Vargjet e qumështit të poetikës së Dije Demiri-Frangut

Nga Mërgim Bekteshi

Në trajtesat historike, por edhe filozofike, qumështi, sa është produkt i rëndësishëm biologjik e kimik, po aq manifestohet edhe si simbolikë e ekzistencës së qenieve të gjalla. Pikërisht qumështi si masë dhe produkt i ekzistencës ka shtyrë studiues të ndryshëm nga fusha e filozofisë dhe letërsisë të hedhin studimet dhe referimet e tyre për këtë materie të rëndësishme, herë duke e trajtuar si figurë letrare në letërsi, e në disa raste një “rrugë” e kozmosit është quajtur edhe  si ‘’Rruga e qumështit’’.

Në vitin 2020 PEN Qendra e Kosovës botoi librin me poezi të poetes dhe profesoreshës universitare Dije Demiri-Frangu “Qumështi i poezisë’’.

Poezia me këtë titull gjendet në tufën e parë të poezive që trajtojnë konsekuencën e qumështit figurativ, një poezi e rrethuar nga mitet, ëndrrat, kujtesën dhe dromcat e tjera në formë molekulash për ta përkufizuar atë sa më denjësisht.

Poetja ka një rrugëtim të hershëm me  poezinë, edhe si studiuese e letërsisë fragmenton tema të rëndësishme, të mëdha, që kapërcyen ndër shekuj, duke u nisur nga mitologjia greke, e kaluara historike romake, por duke mos harruar edhe kulturën historike shqiptare.

Cikli i parë i  poezisë fillon me Neronin, një ish perandor i Romës, por çfarë e shtyn poeten t’i kthehet së kaluarës me poezinë Neroni shëtit Romën? Ndoshta kjo mund të jetë frikë e çdo qytetari të ndershëm se çfarë mund t’i kanoset vendit nga një udhëheqës që mund të ngjajë më Neronin apo siç thotë në varg: Neroni sërish shëtit Romën/Urinon udhëve të botës pështyn mbi lulet (f.7). Pra, çmenduria e një lideri është më e rrezikshme se e ajo e individit në mesin shoqëror.

Cikli i parë përmban më shumë poezi, po ashtu  edhe i dyti; në të parin cikël kemi personazhe të njohura nga e kaluara si Maria Magdalena, poetja fishkëllen njerëzimin duke ua përkujtuar se ata Pinë lotët e Maria Magdalenës (f.12). Frika nga përvetësimi i së keqes nuk ia ngjall dëshirën për ta fyer e poshtëruar njeriun, por në çastet kritike ajo kujtohet si: Atë çast në fytyrën e njerëzisë mbiu lebrosa/Ferrë e zezë u rritë në çdo lloj skute/Ekspertët ende hulumtojnë përbërjen e pështymës së tij (f.12).  

Në këtë cikël është edhe poezia që autorja e trajton kujdesshëm, mizorinë e Hitlerit dhe ministrit të propagandës Gebelsit, ku përmes të dytit, nga oratoria dhe zhdërvjelltësia dinake, u realizua makineria vrastare e të parit.

Me një mjeshtëri të vargut thotë: Kur i dolën dhëmbët Hitlerit/E Gebelsi mbante orët e oratorisë/Gjallesave iu iku qumështi nga gjinjtë (f.15). Gjama e eshtrave është një poezi tjetër me karakter historik për figurën e shquar shqiptare, Pjetër Bogdanin, për vrasjen e tij dhe abuzimin me eshtrat e tij nga pushtuesi.

Në këtë vështrim, poetja përmallshëm zhvillon vargun duke kujtuar sibilat e Hasit, që, në vend të këndimit, do bënin gjëmën për vrasjen e tij. Në këtë cikël kemi edhe poezi për arbëreshët e De Radës, për mitologjinë greke, rrëmbimin e Evropës dhe dyshimet e Kadmit, për besëtytnitë kur thonjtë ishin të ndaluar të prehen të martën, për figurën e shquar të Musine Kokalarit etj.

Në ciklin e dytë Sa drita e vetëtimës,  shumica e poezive reflektojnë tema sociale, ngjarje dhe ndodhi të përditshme për të cilat poetja reflekton, pra kemi një dallim nga cikli i parë ku temat ishin më madhore.

