Shkrimtari Adil Olluri, i gëzon lexuesit me romanin e tij të dytë. “Vdekja e Omerit”, është tashmë në proces botimi, nga Shtëpia Botuese Onufri dhe shumë shpejt do të jetë edhe në librari.
Këtë e ka bërë të ditur Olluri, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ku flet pak edhe për përmbajtjen e librit.
Ju ftojmë ta lexoni:
Vjen në jetë romani im i dytë
Nga Adil Olluri
“Vdekja e Omerit” është roman që do të trokasë në dyert e lexuesve dhe dashamirësve të letërsisë së tashme shqipe. Do të trokasë për t’u bërë mik shtëpie, i mirëpritur dhe i respektuar në konakun e lexuesve shqiptarë.
“Vdekja e Omerit” është romani im i dytë dhe bashkëpunimi i dytë me shtëpinë e mirënjohur botuese “Onufri”, një markë e çmueshme dhe tejet e vlershme e botimeve shqiptare, një brend i patejkalueshëm i editorësisë së librit shqip. Ka vite e vite që është bartëse e qenësishme e botimit të letërsisë shqipe. Andaj, për mua si shkrimtar është nderë botimi nga ana e kësaj familjeje të dinjitetshme editoriale. Bashkëpunimi në procesin e botimit me Enxhi Hudhrin, drejtuesen e re të këtij enti botues, ka qenë për t’u vlerësuar dhe përshëndetur.
“Vdekja e Omerit” flet kryekëput për vrasjen e një të riu, të fshehtat rreth saj, dëshmitë e pakta dhe dyshimet e shumta. Do të flasim për përfoljet dhe paragjykimet e shumta që ngjalli kjo vrasje në qytetin tonë. Po ashtu, do të përpiqemi ta krijojmë një imazh të të riut të ndjerë, Omerit, i cili do të vdesë në faqen e parë të këtij romani dhe të atit të tij, Mujës së madh, i cili do të vdesë në faqen e fundit të këtij romani.
Shumë vetë do të flasin në këtë roman, pak do të dëgjohen dhe asnjëri nuk do ta thotë të vërtetën përfundimtare, sepse një gjë e tillë nuk është dhe nuk duhet të jetë qëllim i letërsisë dhe as i këtij romani. Pra, është një rrëfim që shtron pyetje të pafundme, por nuk e jep asnjë përgjigje.
ObserverKult
Lexo edhe:
“BEOGRADSKI KNJIZEVNIH CASOPIS” BOTON NJË TREGIM TË ADIL OLLURIT