Hafizi: Veç meje tjetër mos beko …

Nga: Hafizi

Në daç që era mos më marrë, flokët veriut mos ia shtri,
Në daç që të mos psherëtij, mos më qorto me syn’ e zi!

Mos e pi verën me këdo, që unë helme mos gëlltis,
Me kokë ulur mos kalo, vështromë ëmbël drejt në sy.

Baluket, lutem, mos i dridh që pranga vetes mos i hedh,
Dhe kaçurrelat mos i mblidh, se do më futsh në dhe të zi.

Të tjerë miq ti mos kërko, që mos brengoset miku yt,
Veç meje tjetër mos beko dhe me përbuzje mos më shih.

Lartoje kurmin si selvi, që të ulem gjer në gji,
Fytyrën time përcëlloje! Pra, ndizu zjarr, po mos u shkri.

Të tjerë miq mos sill ndër mend që pamjen tënde mos harroj,
Shandan kujtdo ti mos iu bëj e me bandillë mos rri.

Nga tekat mos i ngjaj Shirinit që të mos vuaj si Farhadi
Dhe eremit mos dal diku, larguar tutje në shkreti.

Të kërkoj ndihmë, të thërras, dëgjoje zërin e Hafizit,
Për mua të kesh dhembshuri e mospërfillëse mos ji!

*Titulli i origjinalit: “Në daç që era mos më marrë”

Përgatiti: Dalan Shapllo

————————————————————————

LEXO EDHE:

Hafizi: Mikja m’u largua prej dashurisë

O zot, më fale trëndafilin, ja po ta kthej un’ përsëri,
Sepse lëndina po më hidhte vështrime mbushur me zili!

Ndonëse mikja m’u largua prej dashurisë njëqind hapa,
Larg mikes qofshin gjithë brengat, e shqot’ e breshër edhe shi!

Kur ti, er’ e pranverës fryn, pran’ atij vendi ku më rri,
T’i thuash se do t’i shërbej, afroju dhe i pëshpëri!

Lëmoja flokët kaçurrela, se brenda gjendet shpirt’ i saj.
Mos e shkatërro ti atë kopsht plot erë të mirë e hijeshi!

Se shpirti im, ti thuaj erë, përjetë asaj i ësht’ betuar,
Në kaçurrela do të prehet, do rroj’atje në fshehtësi!

Shëndet me verë do të ngrenë për hir të buzëve të tu,
Mallkuar qoft kush s’të do dhe kërkon gjetkë lumturi!

Sesa do prishësh, mos mendo, kur poshtë në tavernë zbret,
Kush pi nektar nga dashuria, më shumë s’do kënaqësi.

Le të na shkelë dhe me këmbë a të na falë një të puthur,
Kush truhet edhe matet shumë, nuk hidhet dot në dashuri!

Lëvduar qoftë poezia, Hafizi i dha një nur hyjnor,
Fjalën e bukur, çiltërsinë, mos i pëlqejë s’ka njeri!

*Titulli i origjinalit: “O Zot, më fale trëndafilin”

Përgatiti: Dalan Shapllo

ObserverKult