Shumica e poezive kanë një kujtesë individuale të poetes, sidomos shtrimin e perceptimeve shoqërore që ngelën në kujtesën tonë, sidomos poezia Nata sërish bëhet nënë e ëndrrave apo poezia tjetër Dua të padis komunën. Në këtë mbarështrim të ciklit të dytë lëkunden edhe plagët e vjetra të dashurisë, që vijnë njëtrajtshëm në disa poezi e në disa poezi të tjera vijnë me një stil më të kujdesshëm sikur autorja dëshiron të nxisë intuitën e lexuesit për hulumtim. Kjo ndoshta për shkak të njohurisë gjuhësore që ajo posedon, në tërë ciklin e dytë e ruan afshin e përndezjes ndaj vargut duke i vënë frenim të çastit si: Frymëmarrjet tona zvogëlonin qiellin apo Kur mendonim që zbriste hëna jo hija e saj (f.64)

Në ciklin e tretë 1999 autorja sjell poezi me motive të  ngjarjeve të makthshme, populli i robëruar luftonte me frymën e fundit, atdheu ndihej i kanosur e i vrarë në çdo cep. Në të tetë poezitë në këtë cikël, nisur nga Mirë që pat pëlcitur lufta në pranverë dhe të tjerat, përmes një mjeshtërie të vargut, autorja jep pamjen e vërtetë të ngjarjes si: Nga sytë tanë rridhte robëria zi rridhte/Si gjak rridhte si eshtra mijëra fytyra fëmijësh e pleqsh (f.73). Apo vargu tjetër Ato nuk mund duronin më/Duke shikuar si ecte solemnisht vdekja (f.75) kur pushtuesi serb u mundua të poshtëronte qenien e bukur shqiptare, gruan, por ajo qëndroi stoike deri në vetëflijim. Një tjetër poezi që ngacmon kujtesën historike është edhe Këpucët e Maria Bieliekës dhe Unë ia pashë mendtë si i dilnin.

Cikli i fundit Ditët që flasin për vdekjen e mundshme përbëhet me katër poezi ku përshkruhet jeta e vështirë gjatë pandemisë apo COVID 19, kur vdekja ishte shumë afër, ajo tani trokiste brenda çdo kthine.

Këtë vështirësi dhe makth poetja e ilustron në katër poezitë, në poezinë e parë reflekton: Mund t’vijmë të gjithë këtyre ditëve (f.81), numri i madh i vdekjeve nga statistika e prezantuar në mbrëmjet televizive apo kur mungonte prekja me njeri-tjetrin nga frika Prekjet janë ngrirë si stalaktite (f.82) dhe poezia e fundit kur poetja bën lutje të mbyllet qielli, malet dhe çdo gjë tjetër që të mos hyjë fryma e keqe.

“Qumështi i poezisë” është me poezi të ndërtuara me një mjeshtëri artistike ku poetja reflekton subjektivitet dhe funksion të rëndësishëm si për kategorinë historike të personaliteteve ashtu edhe reflektimin shoqëror në shumë situata të prekshme reale. Në kuptimin e ndërtimit të poezisë, ajo praktikon stile të ndryshme të vargëzimit dhe sjell një standard të lartë gjuhësor, stilistik. Në disa poezi melankolia dhe mallëngjimi kanë një vijë të hollë ndarëse, nuk trumbeton me patetikë, por reflekton arsyeshëm dhe me prova për gjendjen e krijuar.

ObserverKult


Lexo edhe:

DIJE DEMIRI FRANGU: WOMAN IN LOVE

Poezi nga Dije Demiri Frangu

Shkunden degët e fundit të një lumturie
Fytyrat e njohura të dashura
Shtrirë në dyshemenë e dhembjes 
Si në shtretër spitali dihasin
Iluzionet bien nga sytë e mi në formë lodrash,
Bien në formë fletoresh mbushur fjalë mbushur vija
E në formë disqe këngësh bien
Si copa thonjsh të prerë si fruta të kalbura bien
-Derisa iku nga shtëpi e vjetër e nga pluhuri i saj

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult