Vaso Papaj: Eja të ikim…

Eja me mua, të ikim nëpër natë,
M’i dëgjo këto fjalë të thjeshta.
Të ëndërrojmë botën në çdo monopat,
Pa poezi kurrë nuk vjen vjeshta.

Të ikim të dy me urbanin e vjetër,
Sa më larg, lodhur nga mjeshtra.
Atje ku mendjen s’na e marrin për tjetër,
Sado e sido me gënjeshtra.

Të shkojmë ashtu, për dore, dëgjon,
Edhe pse nëpër kohë të vrenjtur!?
Atje, ku çdo fije bari, thjesht gjelbëron,
Pa një purtekë të mbështetur.

Eja me mua, ashtu siç je, domosdo
Dhe merr vetëm puthjet me vete.
S’do ndalemi kështu, kurrë nga kushdo
Pse rrugët janë pa mokete.

Dua me shiun në agim të më zgjosh!
Mbi llamarinë si trokëllim ta dëgjojë.
Krahëve të tu i sigurtë mos ndjej moshë.
Për ty është gjithçka që kërkoj.

LEXO EDHE: Basri Çapriqi: Dritaren lëre hapur