmth konflikti. Edhe vetë titulli, “Djegia”, sugjeron produktin final të konfliktit, dhembjen, që vjen më vonë, edhe si akt tjetër i librit, edhe si akt jetësor:
”S’kisha ç’të bëja/ Ngrita duart lart/ U dorëzova / Si bima para ujit”; “Prej asaj nate / Flatron flamuri i pushtimit tonë / Moirë”; “Në shpirtin e saj / Kam shtëpinë / Vatrën e vdekjes kam”; “Për bimën tonë Moirë / Urnë gjelbëroshe duhet të bëhemi”;

Moirë
Ish’ tepër e bukur ajo ditë
Kur m’shitove

Ky akt është një shfaqje ku i shohim gjërat tek digjen përgjatë konfliktit të pamëshirë, që kap një periudhë të gjatë, ku “katër stinët e vitit (…) veç dimër janë.”
Por a dhemb ajo që digjet dhe çfarë është ajo dhimbje?   Është një pyetje që merr përgjigje në Aktin e tretë, të titulluar “Dhimbja”.
Ajo është një dhimbje që poeti e do, sepse mu ajo dhimbje e ka sjellë në jetë si poet. Bile, edhe e ka bërë njeri, duke ia dhuruar ndjenjat.
“Sonte dua / vetëm ta ndiej lumturinë ta ndiej dhimbjen/ deri në fund.
Në aktin e tretë, NDJENJA për Moirën rrit dozën:
Nuk ka
Pak dhe shumë
Këtë ilaç e helm duhet pirë me fund

Doza e tillë, në aktin e fundit të kësaj drame shpirtërore e poetike shfaqet në përmasat që shpiejnë shumë afër kufijve të një lloj tragjikeje:
Dhe jetojmë
Ti për mua që s’më ke
Unë për tjetër njeri që s’e kam
Dhe lutemi njëjtë
Te një tjetër zot
Që na bashkon a na ndan.

PËR NJË FUND
DHE NJË FILLIM TJETËR

Gjashtë vjet pasi ndodh kjo dramë, poeti sheh “nji fytyrë gruaje midis qielles e detit, vizatue prej djellit, e me t’kuqrremtën e zjarrmit prarue…”
Nuk duket lehtë në ka dalur nga ëndrra a nga aso botë reale që i krijon imagjinata, në është Zanë a çka është, në ka ardhur ta shpëtojë a ta shitojë, por një klithje dëgjohet qartë, klithje që përmban të gjitha ndjenjat që hyjnë e dalin në shpirtin e njeriut: ndjenjën e mahnitjes, të ngazëllimit, të lakmisë, të frikës nga ajo që lakmon, të trishtimit, të dhembjes, të humbjes, të fitores:

O zot
kapedanja

Dhe të gjitha këto ndjenja ka me i përjetu kushdo që vazhdon të shfletojë librin e radhës, “Fjalë të bukëta”, që hapet me vargjet e cituara.

ObserverKult  


pal ndrecaj

Lexo edhe:

PAL NDRECAJ: PËR GJËRAT QË SHKOJNË DAM

Poezi nga Pal Ndrecaj

Nga dritarja shoh pikat e dendura të shiut
që bien mbi asfalt dhe
si gjërat që refuzohen pa mirësjellje
imtësohen ngrihen përsëri
dhe më në fund bien plot dëshpërim

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult