Vdekja e Pirro Manit, Elia Zaharia: Ishte arsyeja pse u dashurova me teatrin…

Elia Zaharia ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të njohur Pirro Mani. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo shprehet e trishtuar, duke theksuar se ikja e gjeniut të skenës i la të gjithëve më të varfër.

Sipas Zaharias, aktorët përjetonin lumturi kur interpretonin në pjesët e tij, përjetonin ekzaltimin që vjen nga dashuritë e mëdha.

“Sot arti humbi ikonën e regjisurës, artistin e madh, frymëzimin e brezave, Pirro Mani. Familja humbi njeriun e shtrenjtë… Ikja e gjeniut të skenës na lë të gjithëve më të varfër, na lë bosh…E kam të vështirë të gjej fjalët për Pirron, por di me siguri që krijimtaria e tij është një arsye përse u dashurova me teatrin. Energjia e tij ishte magji për skenën, ishte festë teatri i Pirros…

Aktorët përjetonin lumturi kur interpretonin në pjesët e tij, përjetonin ekzaltimin që vjen nga dashuritë e mëdha. Mjeshtër sa herë kemi përmendur teatrin shqiptar në kohët e tij më të ndritura, kemi thënë teatri i Pirro Manit.

Ngushëllime familjes së dashur, Pavlinës që do doja ta përqafoja fort me shumë dashuri, ngushëllime të sinqerta të gjithë kolegëve, atyre që e njohën, që e deshën, por edhe atyre që e adhuruan nga larg.

Ngushëllime publikut të tij, publikut artdashës, ngushëllime çdokujt që e do dhe ka ndjeshmëri për artin shqiptar! Qofsh i dritës i shtrenjti artist i madh”, ka shkruar aktorja krahas fotove të postuara.

LEXO EDHE: Yllka Mujo kujton vitet e punës me regjisorin: “Shkoi Pirro Mani dhe mori me vete gjithë dashurinë e mirënjohjen tonë”